“Mori pjatën në tavolinë dhe ma theu në fytyrë”, e dhunuara surprizon gjykatën

Kronikë e zezë

“Mori pjatën në tavolinë dhe ma theu në fytyrë”, e dhunuara surprizon gjykatën

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:13
Gjykata e Tiranës

Historitë e dhunës në familje në vendin tonë, janë shumë të dhimbshme dhe ka mjaft raste të natyrës së tillë. Pre e dhunës, në rastet më të shumta bien femrat. Në histori e tillë gjendet edhe në Gjykatën e Tiranës, ku shtetasi Dashamir Ismaili është dënuar me 12 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”. I pandehuri ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit, për shkak të pendesës që ai ka shfaqur në gjykatë.

Por kush është historia e Dashamirit?

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, një kopje të cilit e disponon edhe “Shekulli”, thuhet se i pandehuri është i papunë dhe përdorues i rregullt i pijeve alkolike. Ai është babai i një vajze 11-vjeçare dhe veprën penale ai e ka kryer para syve të saj.

Më datë 02.07.2017, pasi ka dalë nga puna, rreth orës 16:30 bashkëshortja e tij ka parë që Ismaili po pinte raki. Për një moment i pandehuri i është drejtuar vajzës duke i kërkuar që ajo të blinte diçka, por vajza nuk ka pranuar dhe për këtë arsye i pandehuri ka dalë vetë nga banesa. Rreth orës 19:30, i pandehuri është kthyer në banesë ku gjendja e tij fizike ishte e rënduar nga pija. I pandehuri përsëri i është drejtuar vajzës duke i kërkuar që të shkonte në dyqan që të blinte një shkrepëse. Vajza ka shkuar, por është vonuar pak. Kur vajza është kthyer, i pandehuri i ka kërkuar vajzës llogari në lidhje me arsyen e vonesës, por kjo e fundit i është përgjigjur se në dyqan kishte shumë njerëz, prandaj dhe ishte vonuar. I pandehuri është ngritur duke e larguar vajzën. Më pas Dashamiri ka marrë një pjatë e cila ishte në tavolinë dhe e ka qëlluar bashkëjetuesen në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime në syrin e djathtë dhe në ballë. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, dëmtimet e pësuara nga bashkëjetuesja, janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse dhe hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që shkaktojnë humbje të aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 (nëntë) ditë.

Në deklarimin e tij si gjatë hetimit dhe përpara gjykatës, i pandehuri ndjehet i penduar për veprimin e kryer, duke deklaruar se nuk do ta përsëriste më atë.

E thirrur në cilësinë e viktimës në seancë gjyqësore, bashkëshortja e Dashamirit kërkoi gjithë lehtësirat e mundshme ligjore për bashkëshortin, kërkesë, siç është shprehur kjo shtetase, është edhe në emër të fëmijës së tyre, e cila i ka kërkuar që sa më parë familja të qëndrojë e bashkuar. Gjithashtu, ajo deklaroi se izolimi i bashkëshortit ka sjellë një ulje të ndjeshme të të ardhurave të familjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat