Kur historia shkruhet nga ata që kanë bërë histori

Libra

Kur historia shkruhet nga ata që kanë bërë histori

Nga: Visar ZHITI Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 11:31
Foto e kopertinës së librit

Besojmë dhe themi që Atdheu është si një familje e madhe, po kështu ka dhe familje të mëdha që janë si atdheu. Që mbartin fatin e tij, nga drama e përjetësisë së tij, që marrin dhe japin nga identiteti i përbashkët nëpër kohëra, nga himni dhe ajo hijeshi ideale, e patjetërsueshme. Familja dhe Atdheu bëhen njësh me jetët e tyre dhe punën, me përjekjet dhe paqen dhe më shumë me luftën dhe vdekjet, me fitoret e vështira dhe ato humbje që farkëtuan bashkë me qëndresën dhe ndërgjegjen kolektive, gjithë antropologjinë, ngjarjet, karakteret, vetë lavdinë e kombit duke paraprirë ardhmërinë, e cila bëhet e tashme, duke shtuar përvojën dhe pasi ikën e shumta si çdo e shkuar, lë dhe histori dhe mbetet si truall. Por dhe si frymë. Si legjendë. Antike dhe moderne.

Familja e madhe Cakrani është një histori e gjallë e Shqipërisë së pavarur, tashmë dhe e shkruar mrekullisht, që përfshin dy shekujt e fundit, kapërcimin e shekullit XIX bashkë me robërinë e gjatë dhe të rëndë otomane dhe zë të gjithë shekullin XX, me pavarësinë dhe konfliktet ballkanike me armë, Luftën e Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës si pavarësi e dytë e Shqipërisë, pushtimin fashist dhe Luftën e Dytë Botërore, fitimtarët dhe vendosjen e diktaturës së tyre, më të egrën në vendin më të vogël në të gjithë perandorinë komuniste dhe ikjet prej saj.

Familja Cakrani është kështu dhe një rrënjë e futur thellë, që përshkon nëpër Perandorinë Otomane dhe përhumb në atë Bizantine. Si e tillë, kjo familje e njohur feudale ka patur dhe fatin e rrënjës, e mbetur nëntokë, ushqimdhënëse, por dhe me trungje të prera përsipër, në harresën e re vrastare. Por siç arriti ta parashikonte dhe njëri nga personazhet e shumtë të këtij libri memoaristik, politikani dhe shkrimtari i ikur Ernest Koliqi në dramën e tij “Rrajët lëvizin”, do të vinte dhe koha e një kujtese tjetër, e një ringjalljeje shpirtërore, ku bashkë me vlerat dhe virtytet do të çrroposeshin dhe emrat e atyre që punuan “për Shqipëri”, duke shkrirë jo vetëm pasuritë, por edhe jetët, duke vënë në shërbim nderin dhe fatin.

LIBRI I KUJTESËS

Pas librit befasues dhe i një rëndësie të shumfishtë, “Kujtimet e një firmëtari”, nga Hajredin Bej Cakrani, ndërkaq dhe dokumet historik, që mungonte për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, madje dhe i vlerave gjuhësore në rrëfimin shqip në toskërisht dhe pa mbaruar habia mbi këtë zbulim, ja, tani del dhe libri i të birit, Kadri Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime”, që përfshin vazhdimin, jetën e tij e të familjes dhe të Atdheut, të ndërthurura bashkë si një e tërë. Ashtu siç i mori detyrat dhe përgjegjësitë atje ku e la i ati, me ndjesitë e një misioni të lartë, me përkushtimin e birit, pasi bëri luftëtarin e atdheut, me karakterin dhe mendësitë tipike ballkanike, por sidomos ato shqiptare, ku përzihen virtyti dhe veset, pasi iku në mërgimin e detyruar, në Perëndimin e kulturuar, në fund bëri dhe një akt, nga ato prej europiani, perëndimori, la kujtimet, që i quan të vërtetat e tij, por që po aq, janë të vërtetat e shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë. “Shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak”, - thoshte Dora D”Istria, shkimtarja me origjinë shqiptare, ndër gratë më të kulturura në Europë në kohën e saj. Por ja, që pas saj Cakranët e paskëshin thyer këtë çkujdesje atavike, konservatorizëm i padobishëm, jo një, por dy herë, nga ati dhe biri.

dalja e kujtimeve të Kadri Cakranit i ngjan një arkeologjie, që nuk zbulon, si të thuash veç vende, - ngjarjet nisin në vendlindjen e autorit, në Mallakastër, ku kishin domenin, “Republikën Cakrani”, vazhdojnë në Berat, ku kishin dhe aty shtëpi të madhe dhe autori shërbeu si Kryekomandant i Ballit Kombëtar, por dhe në Austri më parë, ku ai u shkollua në Akademinë Ushtarake Tereziane, vazhdimet, lufta dhe ikja e detyruar më në fund, në Itali, ende më larg, në Siri, dhe përtej oqeanit në SHBA, sikur i largohej një të keqeje, por jo kacafytjes me të. Por në këto kujtime zbulohet më e rëndëshimja, zbulohet kohë, sa vetanake, po aq dhe e përbashkët, kohë familjare dhe mbretërore, kohë për të bërë kohën, dhe vjen koha e pushtimit nazi-fashist, e luftës civile, siç e quan autori atë midis partizanëve nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e pinjollëve të familjeve të mëdha, ku ai bën pjesë si themelues dhe prijëtar, mundja e atyre që duhej të fitonin dhe fitorja e atyre që duhej të humbnin, etj, por duhej kohë tjetër që të përmbysej përmbysja, qoftë dhe si një realitet tjetër, dhe autori i këtij libri e shpalos si një realitet moral. Libri është i të vërtetave të Kadri Cakranit, rrëfim dhe qortime, për të tjerët dhe i asaj që i përkiste, por dhe ndaj vetes, që duhej të kishin bërë më shumë, por dhe ndryshe, i bindur në rrugën e tij dhe në drejtësinë e saj, me një sinqeritet të ashpër, ushtarak siç dhe ishte, që ndërsa zbatonte parimet e Organizatës së tij për një luftë kundër pushtuesit me sa më pak gjakderdhje, vetë shpërthente si hero, me moton dhe dalldinë që vrasësit duhen vrarë dhe s’e lëshoi armën kurrë nga dora, që natyrisht e përdori me pasion. E rëndesishme është që të vërtetat e Kadri Cakranit, më themeloret, shtyjnë disa të vërteta të tjera, që kishin zënë vend me dhunë dhe ishin zyrtarizuar, sipas atij ligjit që historinë e shkruajnë fitimtarët. Diktatura me historianët e saj ribëri një të kaluar ashtu siç do të donte ajo të kishte qenë, mbivendosi një realitet tjetër, por krimi gjithsesi mbeti në thelb… Nga Kadri Cakrani tani na vjen një tjetër realitet i po asaj kohe, i besueshëm mes pabesive, por dhe i natyrshëm, në natyrën e tij, kur po denatyroheshin koha dhe shqiptarët. “Të vërtetat e jetës time” kthehet në të vërtetat e jetës së atdheut. Libri të tërheq dhe si një “roman”, ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe njerëz realë nuk është e rastësishme, por qëllim. Nis me fëmininë në atë familje të madhe, sarajet, lojrat, futbolli, pastaj lojrat e mëdha të njerëzimit, lufta, Ballkani, Europa, bota, kthehet prapë në atdhe, ndarjet, konfliktet, takimet politike në oda burrash dhe sheshet me njerëz, jeta aristokratike, hipodromi, fushat e tenisit që ata kishin dhe ku, në Mallakstrën e atëhershme, shëtitjet me kuaj, me djem dhe vajza, të ardhur dhe nga jashtë vendit, shokët dhe miqtë e tyre. Hajredin Bej Cakrani me të vëllanë, Bekash bej Cakrani, ishin bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit, shpallësit të Pavarësisë, e kishin mbajtur në sarajet e tyre në ato ditë dhe kishin ikur bashkë me qerre nëpër baltën e kohës të themelonin shtetin e ri shqiptar në Vlorë, kur njëri vëlla do të ishte firmëtar dhe tjetri ministër, i cili jo vetëm nuk merrte pagë për punën, por paguante administratën nga arka e shtëpisë së tij. Në vitet e Kongresit historik të Lushnjës, ku ishin pjesëmarrës, krahas halleve, ra nëpër Europë dhe ajo që u quajt “Gripi Spanjoll” dhe “Vëllezërit Cakrani” krijuan fondacionin e parë shqiptar, duke iu gjendur popullit me ndihma dhe mbështetje, veshmbathje dhe barna, duke e kthyer konakun e tyre në spital. Bijtë e familjes Cakrani i ishin përkushtuar dhe dijes, duhet të bëheshin për atdheun ashtu siç ai priste: mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, mjekë, juristë, diplomatë, politikanë, etj, dhe ishin shpërndarë nëpër universitete të famshme, në Vjenë e Paris, Romë, e Berlin, por dhe në Rumani e Poloni e Hungari, etj. dhe, nëse do të duhej, të merrnin armët në dorë sërisht, ishin dhe luftëtarë.

e autorit të këtij libri, Suhade Cakrani, vajza e vetme e Hajredin Beut, që na përshfaqet paksa si një përndritje vetëtime. studionte në Firencen mahnitëse të Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit, etj, të atyre që udhëhoqën Rilindjes Europiane. Po për çfarë studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Por dhe rebelimi. Kadriu do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg ai do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalina e kravata e këpucët që i shkëlqenin. Duke ndjekur rrjedhën e kujtimeve të “Princit”, siç i pëlqente ta quanin Kadri Cakranin, zbulojmë më shumë Ballkan, absurd, ku fitorja është dhe humbje dhe i munduri mund te jete firimtari, dhe, “kur monarkitë ktheheshin në republikë, Republika e Shqipërisë bëhet monarki, - thotë autori me një buzagaz të hidhur dhe përshkruan një Shqipëri kaotike, “ku atentatet u bënë si moda sot”. Mes saj është dhe ai. Protagonist. Jeta bashkohet me historinë. Konfliktet botërore mbërrijnë dhe në Mallakastër. Njësitet partizane, - tregon autori,- shpesh bënin punën e bandave dhe merrnin po përgjigje të tilla. Me armë. I biri i Shehut - partizan, i biri i Hajredin beut - ballist. Ndarje që u thellua gjithnjë e më tepër në fshat, në krahinë, në qytete, në Shqipëri. Dhe në botë. Berlini ishte ndarë më dysh, me mur në mes. Marrëveshja e shqiptarëve në Mukje u tradhtua nga komunistët. Nacionalistët nuk donin vëllavrasjen, siç e quanin hapur autori. Po ajo erdhi dhe e deshi udhëheqja e komunistëve, me saktë Enveri që ishte nën tutelën e jugosllavëve, dy misionarë të së cilës ishin në shtabin e lartë si mbështetës a këshilltarë, por në fakt ata drejtonin dhe qëllim ishte marrja e pushtetit nga ana e tyre në një Shqipëri pa Kosovën, të cilat pushtuesi i kishte bashkuar. Pas lufte plani ishte që dhe Shqipëria e gjithë të bëhej një nga republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa nacionalistët, Balli Kombëtar, në organizatën plulariste të cilëve lider ishin bijtë e Frashërllinjve dhe të familjeve të tjera të mëdha, pra dhe të Cakrajve, dhe profesorë - patriotë të sprovuar, qëllim ishte Shqipëria, mëvetësia e saj e humbur, prosperiteti demokratik si në botën Perëndimore, duke u shtuar kështu dhe çështja tjetër, aq shumë kritike dhe shqetësuese, jo Shqipëri komuniste. Lufta midis dy të vërtetave ashtu si mes dy të drejtave bëhet gjithnjë e më e ashpër ashtu siç dhe janë luftrat civile.

PATJETËR DHE LETËRSI

“Të vërtetat e luftës sime” në arritjet më të mira është shkruar dhe si letërsi dhe patjetër nëpër faqet e tij do të gjenim dhe biseda tërheqëse për letërsinë dhe artet. Duke qenë kohë lufte, ato ndjehen dhe janë pjesë e qëndresës dhe e mbrojtjes. Në fillim ndeshim se ç’thonë mes tyre etërit Cakrani, kur njëri vëlla mbështeste filozofinë e Samiut dhe tjetri poezinë e Naimit, por nuk bëhet shteti me poezi, ia kthente njëri, po bëhet ndërgjegjia, ngulmonte tjetri. Pra duket sikur po kërkohet një strategji veprimi si strategjitë në luftë. Ndërsa bijtë, Kadri Cakrani, ushtarak profesionist, do të debatonte për letërsinë europiane me profesor Abaz Ermenjin, i pari fliste për superioritetin e letërsisë gjermane e i dyti për atë franceze, jo pa tension. etj, etj. Edhe tek biseda e tyre duket sikur po kërkohet aleati më i fortë dhe kjo nis nga kultura. Por atë që s’e prishi dot lufta, do ta shkatërronte diktatura e fitimtarëve pas luftës. Dhe në mërgimin e autorit në SHBA, ka përsëri përsiatje për letërsinë, aty nga faqet e fundit të librit, kujton Borhertin, Heminguejin, Remarkun dhe Bël-in që e ai i pëlqen, por letërsia shqipe sot nuk lexohet dot, thotë, e ka fjalën për Realizmin Socialist, por çuditërisht ka pikasur një libër ndryshe, që jep shpresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Si ushtarak e ka tërhequr dhe tema dhe fundi, i ngjashëm me veprën e tyre. Si ideolog ai te letërsia sheh gjendjen shpirtërore të një populli dhe shpresën për të ardhmen, nëse do të ketë…

VAZHDIME ME VEPRA

Por le t’u kthehemi çështjeve të luftës, që zotërojnë librin. Me Kadri Cakranin bindemi gjithnjë e më shumë se komunistët kërkonin të arrinin qëllimin me çdo çmim, idealin e tyre, qoftë dhe me terror, me vrasje, pabesi dhe ndaj të vetëve, deri dhe bashkëpunim me pushtuesin, gjë që dihej fare pak ose aspak dhe fshihej nga historiografia zyrtare, kur trumbetohej e kundërta. Ndërsa Ballit Kombëtar, na tregon Kadri Cakrani, duket se i interesonte njeriu, jeta dhe fati i çdo njeriu, qoftë dhe i huaj ky, të cilët së bashku përbëjnë Atdheun. Janë të shkëlqyera aktet e humanizmit dhe të guximit të madh që na tregon Kadri Cakrani. Hebrenjtë e Beratit, rreth 450 familje, te vjetra dhe të reja, të sapo ardhura nga përndjekja në shtetet përreth, do të shpëtoheshin nën kujdesin e tij, duke u dhënë të gjithëve pasaporta shqiptare, nëpër Mallkastër, në tokat e tyre, tani nën kujdesin e xhaxhait, Bektashit. Letërkëmbimi midis tyre tashmë është në muzeumet e Holokaustit në Izrael. Akti human më i madh në Ballkan. Frika ishte se partizanët mund ta dekonspironin këtë aksion tek gjermanët, për të krijuar terror e panik e ta shfrytëzonin për fitoren e tyre. Me qeverinë e Mustafa Krujës u bë ajo që nuk ishte bërë dot në vende më të mëdha, më të fuqishme e më të kulturuar, mbrojtja e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjërin te nazi-fashistët dhe në fund të luftës në Shqipëri, “në atdheun e dytë të hebrenjve” kishte dyfishin e tyre. Kadri Cakranit, por sidomos të birit të Bektash beut, Kujtim Cakranit, ashtu si gjithë popullit iu hap dhe një punë tjetër e vështirë, shpëtimi i mijra ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, se ata kërcënoheshin nga pushtuesi gjerman si dezertorë dhe nga partizanët si pushtues, pavarësisht se një pjesë e tyre më pas, me urdhër nga aleatët, u hodh të luftonte bashkë me partizanët. Shqipëria bëri atë që s’e kishte bërë kush në botë, ushtrisë që kishte ardhur si pushtuese, pasi u mund, ushtarëve të braktisur të saj u dha bukë dhe strehë, mbi 25 mijë bij dhe i përcolli si vëllezër. Është biblike që armiqtë t’i kthesh në vëllezër.

Përsëri Kadri Cakrani, nga Kryekomandant i Ballit Kombëtar, do ta gjejmë në aksione humanitare, në shpëtimin e infermiereve amerikane, aeroplani me të cilin fluturonin, gabimisht ra në Shqipëri në zonat e luftës, ku partizanët, duke mos pyetur për jetët e tyre, donin t’i përdornin si propagandë, si zbarkim të aletarëve, na thotë Kadri Cakrani. Tjetër, lirimi i disa ushtarëve gjermanë, të kapur rob nga partizanët në Berat, kur ata, ushtarët gjermanë, nuk e dinin se partizanët do ta shkelnin marrëveshjen që kishin bërë me ta. Komanda gjermane menjëherë mori 140 pengje, shqiptarë të pafajshëm, që do t’i pushkatonte, nëse nuk ktheheshin në repart dy robërit gjermanë. Partizanët e donin masakrën, se kështu shtohej urrejtja kundër gjermanëve, por Kadri Cakrani shkoi në zonat e tyre dhe i liroi robërit gjermanë, që të shpëtonte jetët e 140 njerëzve, bashkëqytetarë të tij. Bashkë me tensionin rritet dhe mrekullia e librit. Fshehja e Kodikëve të Beratit, mijëvjeçarë, bizantinë, sidomos atë të purpurtin, që e kërkonin gjermanët dhe, po të mos ua dorëzonin, do të pushkatoheshin priftërinjtë tanë ortodoksë, sa të ishin aty. Përsëri Kadri Cakrani është në vorbull, për të gjetur zgjidhjen, teksa përkthen gjermanët e ardhur nga Tirana për këte çështje. Duheshin ruajtur priftërinjtë nga pushkatimi, por dhe kodikët patjetër dhe kush kallzonte, “do ta pushkatoj unë” – kërcënonte Kadri Cakrani si përherë. Dhe ai propozoi benë e rreme te gjermanët, pasi priftërinjtë i ishin lutur ikonës së Shën Mërisë që t’i falte për atë që do të bënin.

Libri është plot me ngjarje e kundërngjarje, zbulime dhe kundërzbulime, aleanca të fshehta e kritike, rreziqe dhe humnera, natë dhe luftë, vrasje dhe sherre kombëtare që do të zgjidheshin si do të mund të zgjidhej bota e të vendoste për Shqipërinë, etj, etj, teksa dhe çështje befas hapte të tjera e më të mëdha si rrathët e ujit, kur hidhet një gur mbi një pellg. Ato rrathë shkonin dhe më përtej vendit, në Beograd e Athinë, Londër e Moskë, e Uashington dhe s’ishin prej uji, por shpesh rrathë gjaku. Akuzat e kudërakuzat tashmë nuk kishin të sosur, krahu i partizanëve kishte mjeshtra të propagandës, gjithmonë në rritje, akuzohej Balli Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin, si organizatë tradhtarësh, teksa gjermanët po arrestonin dhe internonin nga radhët e Ballit, sipas Kadri Cakranit, psh, internohet poeti Kudret Kokoshi, më pas i burgosur i komunistëve etj.

Balli Kombëtar, kur po dukej absurde në atë realitet të çmendur, po arrinte fitore humane e morale, duke pranuar që t’i binin mbi shpinë dhe akuzat. Ndërkaq terrori po u jepte sukses partizanëve. Që ata po e përdornin më së miri, nuk e thotë vetëm Kadri Cakrani me dëshmitë e tij, por dhe të tjerë, madje dhe nga radhët e partizanëve, p.sh, i ikuri i tyre, Xhelal Staraveska, ushtarak i lartë, por dhe teoricieni po i tyre, që kishte studiuar në Moskë, poeti Sejfulla Malëshova, ua tha në një nga konferencat që Partia Komuniste, po shndërrohej në një bandë me terroristë. Kadri Cakrani i mëshon ngulmimit që vrasësit e Shqipërisë duheshin vrarë, qofshin këta dhe shqiptarë. Lufta ka ligjet e saj, ajo nuk fitohet me falje atyre që nuk të falin. Gjermanët po mundeshin si kundërshtarë dhe po fitonin kundërshtarët e tjerë, komunistët, sipas Kadri Cakranit, dhe ajo që po humbte vërtet, ishte Shqipëria. Kadri Cakrani me gjithë krerët e Ballit Kombëtar, Legalistëve, kolaboracionistëve, etj, ikin. Humbën betejën, por jo luftën, sipas Mit’hat Frashërit. Dhe do ta vazhdonin nga jashtë “Për Shqipërinë”.

Terrori i fitimtarëve do të ishte më i keq dhe më i madh se i pushtuesve. Xhaxhain e Kadri Cakranit, Bektash bej Cakrani, ai që e kishte rritur, ministri i parë i financave në shtetin e ri shqiptar, do ta pushkatonin. Skena është heroike nga ana e të pushkatuarve, kurse nga ana e atyre që pushkatonin, kishte grotesk. Ata bënin provat e pushkatimit se pritej një i madh që do të asistonte, do të vinte ai, tashmë i lartë në pozitë, që Kadri Cakrani donte ta vriste, por nuk e kishte lënë xhaxhai, që po pushkatohej tani prej tij.

Në Shqipëri, në mes të qytetit të Fierit, varin një vëlla të Kadri Cakranit, dy të tjerë i burgosin, ndërsa e motra e tyre, ajo e Arteve të Bukura, Suhadja e bukur, vdes në moshë të re, e tmerruar në çmendinë. Si një metaforë e rinisë së asaj kohe. Një metaforë tjetër e rëndë në libër është dhe ajo me kafkën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që mendohej se ishte në një varr të fshehtë në një Kishë të vogël në Lezhë, por duke mos treguar përkujdesjen e duhur shteti i ri, duke bërë të kundërtën, dukej se kështu do të humbte dhe ajo traditë e lashtë, zakonet, lavdia historike e shqiptarëve, etj, etj.

Edhe në SHBA, në një mledhje të OKB, ku vinte të merrte pjesë nga Tirana dhe ai, armiku i tyre, Kadri Cakrani po e priste në një rrugë të Nju Jorkut, përballë hotelit t’i bënte atentat me sanjper. Prandaj dhe në libër, në fund, gjejmë dhe skena si të filmave hollivudianë, kur Kadri Cakrani ndjek me çifte veturën e atyre që kishin qendruar dyshueshëm para restorantit së tij, që duhej të ishin vënë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Libri mbyllet ashtu siç fillon, si me një ironi, me ndeshje fotbolli. A thua ashtu janë përpjekjet e gjithë kësaj jete, një lojë?

E rëndësishme në Kujtimet e Kadri Cakranit nuk janë ngjarjet, por lënda, koha që sjell dhe të vërtetat e tij përballë të vërtetave të të tjerëve, të vetë historisë zyrtare. Kjo përballje e re, dikur me armë dhe tani me libra, ndihmon kujtesën kombëtare, krijimin e një të vërtete të përbashkët, se asnjëra më vete nuk mund të jetë absolute, por nga këndvështrimet arrijmë në përfundimin se të gjithë u përpoqën për Shqipërinë, sipas asaj që besonin dhe interesave vetiake, me strategjinë dhe taktikat që njihnin apo iu imponuan. Cilët ishin në anën e duhur të historisë? Po ne ende nuk kemi një histori të përbashkët, me ngjarje dhe heronj të pranuar nga të gjithë. U dukën se ishin fitimtarët, por kur morën pushtet, ata u bënë antihistorikë të tmerrshëm. Të mundurit? Koha duket se u dha të drejtë tani që s’janë. Që nuk do të dihej si do të ishin po të kishin marrë pushtet. Por mjaftojnë idetë, vizioni, madje dhe humbja. Më mirë të humbësh në kohën që duhet, se sa të fitosh, kur nuk duhet. Janë më të rënda për një popull fitoret e dëmshme. E cilët ishin kolaboracionistë më të rrezikshëm për vendit, ata të kohës së luftës nën pushtim perëndimor apo ata të kohës së paqes me Bllokun e Lindjes? Cakrani, vetëkuptohet, është kundër të dytëve dhe i luftoi. Po jo vetëm ai. Ndërkaq po shtohen ata që mendojnë ashtu. Nëse nuk është arritur të përcaktohet se cila ishte më mira që do të duhej për atëhere, të jemi në gjendje të gjejmë se ç’ishte më e keqja, që nuk do të duhej. Të paktën të na bashkonte kjo.

e librit të Kadri Cakranit në këtë çështje është e jashtazakonshme. Dhe e dashurisë pa kushte për atdheun.

EPILOG I VOGËL (jashtë këtij libri)

…tashmë, që nga viti 2000, është ringritur Fondacioni “Vëllezërit Cakrani” dhe dy librat me memoaristikë, “Kujtimet e një firmëtari” dhe “Të vërtetat e luftës time” të shkruara nga ati, Hajredin Cakrani dhe biri, Kadri Cakrani, të një rëndie të veçantë, thesar mes veprave të Kujtesës Kombëtare, na vijnë për herë të parë si zbulime falë pasardhësit të tyre, avokat Kujtim Cakranit. Puna e tij, pasioni, këmbëngulja, guximi i trashëguar janë si një ringjallje, jo vetëm e Familjes së tij të Madhe.

Ai është i angazhuar edhe profesionalisht në zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë dhe moralisht, edhe pse ka munguar një Gjyq shqiptar i Nurenbergut. Së fundmi ai ka marrë një nismë të vaçantë, do të thosha të mrekullueshme, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ku një nga firmëtarët ësht:e dhe stërgjyshi i tij. Shqetësimi i tij e tejkalon atë familjar, është shqetësim për gjithë Familjen e Atdheut. Sipas avokat Kujtim Cakranit ai dokumet është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944 ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelsat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh, xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë, edhe pse e pa shpallur kështu, Dokumentin e Pavarësisë tonë. Akt i lartë, madhështor, vazhdim i udhës së të parëve të tij. Megjithëse ai dokument është në gjakun e shqiptarëve, në ajrin e atdheut, madje është dhe monument prej bronzi në kryeqytet me firmat si shtigje të ndërprera, por që i bashkon bëma e madhe, historike. Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të të pavaruar aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh.

Këtë kërkon të çertifikojë avokati ynë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat