Familja akuzon: I harruan familjarët tanë, u fokusuan te Ambasadorja turke - Bota Sot
Familja akuzon: I harruan familjarët tanë, u fokusuan te Ambasadorja turke

Kronikë e zezë

Familja akuzon: I harruan familjarët tanë, u fokusuan te Ambasadorja turke

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 18:34
Vendi ku ka ndodhur aksidenti

Prapavija e asaj se çka ndodhi mbrëmjen e 16 nëntorit nuk po e lë të qetë familjen Shala nga fshati Ponesh i Gjilanit. Atë natë në një aksident tragjik në mes të tri veturave, ata humbën katër anëtarë të familjes, por, përveç mërzisë e ditëve të të pamës këto ditë kanë edhe një hall tjetër. Nuk kanë marrë asnjë version zyrtar që do t’ua heq sado pak dyshimet, e dyshimet i çojnë te neglizhenca që iu bë familjarëve të tyre për t’u kujdesur për shëndetin e ambasadores turke. Familja nuk beson se shkaktar ishte Agroni. Fajësojnë eskortën e ambasadës për tejkalim të shpejtësisë.

Arton Shala, vëllai i Osmanit e axhë i Agronit ka dy ditë që po pret qindra njerëz për ngushëllim. Ai natën kur familjarët e tij ndërruan jetë, i kishte huazuar nipit veturën me te cilën ndodhi aksidenti. Mirëpo, rruga e kthimit qe tragjike pasi që ata të dy, përfshirë nënën dhe hallën e tyre vdiqën pas një aksidenti në të cilin u përfshinë tre vetura.

Megjithëse kanë kaluar disa ditë ata kanë marrë pak informacione për prapavijën e asaj nate, e rrjedhimisht kështu kanë edhe shumë dyshime.

Dyshimet kishin nisur nga momenti kur vetura e aksidentuar u hoq menjëherë nga vendi i ngjarjes, e pastaj gjatë kohës kur nuk i lanë që t’i shohin familjarët që ishin gjallë në spital, e deri te reagimi i menjëhershëm i prokurorisë që la fajtor shoferin e makinës që tashmë ka ndërruar jetë.

Vëllai i madh i Osmanit, Artoni tregon për herë të parë se si u njoftua për aksidentin.

“Më ka treguar një shok, e ka njoftë veturën edhe më thirri me më pyet se ku jam. Më tha është aksidentu një veturë si e jotja. Pas dy orëve kam marrë vesh unë e kur jam nis për në spital, veturën veçse e kishin pas largu prej vendit të ngjarjes”, thotë ai.

Artoni gjithashtu tregon se porsa kishte shkuar në spital, vëllai i tij ende nuk kishte ndërruar jetë, e me informacionet që ka marrë nga disa dëshmitarë ai kishte qenë në gjendje edhe për të folur.

Dyshime kanë edhe për neglizhencën që iu ka bërë atë natë stafi mjekësor.

“Kur e kanë pa që Osmani është gjallë nuk është dashtë me u fokusu krejt te ambasadorja se e kanë lanë atë pa kujdes, ai ka vdekë në QKUK nuk ka vdekë në rrugë”, thotë vëllai i të ndjerit.

Pjesëtarë të familjes Shala thonë gjithashtu se kanë gjetur dy dëshmitarë që iu kanë bërë të ditur se vetura e Agronit të ndjerë është larguar e para nga vendi i ngjarjes.

“Dëshmitarët po thonë se veturën e Agronit të ndjerit e kanë larguar të parën ma së shpejti as nuk kanë bë matje as kurgjo hiq për këtë arsye na po dyshojmë. Ambulanca atë ditë është vonu më shumë se 30 minuta, ende nuk kemi asnjë informacion të saktë. Prej të premtes ka ndodhë aksidenti, na kanë thanë sot i qesim rezultatin e ekspertave, sot nesër, hala sna kanë tregu kurgjo definitive, fajin ja kanë gjujt krejt Agronit kanë thanë u kanë në tejkalim”, bëjnë të ditur ata.

Shqetësim për ta është mosinteresimi nga institucionet që nuk iu ka dhënë asnjë informacion të saktë.

“Ende nuk janë informatat e sakta. Skena pas version as prej policisë as prej kërkujt. Po dojmë me zbardh rastin që me pas zemrën e pushume”, përfundojnë familja.

Asnjë telegram ngushëllimi thonë se nuk kanë marrë as nga pjesëtarë të ambasadës turke, e as nga policia.

Kështu nga familja Shala nuk besojnë se fajtor, ashtu siç thotë versioni i prokurorisë është Agroni, 22 vjeçar.

Ata kanë dyshime se eskorta e ambasadores së Turqisë ishte në shpejtësi të madhe, e kjo i kushtoi atyre.

Pak pasi që aksidenti ndodhi, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, fajësuan shoferin që ndërroi jetë në vend të ngjarjes, duke thënë se ai ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Por, këtë e mohojnë nga familja. Shoku e familjari i Agronit, Arsim Syla thotë se ai kishte qenë një vozitës shumë i kujdesshëm.

 “Agroni ka qenë djalë perfekt, e sa i përket komunikacionit ka qenë gjithmonë i kujdesshëm dhe neve si shok na ka këshillu gjithmonë na ka thënë keni kujdes, mos vozitni shpejtë. Telefonata për vdekjen e Agronit ka qenë lajmi më i keq i jetës time. Ju bëj apel institucioneve të drejtësisë që të tregojnë diçka më konkret për këtë rast”, përfundoi ai për express.

Në aksidentin e së premtes në Mramor ndërruan jetë Osman Shala, 65 vjeç, Agron Shala, 22 vjeç, Arife Shala, 88 vjeç, dhe Elfete Rashiti, 65 vjeç, të gjithë pjesëtarë të një familje.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test