Në rajonin e Mitrovicës, në dy lokacione të ndryshme janë konfiskuar dy armë.
Rasti i parë i konfiskimit është bërë dje rreth orës 19:40, në zonën e Vushtrrisë, ku pas marrjes së informatës policia ka kontaktuar personin F.S., 50 vjeçar, i cili e ka dorëzuar një revole model 85, prodhim çekosllovak, kalibri 9 mm, me një karikator dhe 8 fishekë të kalibrit 9 mm.
Ndërsa rasti i dytë i konfiskimit ka ndodhur sot rreth orës 00:20, në Mitrovicë, ku gjatë një pike të kontrollit nga policia është ndaluar një automjet, dhe gjatë kontrollimit, drejtuesit të automjetit D.F., 28 vjeçar i është gjetur një pistoletë.
Si dëshmi materiale nga policia është konfiskuar pistoleta prodhim ‘Zastava’, cal. 6.35, pesë fishekë dhe një karikator, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për armë.
Në të dy rastet, pas procedurave intervistuese të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt.