Arrestohen edhe zyrtarë të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë

Kronikë e zezë

Arrestohen edhe zyrtarë të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë

Më: 12 dhjetor 2013 Në ora: 12:11

(E plotësuar) Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Naim Haliti, para pak çastesh, në një prononcim për Tribunën ka konfirmuar se bazuar në deklarimet e zyrtarëve policorë janë arrestuar edhe zyrtarë tjerë të këtij fakulteti.

Haliti tha se nuk është në dijeni se kush janë të arrestuarit tjerë, por përveç asistentit të lëndës së anatomisë Esat Belaj, ka thënë se në vendin e punës është arrestuar edhe asistenti tjetër i lëndës së fiziologjisë Gazmend Maliqaj.

Dekani Haliti tha se zyrtarët policorë që kanë kryer operacionin në Fakultetin e Mjekësisë e kanë njoftuar atë për operacionin. “Por, më thanë se do të më njoftojnë me shkrim detajisht për të gjeturat që kanë çuar në arrestimin e zyrtarëve”, ka thënë Haliti.

Arrestohen zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë

Dy persona janë arrestuar sot, rreth orës 10 e 30 minuta, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Redaktori i Tribunës Alban Selimi ka qenë në vendin e ngjarjes momentin e arrestimit dhe ka bërë fotografi ekskluzive të arrestimit të punonjësve.

Ndonëse nuk është konfirmuar se kush janë punonjësit e arrestuar, burimet thonë se arsyeja e arrestimit ndërlidhet me falsifikime të kryera në këtë Fakultet. Perosni në foto mësohet se është Esat Bela, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Gazeta Tribuna ka provuar të flasë me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Naim Haliti, mirëpo ai nuk ka pranuar të takohet pas arrestimeve në institucionin që ai drejton.

Kurse prodekani i Fakultetit të Mjekësisë Mehmet Maxhuni ka thënë se nuk është në dijeni se kush janë të arrestuarit.

Ndërkohë një zyrtar policor ka thënë se bëhet fjalë për një operacion të gjerë dhe do të ketë edhe arrestime të tjera në Universitetin e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat