Modelja britanike Katie Price ka shfaqur fytyrën e mavijosur dhe të gjakosur pas një ndërhyrjeje të re kirurgjikale në hundë, ndërsa ka zbuluar se mjekët po vazhdojnë hetimet për humbjen e pashpjegueshme të peshës së saj.
48-vjeçarja, e cila më herët gjatë kësaj jave kishte publikuar pamje të fashave pas operacionit, është parë duke incizuar podcastin e saj me hundën e mbështjellë me fasha.
Price, e cila më parë kishte pranuar se kishte bërë një ndërhyrje të vogël estetike, ka kryer të paktën tri operacione të mëparshme në hundë. Njëri prej tyre ishte rinoplastika e vitit 2023, e realizuar për të korrigjuar formën e hundës, e cila ishte deformuar pas një ndërhyrjeje të mëparshme për ngritjen e buzës, shkruan The Sun, transmeton “Bota sot”.
Në vitin 2025, modelja kishte prezantuar pamjen e re të hundës pas një udhëtimi në Turqi, ndërsa tashmë ka vendosur t'i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje.
Përveç ndërhyrjeve estetike, ajo është përballur edhe me humbje të pashpjegueshme të peshës, gjë që ka shtuar shqetësimet për gjendjen e saj shëndetësore.
Në podcastin e saj të ri, duke biseduar me motrën Sophie, Katie tregoi se duhet t'i nënshtrohet një sërë ekzaminimesh të tjera mjekësore.
“Është interesante, por duhet të bëj një elektrokardiogramë (EKG), rezonancë magnetike (MRI) dhe një ekzaminim të kockave, sepse kam shkuar te mjekët për shkak të humbjes së peshës dhe ata duan të zbulojnë shkakun”, ka deklaruar ajo.
Ajo shtoi se do t'i nënshtrohet rezonancës magnetike dhe EKG-së për të kontrolluar zemrën dhe gjendjen e përgjithshme të organizmit.
“Jam shumë e dobët dhe nuk dua të jem kaq e dobët. Por shpresoj që tani, duke shkuar në palestër, të arrij të ndërtoj pak masë muskulore”, u shpreh modelja.
Katie zbuloi gjithashtu se ka tension shumë të ulët të gjakut, ndërsa bëri të ditur se mjekët po shqyrtojnë mundësitë për të kuptuar më shumë rreth gjendjes së saj.
Më herët, ajo kishte pranuar se komentet dhe shqetësimet e fansave për ndryshimin e dukshëm të trupit të saj po e shqetësonin tej mase.
Edhe vajza e saj, Princess, kishte reaguar ndaj komenteve fyese për humbjen e peshës së nënës, duke thënë se ato e bëjnë të ndihet keq.
Ndërkohë, vitin e kaluar, motra e Katie-t, Sophie, kishte treguar se edhe nëna e tyre, Amy, ishte e shqetësuar për dobësimin e saj dhe e kishte telefonuar për t'i shprehur shqetësimin.