Mërgimtari që shtiu me armë në dasmë, dënohet me 1 vit burg e 400 euro gjobë

Kronikë e zezë

Mërgimtari që shtiu me armë në dasmë, dënohet me 1 vit burg e 400 euro gjobë

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 400 euro gjobë të akuzuarin L.H, pasi i njëjti pranoi fajësinë se kishte gjuajtur me armë në një dasmë në vitin 2016.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari i rastit Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari H. po ngarkohej nga prokuroria për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” ndaj të akuzuarit shqiptoi dënim me kusht me një vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej dy viteve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, nuk kryen vepër tjetër penale.

Kurse, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” i akuzuari u dënua me 400 euro dënim me gjobë, të cilin dënim i njëjti detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga plotëfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Tutje, në çoftë se i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në lartësi prej 400 euro në afatin e caktuar nga gjykata, ky dënim do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro me një ditë qëndrim në burgim.

“Gjykata në mënyrë të përhershme e ka konfiskuar armën, dhe sapo aktgjykimi të marrë formën e prerë e njëjta do të shkatërrohet nga Policia e Kosovës”, konstatoi gjyqtari Hajraj.

Po ashtu, i akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor në shumë prej 30 euro, kurse në emër të fondit të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Tutje, palët u njoftuan se kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh nga dita kur e marrin aktgjykimin, të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kundrejt këtij vendimi.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës në shqyrtimin fillestar nga prokurorja Fetije Bajrami, i akuzuari L.H. e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I njëjti pasi shprehu keqardhje për rastin, i premtoi gjykatës se nuk do të përsërisë më vepra penale, ndërsa kërkoi nga gjykata që të merr parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit, duke propozuar që t’i shqiptohet dënim me kusht pasi deklaroi se jeton jashtë Kosovës.

Ndërsa, prokurorja Bajrami i propozoi gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit pasi që ky deklarim është bërë në mënyrë vullnetare, pa imponime, dhe është në përputhje me shkresat e lëndës.

Pas marrjes së konstatimeve të palëve në lidhje me pranimin e fajësisë nga i akuzuari H., gjyqtari Hajraj pranoi pranimin e fajësisë nga i njëjti, pasi konstatoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore në lidhje me pranimin e fajësisë nga i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 18 qershor 2019 ka ngritur aktakuzë kundër L.H. sepse më 5 gusht 2016, rreth orës 10:50 në fshatin Zhabar i Epërm, komuna e Mitrovicës, duke qenë i i vetëdijshëm të kuptonte rëndësinë e veprimeve të tij, përdori armën në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku në një aheng-dasëm gjuajti 4 plumba nga pistoleta e tipit “Bruni” model 92, nr.serik Bel-00073, kalibrit 9 mm.

Me këtë ka kryer veprën penale – “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari H. ngarkohet se që nga data e pavërtetuar e deri më 5 gusht 2016 në fshatin Zhabar i Epërm, Komuna e Mitrovicës duke qenë i i vetëdijshëm të kuptonte rëndësinë e veprimeve të tij dhe ndalimin e të njëjtave, në automjetin e tij motorik të tipit “Golf 6”, pa autorizim posedoi pistoletën me gaz tipit “Bruni” model 92, nr.serik Bel-00073, kalibrit 9mm.

Sipas aktakuzës e njëjta armë është konfiskuar nga organet kompetente në të njëjtën ditë.

Me këtë ka kryer veprën penale – “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së, në bashkim real me veprën penale në pikën e parë të dispozitivit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat