Rrëfimi/ Trafiku i kokainës nga Kolumbia, greku nxjerr emrin e bosit shqiptar

Kronikë e zezë

Rrëfimi/ Trafiku i kokainës nga Kolumbia, greku nxjerr emrin e bosit shqiptar

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 12:24

Ish-bosi i skuadrës së futbollit të Larisës ka rrëfyer gjithçka dinte për organet hetimore të vendit të vet në lidhje me trafikun e drogës nga Kolumbia në Greqi. Ai ka treguar njohjen me shqiptarët dhe kurthin e ngritur prej tyre ndërsa ka nxjerrë edhe emrin e një biznesmeni i cili dyshohet se është edhe truri i asaj organizate kriminale që ka ngritur në këmbë edhe DEA-n për të hetuar dhe zbuluar të gjithë linjën që niset nga vendi i origjinës së kokainës. Biznesmeni grek Sakis Karatzounis, i vënë në pranga pak ditë më parë ndërsa mbante në shtëpinë e tij 10 kg dhe 10 të tjera u gjenden në një pronë të tijën, ka bërë me dije për policinë dhe prokurorinë greke se shqiptari është Arjan Senaj, një biznesmen gazi i cili i kishte sjellë edhe lëndën narkotike.

Ai njihej prej 8 muajsh me të dhe me dy shqiptar të tjerë ndërsa i kishin lënë në shtëpi vetëm dy çanta me faktin se brenda kishin hashash dhe jo kokainë të pastër. Arjan Senaj, sipas të dhënave të medias greke është 37 vjeç dhe është nga veriu i vendit. Asnjë person në Shqipëri me këtë emër nuk rezulton i listuar në regjistrat policor për trafik droge, megjithatë policia jonë bën me dije se mund të jenë edhe persona me dokumente të falsifikuara. Policia dhe prokuroria greke kanë bërë me dije se kanë shkatërruar një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Greqi, ndërsa hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim edhe me DEA-n!

Rrëfimi

Biznesmeni grek Sakis Karatzounis 61 vjeç ka treguar se si u njoh me biznesmenin shqiptar Arian Senaj dhe se fillimisht i kërkoi që të mbante në depon e shtëpisë një sasi lënde narkotike, por që mendonte se ishte kanabis dhe jo kokainë. Gjatë dëshmisë së tij para hetuesve grekë, biznesmeni 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikallas, ka shpjeguar se e gjithë historia nisi 8 muaj më parë kur u njoh me biznesmenin shqiptar, kurse para dy muajsh biseduan për drogën. “Unë jam biznesmen dhe baba i tre fëmijëve. Në vitet e fundit kam drejtuar një fabrikë domatesh dhe jam i përfshirë edhe në biznesin e karburanteve. Para 8 muajsh, përmes një të njohurit tim, u takova me Arian Senajn, biznesmen në fushën e karburantit dhe ramë dakord për partneritet që të zgjeroja biznesin tim. Dy muaj më parë Arjan Senaj më kërkoi që të ruaja në bodrumin e shtëpisë sime një sasi të caktuar hashashi në emër të Sami H. (i arrestuar si anëtar i këtij rrjeti).

Një muaj e gjysmë më parë, Samiu solli dy çanta shpine të mëdha. Të mërkurën e kaluar rreth orës 18:00 kur kthehesha nga Selaniku ku kisha shkuar për të mbyllur një takim për provimet e djalit tim, në shtëpi shikoj oficerë policie  të cilët dyshonin se në depo kishte drogë. Gjatë kontrollit policia gjeti sasinë e kokainës që unë kisha marrë. Menjëherë i thashë policisë se çfarë dija. Ata arrestuan edhe një shqiptar me kokainë. Nuk e dija që tre shqiptarët kishin vendosur kokainë në bodrumin e shtëpisë sime, ndërkohë që më kishin thënë se ishte hashash”, thotë Sakis Karatzounis në dëshminë e tij. Sakis Karatzounis ka qenë president i ekipit të futbollit të Larisës dhe aktualisht drejton një fabrikë domatesh në Greqi dhe është aktiv në tregun e karburanteve.

Si funksiononte organizata kriminale

Policia greke ka zbardhur skemën si funksiononte organizata e kokainës e përbërë nga shqiptarë dhe grekë, kur 4 ditë më parë u arrestuan 5 persona. Zyrtarisht njoftohet se mes të arrestuarve, 4 janë shqiptarë të moshës 34-56 vjeç dhe një biznesmen grek 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikallas në Greqi. “Truri” i organizatës së kokainës në Ballkan është një 53-vjeçar shqiptar, thotë polica greke, e cila shton se është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në fushën e transportit të gazit natyror. Në këtë operacion të madh anti-drogë është përfshirë dhe DEA amerikane e vendosur në Athinë.

Kokaina vinte nga Kolumbia nga organizata “Cali”, e paketuar me logo të PlayBoy dhe ishte cilësi e pastër. Plot 21 kg kokainë u sekuestrua nga autoritetet greke dhe shuma të mëdha parash të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Gjysma e sasisë së kokainës ju gjet biznesmenit grek, kurse gjysma tjetër një 35-vjeçari shqiptar tashmë të arrestuar. Ky i fundit e kishte fshehur drogën poshtë sediljes së shoferit dhe të pasagjerit në një vend të modifikuar posaçërisht. Nga aktiviteti i trafikut të kokainës, kjo organizatë kriminale ka qarkulluar të paktën 800 mijë Euro.

Shtypi grek shkruan se hetimet e DEA-s nuk kanë përfunduar akoma. Agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës ka dyshime të forta se biznesmeni shqiptari që drejtonte këtë rrjet droge, ka lidhje të forta në Shqipëri dhe hetimet mund të nxjerrin në dritë të tjera informacione të vlefshme. Gjatë këtyre ditëve mediat greke kanë raportuar se biznesmeni grek është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri. Ai është Thanasis Karatzounis, kurse identiteti i biznesmenit shqiptar që drejtonte trafikun e kokainës nuk është bërë i ditur.

Gjirokastër

Zbulohen 58 kilogramë kanabis sativa në Gjirokastër duke u transportuar me një automjet, çka çoi në arrestimin e dy personave. Operacioni i koduar “Viroi” u kurorëzua me sukses në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Viroit”, në hyrje të qytetit Gjirokastër, po lëvizte një automjet në të cilin dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Nga ana e policisë filloi ndjekja dhe u bë bllokimi i mjetit tip “BMW” me targa A23 E 505, me drejtues shtetasin Petro Ngucaj dhe me pasagjer shtetasin Çelo Çelo, ku gjatë kontrollit u gjet një sasi prej 58 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i Petro Ngucaj, 38 vjeç dhe Çelo Çelo, 23 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat