Fragment na romani ''PESHA E GJAKUT''

Libra

Fragment na romani ''PESHA E GJAKUT''

Nga: Mehmet Rrema-Itali Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 18:50
Mehmet Rrema

Askush nuk e besonte, medje, nëpër fshat nisën të qarkullojnë fjalë. “Petrit Zhuraku ka vrarë Kreshnikun dhe ka plagosur Enverin”. Nuk e besonte kush, por fjala është si pika e ujit që bie gjithmonë në të njëjtën vend dhe gurin që është gur e bën gropë. Kështu edhe fjala se Petriti paska vrarë e paska plagosur, nis e bëhet e vërtetë. Bëhet sepse gojët e njerëzve, herë duke shprehur mosbesim, e herë habi dhe herë dyshim, nisin të përforcojnë bindjen se mund të kishte ndodhur vërtetë që Petrit Zhuraku të kishte vrarë Kreshnik Sokolin. Nuk gjenin asnjë arsye që mund ta kishte shtyrë ta bënte njëvrasje kaq të madhe, por kur e thonë ata, edhe mund të ishte e vërtetë. Nëse e ka bërë, sigurisht që nuk ka pasur asnjë hall, përveçse të ketë luajtur mendsh. Me që fjala kishte ardhur nga prokuroria, dhe thuhej se kjo fjalë paska dalë nga një burim tepër i sigurt, madje dikush edhe thoshte se për këtë kishte dëgjuar vetë shefin e policisë që e kishte thënë. Një ditë ai pra, njeriu që e kishte dëgjuar, ishte gjendur në korridorin e policis, për punë të tij dhe kishte dëgjuar vetë shefin, që i kërcënohej Petritit dhe i kërkonte të tregonte ku kishte hedhur armën e krimit. –Trego, ku e ke hedhur armën dhe çfarë të shtyu të vrasësh Krshnikun, nëse nuk do të dënojmë me vdekje, kishte thënë Petritit. Ai paska ulur kokën dhe nuk e paska hapur gojën më sa e flet muri. Nuk paska thënë një gjysmë fjale.

-Paskan vendosur ta marrin në qafë hallemadhin, tha Uka kur ia treguan këtë fjalë. Nëse ai e ka vrarë, unë do t’ja fal gjakun, por nëse ata e dënojnë kot... Asnjë nuk e zë besë kët fjalë, por nuk dimë se çfarë interesi ka policia ta përhapë, thanë ca të pranishëm aty.

-Është punë e hollë, kjo, tha Dini. E kanë ujdisur me kujdes, por nuk i kanë bërë mirë hesapet. -Atij atje nuk kanë çfarë i bëjnë, tha Uka, por kam merakun e fëmjëve të tij. Ndonjë dorë e ligë mund t’i dëmtoi fëmijët dhe të kërkojnë të më ngatërrojnë mua. Eee, burra, e lodhin shmë mendjen ata për djallëzira.

-Ke qenë gjithmonë i kthjelltë, Ukë , e kështu je. Kjo nuk më kishte shkuar në mendje, tha Hasani. Kjo do të jetë arsyeja që ata atje e dredhin dhe e stërhollonë kaq shumë, kur mirefilli e di kushdo se fajtori është i lirë dhe i pafajshmi ndodhet në pranga. Ata qëllimisht i përhapkan këto llafe. -Ee burra, hile e madhe luhet në ditët e sotme. Iku ajo kohë kur gjaksi të dilte përballë. Ose të kërkonte të falur dhe të jepte arsye, ose të thoshte mos të humbisje rrugën dhe shpirtin. -Duhet bërë diçka sa nuk është vonë, tha Beqo. E bëra është e thjeshtë, t’u presim rrugën këtyre gojëligëve që duan të mbjellin sherr. -Si mendon ti, Ukë ? -Po, po, do të gjejmë një rrugëdalje nga kjo tollovi që duan të na fusin. Më thirrni të gjithë djemtë dhe Lulen. Nuk do të mund të fusin Ukë Sokolin në çark ata këlysh.

-Hajde këtu, ti Lule. Ai i bëri shenjë Lules që të afrohej në krye të vendit afër ti, vend që do t’i kishte takuar Dashit. Ajo ngurroi. Nuk donte të ulej në vendin që nuk i takonte. -Jo, baba, jam mirë këtu, të vijë...Jo, jo, sonte do të ulesh ti.

Pasi kishin zënë vend të gjithë, i pari foli Uka, duke iu drejtuar vëllait të Enver Pashës. -Ajo që na zuri qe e rëndë. Duhet të dimë ta kalojmë. Vëllanë tënd nuk e ka plagosur Petrit Zhuraku dhe as djalin tim nuk e ka vrarë.

-E di dhe nuk kam asnjë dyshim, u përgjigj tjetri.

-Atëherë kur të gjithë e dimë se ai nuk na ka borxh, ne duhet ta mbrojmë familjen e tij. E kemi bashkëfashatar dhe e kemi për detyrë.

-Fjalë me vend, Ukë Sokoli. Faqen e bardhë, tha Beqo.

-Unë e kërkoj hakun vetëm tek Hazbi Zhuraku, edhe pse e di mirë se koka e tij nuk vlen por...

- Uka u mendua. Më jep një cigare i tha Aliut. Dua nga ai yti se e ke të fortë dhe dua të helmoj mushkëritë sot. E ndezi dhe e thithi fort. E mbajti gjatë tymin në mushkëri, pastaj e nxori si një shtëllugë të madhe. U lëshoi një vështrim të gjithë të pranishmëve, duke u ndalur tek secili, sikur kërkonte mendimin dhe ai mendim do të ishte përfundimtari, do të ishte mendimi që do të zgjidhte gjithë nyjen e trashë që ishte lidhur e ashtu të lidhur mbante gjithë fshatin e zonën. U mendua edhe një herë dhe pastaj pasi e thithi edhe një herë fort cigaren. Mirë e ka Dini, dhe unë ashtu mendoj, tha pasi pushoi. Nuk kërkoj asnjë tjetër përveç kokës së Hazbiut. Me që ai është nga ata që ku mbillet, nuk korret, do t’i çojmë fjalë Zyberit. Mendoj t’i themi se për gjashtë muaj je i lirë ti me gjithë dy djemtë tjerë. Nëse deri atëherë, nuk kemi arritur ta gjejmë atëherë do të marrëm hak tek çdo mashkulli i shtëpisë. Gratë dhe fëmijtë nën tetëmbëdhjetë vjeç unë nuk i prek. Kështu asnjëri s’mund të vërë dorë mbi fëmijët e Petrit Zhurakut apo të zhurakëve të tjerë. Ua presim rrugën. S’mud të akuzojnë për asgjë Ukë Sokolin dhe Dik Pashën. Si thua ti Lule? Ajo u skuq. I vinte turp që ishte ulur aty, por fjala e Ukës nuk mund të bëhej dysh. Asaj nuk i kishte ndodhur ndonjëherë të ulej me burra dhe ta pyesnin si të ishte një burrë i moshuar.

Lagjja e zhurakëve kishte marrë një pamje të trishtuar. Edhe ata që binin brezi i tretë apo i katërt me familjen e Zyberit, e dinin edhe se Ukë Sokoli dhe Dik Pasha nuk kërkonin tjetër përveç Hazbiut, lëviznin si të mpirë. Nuk donin t’u dilnin para syve asnjërit nga fisi i Sokolmartinajt. U vinte rëndë dhe ulnin kokën të turpëruar. Goni me shokët e ti ishin zhdukur dhe nuk dilnin më në fshat. Ndoshta ishte frika, e ndoshta edhe një farë turpi. Kishte ndodhur ajo që nuk e kishte menduar askush. Në fytrat e tyre kishte zënë vend një trishtim. Ngjarja që kishte ndodhur, ashtu si një tërmet i fuqishëm, që në ata anë nuk e mbante mend kush të kishte rënë, i kishte vrarë në shpirt të gjithë. Më shumë u vinte keq për Kreshnikun se mendonin për pasojat. E dinin se shpejt a vonë, Hazbi Zhuraku do të vritej, por thoshin më mirë t’i kishte ardhur nga një tjetër dorë, e jo nga dora e Sokolmartinajve. Do të kishin qenë të kënaqur, ta kishte hequr qafe dikush tjetër pasi ai e kishte merituar prej kohësh plumbin. Pse të mbetet në dorën e bukëdhenësve?, thoshin ata dhe prap ktheheshin në fillim të bisedës. Kishte edhe nga ata që mendoni se nuk kishte për të mjaftuar vetëm koka e tij. Kjo i shtynte që edhe të shfaqnin keqardhje për atë që do të duhej të paguante për Hazbiun. Megjithëse fis me Zyberin, disa si Drizi, Limani dhe Bedriu, nuk e kishin vënë këmbën në pragun e tij qëkur kishte ndodhur ajo ngjarje. Nuk kishin ardhur për ta pyetur si kishte ndodhur kjo apo për t’i dhenë kurajo, apo edhe vetëm një mendim. Shtëpia e Zyberit ndodhej në fund të lagjes. Xhadeja i kalon vetëm dhjetë metra nga dera e shtëpisë e megjthatë ajo nuk kishte pasur asnjë efekt pozitivë në mirëqenien e kësaj familjeje. Nëse dikush do të vinte për vizitë, mund ta fuste makinën deri tek dera pa hasur asnjë pengesë. Ishte e vetmja familje që nuk kishte bërë një rrethim sado të thjeshtë të shtëpisë. Mungesa e një rrethimi në oborrin e Zyberit shpesh ishte bërë edhe objekt i bisedave të bashkëfshatarëve të tij. Ndonjëri që duhej të bënte ndonjë rregullim, thoshte -më duhet të rregulloj avllinëse më ka mbetur si oborri i Zyberit-. Në oborr kishte dy kumbulla që kishin filluar të binin për tokë e me që askush nuk kujdesej t’i mblidhte, ishin bërë objekt i pulave të detit të Fetiut të cilat pjesën më të madhe të kohës qendronin aty. Ndonjëri me shaka i thoshte Zyberit “Paske vënë një tufë pula, o Zybo”. Ai nuk përgjigjej, vetëm tundëte kokën si për të thënëse e kuptonte shakanë e tij, por nuk donte ta zgjaste sepse do të vinte dita, ku edhe ai të ishte i pasur e ndoshta më i pasuri i fshatit. Dy fiq që ishin të mbushur më shumë me degë të thata se të njoma, ishin në fund të oborrit. Edhe ndonjë kokërr që kishin mundur të lidhnin, kishte nisur të vyshkej. Fiqtë ishin aty ku fillonte një arë e mbjellë me misër dhe fasule që kacavirrej nëpër misra. Në këtë arë ku ishte edhe e vetmja shpresë e kësaj familjeje, misëri ishte i mbarë. Ishte e vetmja gjë që e ngushëllonte këtë familje të përbërë nga burë e grua, dy djem dhe një vajzë. Ishte edhe Hazbiu, por atij nuk i dihej ku kishte kokën dhe ku kishte këmbët. Përveç kësaj kjo arë shërbente edhe si banjo sepse ajo shtëpi nuk kishte një banjo as brenda e as jashtë. Njerëzit ishin të detyruar të futeshin në misër për hallet e tyre, e kjo ishte bërë shkak që kur kaloje atypari, duhej të zije hundët me dorë nga era e keqe. Këtë erë nuk kishin mundur ta zhduknin edhe pulat që ishin jo më shumë se dhjetë kokë e që ushqeheshin pothuaj tërësisht me atë që njerëzit bënin në misër. Shtëpia brenda përbëhej nga katër dhoma. Ishte njëkatëshe dhe fare e pangritur nga niveli i tokës. Kishte ndodhur dy-tre herë, që i kishte hyrë uji brenda, kur kishte pasur shira të rrëmbyeshëm ngaqë nuk kishte asnjë vijë apo kanal që ta pengonte. Në dhomën që e mbanin për të pritur miq, që rrallë herë dikush trokiste në atë derë, kishte dy divanë të vjetër dhe katër karrige. Një bufe që shërbente për të mbajtur disa filxhanë e gota rakie si dhe dy shishe, njëra përgjysmë me konjak e tjetra kishte fare pak raki në fundin e saj. Një tavolinë e vogël mesi dhe një tjetër që ishte më e madhe e shërbente për të ngrënë. Në dritaren e kësaj dhome ishte një vazo e vogël me një lule, të rritur pak dhe ende nuk kishte çelur lule e ndoshta edhe nuk do të çelte kurrë. Në dritare varej një perde e hollë dhe e vjetëruar. Djemtë, Bashkimi dhe Arjani, kishin kërkuar që të mereshin me rregullimin e shtëpisë, por Hazbiu u kishte premtuar se do të vinte shumë shpejt e të ndërtonte një tjetër shumë më të madhe e të bukur. “Sapo të sistemoj ca gjëra, do të vij bashkë me një shokun tim dhe do të bëj projektin”,premtonte Hazbiu sa herë që vinte në shtëpi, premtonte, duke i lënë ndonjë lek Zyberit dhe kur ikte, u linte një shpresë të gënjeshtër të tjerëve. Për Zyberin ata lekë dhe fjalë që ai linte ishin mburrja dhe gëzimi më i madh. “Do të bëj një kullë të madhe që t’ja kalojë asaj të Ukë Sokolit. Në qoftë se nuk do ta bëj më të bukur, mos më thënçin Hazbi, baba”, i pat thënë një herë, kur qe larguar. Dhe Zyberi dilte në fshat, tek Astriti, pinte dhe gëzohej. Si nën zë thoshte se i biri kishte vendosur të ndërtonte një shtëpi të madhe. Është i zoti, ai do të bëjë emër në këtë fshat, po nuk më pëlqen se nxitohet shumë kur flet. Nuk dua që ta bëjë më të mirë se kullën e Ukës, por ai është i vendosur. Hazbiu ikte, qendronte disa kohë pa u parë në fshat dhe përsëri vinte, por nuk sillte as shokun e as vetë nukn xirrte ndonjë lek që të bënte të besoje se po bën diçka. Rrinte dy-tre ditë, sillej lart e poshtë me Gonin dhe Mirin, zhdukej, vinte prapë e kullën e ndërotonte vetëm me fjalë. Shtëpia e Zyberit gati se po binte poshtë. Tjegullat i ishin thyer dhe, kur binte shi, duhej të vinin ndonjë enë për të mbledhur ujin që binte nga çatia. Derës kryesori i qe këputur një menteshë dhe mezi mbahej në dy të tjerat. Arjani një ditë kishte marrë dhe i kishte gozhduar një copë shollë opinge nga ata të dikurshmet. Kjo e kishte drejtuar disi. Pragu i saj ishte kalbur dhe gati qe thyer. Hazbiu nisi të dukej në fshat me njerëz të panjohur dhe që i quante të rëndësishëm, miq të ngushtë, bosë. Kur vinin ata ajo shtëpi gati e rrëzuar sikur gjallërohej. Ashtu në atë shtëpi gysëm të rrënuar, hanin dhe pinin. Qendronin deri në orët e vona të natës dhe largoheshin pa fjetur pasi nuk kishin ku të shtriheshin. Sa për të ngrënë mendonte vetë Hazbiu. Mish të pjekur, verë e raki, që i sillte me vete. Vetëm drutë dua nga ju, i thoshte Zyberit. Kur ikte linte aty shishet e verës apo birrrës, ca të përgjysmuara e ca të pafilluara, që më pas ishte Zyberi që i sistemonte. Një herë i la të atit treqind dollar për ta “ndihmuar”. Zyberi kënaqej, por edhe një fije e hollë frike i përshkonte tërë qenjen e tij. -Shumë pare të madhe përdor, djalë. Mos bëj ndonjë mbrapshti sepse merr veten dhe ne të tjerët në qafë. -Mos u merakos, di unë si të sillem. Kam miq të fortë e më ndihmojnë, përgjigjej Hazbiu. E ëma e qortonte, e këshillonte dhe i lutej të hiqte dorë nga kjo rrugë. -Nuk është rrugë e mirë, eja edhe ti në shtëpi e bashkë me të tjerët futjuni punës, ia pat thënë disa herë, e Hazbiu si Hazbiu . I kthente në shaka fjalët e saj. -Unë asnjëherë nuk kam bërë gjë, mama. Të tjerët më kanë akuzuar kot se me kanë inat. Kështu kishte thënë gjithmonë ai. Edhe kur e thërritnin në polici, edhe kur e dënonin, dhe kur e qortonin, ai thoshte se e kishin vetëm inat.

-Ai ka merituar të ishte dënuar me kohë. Po të isha unë do ta kisha dënuar e madje, rëndë, tha Arjani. Edhe ju keni faj se jeni sjelluë shumë butë me të. E keni përkëdhelur dhe herë herë ia kini përkrahur veprimin e tij.

-Ndoshta nuk i ka vrarë ai, tha Bashkimi. Unë dyshoj tek ai maskarai, Petriti.

-Kot nuk e kanë rrasur brenda, tha –Zyberi. Është ai që na ka futur në një sherr të madh, por Hazbiu do të dijë se si të veprojë me të. Nuk ka për t’ja falur. Ai ka miq e madje të fortë. Ai zotëria që ishte atë natë, zoti Agron...

-Dhe që e priti me mish të vjedhur, se edhe Goni e Miri një brumë me Hazbiun janë. Vetëm punë të pista bëjnë.

-Djali im nuk është i pistë, tha Zyberi. Është Petriti që do ta njollosë e ta fusë në sherr.

-Nuk është vetëm një, janë dy që duhen larë, baba, apo mos mendo se do të ta falën gjakun. Jo, baba, jo, asnjëri nga ata nuk të alin. Ne, ne, do ta paguajmë me kokën tonë atë që djali yt i mirë ka bërë, u përgjigj Arjani. -Është sherri i Petriti dhe askujt tjetër, por...

-Jo, është vepra e Hazbiut . E di se po t’u mbushet mendja djemve të Ukës vijnë e të djegin në mes të ditës këtu brenda. Ke çfarë t’u bësh atyre? Ja mu, këtu, brenda ta hedhin benzinën dhe të venë flakën. Zyberi këtë radhë u frikësua. Mendoi se vërtetë ata edhe mund të vinin e ta bënin një gjë të tillë. Nisi të dridhej. Një i ftohtë mpirësi ipushtoi krejt qenjen e tij.

-Sidoqoftë, ne nuk mund të rrimë duke qarë, të bëjmë diçka.

-Çfarë, pyeti Arjani.

-Të kërkojmë e të gjejmë Hazbiun ai të bisedoi me miqtë e tij. O sot, o kurrë.

-Çfarë thua se do të bëjnë miqtë e tij, mos mendon se mund të ndalojnë pushkën e Ukë Sokolit? Jo, baba, jo, kurrë nuk kanë për të mundur ta ndalojnë. Nuk ndalet ajo pushkë.

-Nuk e dimë, tha Bashkimi. Nuk ka kërcitur ndonjëherë. Ende nuk ja kemi dëgjuar krismën.

-Ajo që kërcet për herë të parë është më e fortë se të trjerat, se nuk është e lodhur, tha Arjani. Ne nuk njohim pushkën, por bukën e Ukë Sokolit dhe ajo është e madhe. Aty ku buka është e fortë edhe pushka e tillë është.

-Mos u frikëso ti, se ata nuk janë më të fortë se miqtë e Hazbiut . Mua nuk ma do qejfi që të dëmtohen ende ata të Ukës, se nuk na kanë bërë keq, por edhe nëse ka qenë Hazbiu, një hall e ka pasur që ka shtënë, tha Bashkimi.

-Jo, jo, asnjë hall nuk ka pasur. Dhe dije mirë se ata nuk kanë për të pyetur as për Hazbiun e as për miqtë e tij. E vetmja rrugë është të dorëzohet Hazbiu .

-Jooooo, kurrë. Im bir nuk ka faj, por edhe në pastë, po qe ai i lirë, ne jemi më të sigurt. Ata do të kenë frikë të marrën hak. Ne duhet të kërkojmë të gjejmë miqtë e Hazbiut që të bëjnë diçka, tha Zyberi.

-Ai ka miq ca halabakër, hajdutë e kriminelë, që shkojnë në kufirin me Greqinë e presin emigrantë, që kalojnë kufirin të ndjekur nga policia dhe ushtarët grekë, i zhveshin dhe u marrin lekët që ata kanë mundur të fitojnë. Ka raste që edhe i vrasin.

-Pusho, mor budalla, iu hakërrye Zyberi. Kush ta tha ty këtë? I kam dëgjuar një ditë që po bisedonin me Gonin dhe Mirin. I kam dëgjuar me veshët e mi. Me ata lekë vijnë e luajnë bixoz këtu e bëjnë edhe pisllëqe të tjera. Nuk e ke djalë të mirë, baba, jo. Ja ai është djali yt i mirë. Unë nuk jam me ju,ai nuk ka asnjë shpresë. Nuk dua asnjë ndihmë nga ai dhe nuk mbaj asnjë përrgjegjësi për të.

-Djali im nuk ka faj, tha Shukria, që pasi kishte dëgjuar zënkat e tyre, doli nga kuzhina me llërë të përveshura e me brumë, ku po përgatiste të fuste në saç një bukë. Atë e kanë inat se është i shkathtë, por unë edhe shtëpinë e shes e atë në burg, nuk e çoj.

-Këtij i ka hyrë lepuri në bark, mama, tha Bashkimi. Nuk e shikon si është zverdhur nga frika. Ne nuk i kemi borxh askujt. Ata i ka vrarë vetëm Petriti. Po të mos ishte kështu, ata do ta kishin lënë të lirë. Nuk janë budallenj ata të policisë. Edhe Zoti Agron nuk do të zinte mik një hajdut. Është i madh ai. Ai e sjellë botën si të dojë. Ka lekë dhe forcë. Edhe po ta ketë bërë Hazbiu, ai nuk e harron pritjen që ne i bëmë atë natë, do të dijë si ta shpëtojë.

-E priti me mish të vjedhur. E priti me prostituta të sjella nga fundi i botës. Ja kush është miku i mirë i Hazbiut tënd. Ja me çfarë merret ai. I marrin në Rusi dhe i shesin në Itali. Pasurohet bosi dhe Hazbiu vjen e vret vëllezërit e vet. Ja ky është djali yt,tha Arjani. Zyberi e qëlloi me xhezven e kafes që kishte aty pranë. -Të kesh turp që hedh vrer mbi vëllanë tënd. Njëmijë herë ju kam thënëse duhet të jeni të bashkuar në të mirë e në të keq. Bashkimi e pështyu. -Shko e rri me Ukë Sokolin, i tha dhe mori një karrige ta qëllonte në kokë.Kështu siç e ka zënë ky,më mirë ta vrasim ne, baba, se të na marrojë. Edhe Zyberi u bë si i tërbuar dhe u ngrit ta qëllonte përsëri. Në atë çast hyri Besmira. “Po vijnë ca burra”, tha ajo.

-Ik e fshihu në dhomën tënde, ti, frikacak, tha Zyberi, hajde mos na turpëro.

-Jo, unë do të rri këtu. Është e drejta ime të pres dhe të flas.

-Mos guxo të hapësh gojën se ta këpus kokën, tha Bashkimi.

-Ti rri në vendin tënd e unë në timin, iu përgjegj Arjani. Bashkimi dhe Zyberi u vunë të rregullonin pak dhomën që ishte rrëmujë. Asgjë e pastër dhe asgjë nuk ndodhej në vendin e vet. Arjani qendronte pa folur dhe shikonte me inat herë njërin e herë tjetrin. Bashkimi doli në derë për të parë kush ishin. -Nuk më pëlqen ardhja e tyre, iu drejtua Zyberit. Është Beqo...Ali Musa, miku i Ukës dhe Marku. -Këta nuk na sjellin lajm të mirë, bir. Vijnë nga Ukë Sokoli. -Mos u frikësoni trima se është Hazbiu i lirë dhe na mbron ai, tha Arjani me ironi. -Mbylle more ti, i bërtiti Bashkimi dhe shtrëngoi dhëmbët sikur deshi ta hante të gjallë të vëllanë. Qepe e mos guxo të hapësh gojë, i foli Zyberi dhe doli në oborr për të pritu burrat që vinin ngadalë drejt portës së shtëpisë së tij. Ai qendronte mbështetur afër derës së shtëpisë. Ndjeu se gjunjët i qenë rënduar dhe mezi e mbanin. Ata ecnin ngadalë dhe bisedonin me njëri tjetrin. Herë-herë shikonin sa nga shtëpia e tij e sa nga ara me misër. Ai qendronte i mbështetur tërësisht në murin e shtëpisë pranë derë, thua se vetëm aty mund të qendronte në këmbë. E kishte zakon që kur i vinte kush, ai dilte dhe e priste në fund të oborrit, aty ku fillonte toka e tij edhe pse nuk kishte një kufi të caktuar. Këtë radhë diçka e çuditshme e mbante të mbërthyer pas murit. Ndjeu një frikë dhe një parandjenjë sikur dikush do të vinte e ta vriste. Deshi të kthehej e të hynte brenda, por tashmë ata ishin afruar fare pranë. Zyberi dridhej i tëri. Edhe ata e vunë re. Printe Marku, pas tij Aliu, Beqo dhe Halili. Pasi u përshëndetën, hyn brenda. Shukria shpejt u solli kafetë. Kërkoi në bufe të gjente raki, por pa se shishja kishte vetëm pak. Të hyftë dreqi në bark,nuk je i zoti të lësh dy gota raki për një mik, foli me zë të ulët, por që u dëgjua edhe nga të tjerët. Mori shishen konjakut që kishte më shumë dhe mbushi gotat. Gotat ishin të pluhurosura, por ajo nuk u kujtua t’i pastronte. I vuri ashtu siç qenë në tavolinë. Beqo i vuri re, uli kokën dhe nuk foli. Pastaj i bëri një shenjë edhe Aliut. Kjo do të thoshte se nuk mund të viheshin në buzë ato gota. Edhe Zyberi e vuri re këtë, shikoi nga e shoqja që qendronte në këmbë, por ajo ishte e hutuar dhe nuk e kishte mendjen tek gotat mbi tavolinë.

-Na ka dërguar Ukë Sokoli, tha Marku. Zyberi heshti. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Më në fund, pasi u mendua shumë, tha “Mirë se keni ardhur. E gjeti belaja atë burrë”

“Ai kërkon gjakun tek ti”, tha Marku

-Tek unë?

-Siç flitet dhe siç e ka thënë dhe Petriti djali yt është ai që ka vrar, Kreshnik Sokolin dhe ka plagosur Enverin.

-Ka qenë vetë Petriti ai që i ka vrarë e jo Hazbiu, tha Bashkimi. E dini ju se ai është i akuzuar dhe ndodhet në polici? Mos kujtoni ju se ata të mëdhenjt e mbajnë kot atje?

-Petriti nuk i ka vrarë, sidoqoftë po qe se ju keni fakte edhe mund të gjykoheni. Ne kemi ardhur vetëm t’ju sjellim këtë fjalë që Ukë Sokoli na ka thënë. Ai e kërkon gjakun e të birit në derën tënde. Të gjithë zhurakët e tjerë për nuk kanë asnjë borxh, përfshirë këtu edhe Petritin. Për gjashtë muaj ai kërkon kokën e Hazbiut. Po qe se për gjashtë muaj nuk e gjen, atëherë jeni të ngujuar dhe do të përgjigjeni edhe ju të tjerët, ti me gjithë dy djemtë.

-Të nguijar? Zyber Zhuraku nisi të dridhej. Amanëni burra, ne nuk kemi faj. Unë mund t’ju betohem. Mund t’ju laj me sa të doi ai.

-Nuk mund të betohesh Zyber, jo. Nuk ka njeri që të lan. Është dëshmitari, është Petriti, tha Beqo.

-Po, por unë them se vetë Petriti..

-Është Enver Pasha gjallë, tha Aliu.

-Enver, Pasha? Ai as nuk merr e as nuk jep. I ka orët e numëruara. Nuk besoj se shpëton, tha pa e menduar fare se çfarë po thoshte. Ai është në dorë të sigurt, kemi vënë në dispozicion doktorët më të mirë dhe është i ruajtur njëzet e katër orë rresht. Shpresojmë se shumë shpejt do të shërohet e do të kthehet në shtëpi.

-Inshallah, tha Zyberi dhe gjaku i iku nga fytyra. Bashkimi u ngrit dhe doli në dhomën tjetër. Edhe Zyberi pasi qendroi pak ashtu pa folur u ngrit e doli.

-Çfarë thonë, pyeti Shukria, kur ai hyri në kuzhinë.

-Keq, shumë keq. Na e kanë vënë damkën. Nuk kemi shpëtim. Tani kërkojnë kokën e Hazbiut , po nëse nuk e zënë atë, do ta paguajmë ne tre të tjerët. Thonëse Enveri paska për të shpëtuar.

-Si?

-Po. Janë të sigurt për këtë. Paskan vënë edhe njërëz që ta ruajnëse mos...Shukria u mendua. -Burrë, duhet të dorëzohesh ti. Dorëzohu, të shpëtojnë djemtë. Janë të rinj. -Unë? E di ti se ata më vrasin. Unë jam i vjetër, por...Si mund të shkoj vetë e t’u them të më vrasin. Fajin e ka kryer ai.

ne jemi fajtorë. E kemi përkrahur shumë në rrugën e tij të keqe dhe për këtë duhet të paguajmë. -Ti je burrë e duhet të vritesh po të jesh baba i mirë.

-Ka të drejt Arjani.

-Jo, ai duhet të mbrojë vëllanë e vet. Nuk flitet ashtu për vëllanë. Hazbiu është përpjekur për të gjithë ne të tjerët, tha Shukria.

-Është përpjekur dhe na ka sjellë vetëm sherr, tha Zyberi duke u dridhur. Fytyra e tij e zverdhur dukej si e një të vdekuri.

-Mos u frikëso, burrë se një herë vdes njeriu. Kështu të paktën do të shpëtosh djalin tënd.

-Ata duan kokën e tij e jo timen, tha i nxehur Zyberi.

-Shko tani atje, burrë se të presën burrat, thuaj një fjalë. Ndoshta ta pranojnë. Mos u frikëso, hajde se do të lësh një burrëri.

-Jo, jo, unë këtë nuk mundem ta bëj.

-Hajde shko se nuk bën t’i lësh vetëm ata, tha Shukria. Zyberi doli dhe hyri në dhomën ku ishin burrat. “Më thoni o miq, çfarë duhet të bëj”, tha Zyberi sapo hyri.

-Ne sot kemi ardhur vetëm të sjellëm këtë fjalë, Zyber, të tjerat i dini ju. Ne jemi lajmës, tha Marku.

-Pra unë kam leje vetëm gjashtë muaj?

-Po.

-Pastaj quhem i vrarë?

-I vrarë quhesh kur të të vrasin, Zyber, tha Beqo. Pas gjashtë muajsh, nuk ke më besë.

-Pra nuk mund të dal edhe në oborr?

-Ata mund të vrasin ku të zënë o Zyber. Nuk ka kufi as për ty e as për djemtë e tu, tha Marku. Fjalën e sollëm, tani them të shkojmë. Të tjerët, që po prisnin fjalën e tij, u ngritën menjëherë. Gotat me konjak dhe filxhanët me kafe ishin ende të pafilluar. Asnjëri nuk kishte vënë buzën në to. Të paktën pini kafetë, tha Zyberi.

-Na fal, Zyber, por sot na ke sjellë kafe me kripë, por mos u bëj merak për këtë, tha Beqo

-E shushatur plakë, të plaçin sytë! Çfarë ke bërë?, nisi të bërtasë Zyberi. Ata dolën duke e siguruar që nuk ishte asgjë për t’u merakosur ky difekt i vogël. Dielli digjte. Nuk ishte ende mesditë dhe temperatura ishte e padurueshme. Kur dolën në xhade, u ndaluan dhe i hodhën edhe një vështrim asaj shtëpie që kishte marrë të tatëpjetën e pandalshme. -Qenkan të mbaruar, tha Aliu. -Këto janë më të paqenët në tërë fshatin. Vetëm për punë të këqija dhe sherre. Edhe vetë Zyberi që sot dukej si një gjynahqarë, është një djall e gjysmë, tha Halili. E patë se ende mbante shpresë se do të vdiste Enveri, e kështu një dëshmitar më pak. Kërkojnë t’ja lënë fajin Petritit. Dhe nuk është çudi që edhe policia të fajsojë Petritin. Ata mbrojnë më shumë keqbërësit se njerëzite mirë, tha Aliu.

-Ke të drejt, Ali. Përderisa ai ende nuk mund të vërtetojë asgjë, ata do të përdorin të gjitha rrugët për ta shpëtuar Hazbi Zhurakun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat