Dashuria është boshti kurrizor i njerëzimit

Libra

Dashuria është boshti kurrizor i njerëzimit

Nga: Baki Ymeri Më: 11 janar 2021 Në ora: 07:04
Baki Ymeri

Remzi Basha është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare që digjet për familje, për dashuri dhe për atdhedashuri. Vargjet e tij janë të gërshetuara me një ndjeshmëri të rrallë dhe me respekt ndaj fjalës së shkruar e hijeshisë së saj. Duke shfletuar librin e tij (Universi i dashurisë), konstatojmë se poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me ndjenja, me dritë dhe me emocion. Letërsia ka qenë pjesë e pandarë e Remzi Bashës. Gjatë gjithë kohës ka qenë dhe është aktiv në promovimin e kulturës, vlerave dhe traditës shqiptare në Suedi, ku përmes shoqatave, klubeve dhe bashkësive shqiptare, është paraqitur me sukses me poezitë e tij para publikut të atjeshëm.

Krijimtarinë e tij letrare e ka publikuar në libra, antologji, revista, rrjetet e ndryshme përmes internetit dhe mediave të tjera elektronike. Është përfaqësuar në revistat e famshme Zemra Shqiptare dhe Albanezul. Libri ”Universi i Dashurisë” është libri i tij i parë i këtij viti (2021), kurse paraprakisht ka botuar mbi 30 libra me poezi dhe një roman. Remzi Basha është përfaqësuar edhe në disa antologji poetike dhe laureat i një serë mirënjohjesh, duke qenë i nderuar gjatë këtij viti me titullin ”Poet i Vitit”. Librat e tij e kanë parë dritën e botimit në Shqipëri, Kosovë dhe në Bukureshtin e rilindësve tanë. Veprat e Remzi Bashës reflektojnë dashuri, atdhedashuri, sensibilitet dhe origjinalitet.

Dashuria është një ndjenjë komplekse, e shfaqur me afeksion të fortë. Përcaktimi i saj është një proces i ëmbël, i shkaktuar nga kompleksiteti i shfaqjes së saj, por edhe nga shumëllojshmëria e lidhjeve emocionale që përmbahen në këtë term. Dashuria mund të shfaqet ndaj familjes, ndaj prindërve, fëmijëve ose të afërmve të tjerë, si dhe ndaj miqve, partnerëve romantikë, hyjnisë, kafshëve, sendeve, atdheut, bukurisë, artit, etj. Një nevojë e rëndësishme për dashuri, e cila ndonjëherë përfshihet në vetë përkufizimin e saj, është reciproke. Në disa raste, ajo ndjehet nga subjekti si një veprim fizik i objektit. Ajo reflektohet edhe në rastin e dashurisë për Hyjninë, për objektet ose për koncepte të ndryshme të zbatuara. Ndryshe nga të gjitha rastet e tjera, dashuria në të cilën përfshihen partnerët romantikë përdor seksualitetin si dëshmi të intimitetit.

Dëshmia e dashurisë është universi i gjithësisë

Dashuria ndërpersonale mund të jetë platonike, një koncept që do të thotë një gjendje e pastruar nga gjeste ose prova të një natyre fizike. Termi "dashuri" është sinonim i varianteve dashuri totale dhe dashuri kalimtare. Dashuria përdoret për çdo kategori të asaj ndjenje, kurse termat tjerë i referohen vetëm disa mundësive. Kështu, dashuria mund të ekzistojë vetëm midis partnerëve romantikë. Termi gjithashtu ka kuptimin e sjelljes së sjellshme, ndërsa "dashuria" përfshin aktin e përjetimit fizik dhe emocional. Ekzistojnë shumë klasifikime të situatave të dashurisë, në varësi të objektit. Ndër kategoritë më të zakonshme janë: dashuria për vetëveten, e cila shpesh ngatërrohet me egoizmin. Pason dashuria romantike midis gruas dhe burrit etj. Nëntipi i dashurisë prindërore, i prindërve ndaj fëmijëve të tyre, shquhet për rëndësinë e saj. Cilat janë llojet e dashurisë? Ekzistojnë shumë klasifikime të situatave të dashurisë, në varësi të objektit.

Studiuesit në Universitetin e Çikagos thonë se kanë zbuluar rajonin e trurit përgjegjës për vendimet emocionale. Dashuria përcaktohet si një gjendje e vetëdijshme bashkimi, intenzive dhe afatgjate me një person tjetër, kurse dëshira seksuale karakterizohet si një gjendje e orientuar drejt përjetimit të kënaqësisë. Duke u nisur nga ky diferencim, studiuesit besojnë se dashuria është e vendosur në zonën primare të trurit, ndërsa dëshira seksuale është e vendosur në zonën sekundare. Dashuria ose afeksioni është një ndjenjë komplekse që vështirë mund të shpjegohet me fjalë. Termi përdoret nga njerëzit në shumë situata, sepse dashuria mund të jetë e disa llojeve: dashuria për vetëveten, siç e përmendëm paraprakisht, dashuria për një partner, dashuria për fëmijë, dashuria për atdheun, dashuria për natyrën, dashuria për të afërmit, dashuria për kafshët etj. Dashuria ka nevojë për reciprocitet dhe ndihet si një veprim fizik ndaj një partneri, ndaj kafshëve apo sendeve. Në rastin e dy partnerëve në dashuri, dashuria manifestohet në terma të intimitetit senzual dhe seksual.

Në përgjithësi, dashuria përfshin respekt të ndërsjellë, besnikëri, intimitet psikologjik, lumturi, mbështetje emocionale, kënaqësi për të qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe një ekuilibër midis individualitetit, midis pavarësisë dhe kohës së kaluar së bashku. Dashuria nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ajo ndihet, jetohet dhe përjetohet kur e posedon intensitetin më të lartë. Filozofët e botës janë përpjekur që nga kohërat antike ta kuptojnë dashurinë dhe ta përshkruajnë atë sa më thellë që të jetë e mundur. Ekzistojnë citate të famshme për dashurinë që kanë hyrë në histori. Gëzimi më i madh i jetës është të jesh i bindur se je i dashur.

Dashuria nuk është Pazar. Të dua sepse ti më do mua! Dashuria është një veprim i sigurtë. Të dua sepse gjithmonë të dua! Kur e do thellësisht, gjithmonë gjen diçka të re tek personi që e do. Nuk është bukuria ajo që na bën të duam, por është dashuria ajo që na bën të shohim bukurinë. Duhet të duash këdo dhe kudo. Dashuria është përjetimi i lumturisë dhe boshti kurrizor i njerëzimit. Kur duam, gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë. Kur përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka përrreth nesh bëhet më e bukur dhe më e mirë. Të duash do të thotë të ndjesh, të jetosh dhe përjetosh. Dashuria jeton përmes besnikërisë dhe përmes përkushtimit, dhe pa marrë parasysh sa e tmerrshme është vdekja, dashuria e frymëzon guximin për ta përballuar atë dhe për ta bërë të pavdekshëm atë që na do dhe që e duam. Me këtë rast, për lexuesit e Botës së famshme shqiptare, po japim pesë nga njëqind poezitë e librit „Universi i Dashurisë”. (Bukuresht, 10 janar 2021)

MOTRËS SIME

U shtrua qetësia

Në terrin e pagjumësisë.

Shqetsimet e hënës

Degdisen gjithandej.

Rrezet e zjarrta

Përplasen në dritare

Shtjellojnë kujtime

Për kohët e shkuara.

Kopitat e kuajve

E çajnë terrin e natës.

Dridhje të çuditshme

Të hijes së pemëve

Të zhysin në thellësitë

E viteve të larguara.

Zëri i megafonave

Se u ndave prej nesh

Më obligoi të të përkujtoj

Dhe për ty të vajtoj…

BABAIT TIM

Rrudha përulëse në ballë

Nën sy shenja ngjyrë plumbi

Plane ardhmërie gjithnjë e më pak

Dhe ëndërron kujtime e kujtime.

Kujtime të brishta nga fëmijëria

Fort shumë shenja për pyetje

Mendime të gulçuara dhe pluhuri

I yjeve që po bien nga qielli...

Mbështetesh me krahë në tryezë

Me kokën në krahëror gjithnjë

Më dramatikisht e kupton vallen

E përfundimit të papërcaktuar…

AUTOBIOGRAFI

Kur isha i vogël

Ëndërroja se mund të fluturoja.

Flatrat m’u rritën më vonë

Dhe ndjehesha i rëndë

Dhe plak porsi Hëna.

Porsi një fije dëbore

E pashkrirë mbi tokë.

Dhe si një flutur e palindur

U ngjita në qiell

Duke menduar se jam engjëll...

KËNGË DASHURIE

Laura, lar, pastaj lar përsëri

Ar, uri dhe dafinë që bulon

Në dhimbjen e ëmbël

Të një diamanti të lulëzuar

Dëshmi e dashurië

Për puthje të ëmbla

Në shekullin e pandemisë.

I porosita krejt yjet të shndrisin

Të shkëlqejnë

Për atë të shkruaj për dashuri

Thuajse bota do të stolisej në kreshtë

Me kurorë dafinash - nuse

Pastaj lar përsëri.

Shpella e diamanteve

Është dhurata

Më e bukur e dashurisë

Që lulëzon në parajsën

E jetës sonë…

LIQENJTË E QIELLIT

Etja trokiti në portën e gjumit

Shpatullat e mia ëndërronin

Pëshpëritjet e gishtërinjve tu

Mbi të cilat e ndjeja

Brishtësinë e buzëve tua

Në veshët e kohës pëshpërita

Se kam etje për dashuri

Për miqësi të çiditshme

Për njohuri universale

Për rrugën e shtegtimeve

Drejt kohës së ndaluar

Hëna depërtoi nëpër dritare

E mbuloi etjen me heshtje

U shtri në shtrat

Dhe së bashku u nisëm

Drejt liqenit të qiellit…

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat