Një 50-vjeçar është arrestuar pasi ka kundërshtuar me armë forcat e policisë. Timoleon Babi, nga Saranda kishte zënë një sipërfaqe toke pranë një hoteli në pronësi të tij në lagjen ”Nr.1” në mënyrë të paligjshme dhe policia bashkiake kishte shkuar të premten (15 shtator) për të verifikuar rastin pas një telefonate që kishte marrë.
Kur efektivët e Komisariatit të Policisë Sarandë janë afruar për të komunikuar me të, ai është larguar duke qëlluar me armë zjarri, por është arrestuar brenda pak minutash.
“Timoleon Babi është arrestuar pasi më datë 15.09.2017 ky shtetas, pranë hotelit në pronësi të tij në lagjen ”Nr.1”, kishte pushtuar një sipërfaqe të konsiderueshme toke, në mënyrë të paligjshme dhe ka kundërshtuar policinë bashkiake e cila kishte shkuar për të verifikuar rastin,”-raporton Policia e Sarandës.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij policia i gjeti 13 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa ndërsa po kërkohet arma e zjarrit, të cilën 50-vjeçari e ka fshehur.
Materialet janë referuar në Prokurori në ngarkim të tij për veprat penale ”Pushtimi i tokës”,
”Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”,
”Prishja e qetësisë publike”,
”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe
”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.