Marta Kos duhet të largohet nga posti i Komisioneres për Zgjerim të BE-së

Opinione

Marta Kos duhet të largohet nga posti i Komisioneres për Zgjerim të BE-së

Nga: Hafiz Shala Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 11:08
Hafiz Shala

Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim në Parlamentin Evropian, pas skandalit me këngën me konotacione nacionaliste “Oj Kosovo, oj Kosovo”, duhet të largohet menjëherë nga ky post i lartë i BE-së.

Në vlugun e angazhimeve për ta fituar statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian, proces ky i nisur para katër vitesh, Republika e Dardanisë (Kosovës) as kësaj radhe nuk u ftua, por as nuk u përfshi me ndonjë këngë shqipe që do të kishte për qëllim afrimin e kombeve në një mision paqeje dhe bashkimi, qoftë edhe si një lloj shprese se, megjithatë, nuk jemi lënë anash.

Fatkeqësisht, nuk bëhet fjalë vetëm për këtë. Skandali ka përmasa të mëdha dhe mund të ketë pasoja të rënda politike e diplomatike, si dhe të ndikojë në pritjet për njohje të reja, të cilat me vështirësi mund të realizohen përderisa ende pesë shtete të Bashkimit Evropian hezitojnë ta njohin Kosovën. Kjo ndodh pikërisht për shkak të qëndrimeve të tyre, të cilat janë të ndikuara nga aleatët që i mbajnë nën kontroll diplomatik, ekonomik dhe ushtarak.

Në këtë aspekt, prin Rusia cariste e Vladimir Putinit, i cili synon ta mbajë nën kontroll edhe një pjesë të shteteve evropiane, në radhë të parë Serbinë, e cila dëshiron të jetë edhe me BE-në, edhe me Rusinë. Në të vërtetë, ajo nuk heq dorë nga Rusia me asnjë çmim dhe, në një mënyrë, po e mban peng paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në një pjesë të Evropës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës duhet t'i dërgojë BE-së një letër zyrtare, ndonëse ende nuk jemi anëtarë të saj, pasi Kosova është pjesë gjeografike e Evropës dhe ka rëndësi të veçantë për stabilitetin e saj. Kosova është e angazhuar që të mbretërojë paqja dhe siguria, përkundër provokimeve të vazhdueshme të fqinjit tonë, i cili ka ndërmarrë edhe sulme, siç ishte ai i Banjskës, me qëllim të aneksimit të pjesës veriore dhe nxitjes së një lloj konflikti ndëretnik, të dirigjuar përmes ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas pretendimeve të autorit, në zgjedhjet e fundit humbi përballë “Listës Studentore”.

T'i kthehem edhe një herë zonjës Marta Kos, Komisioneres për Zgjerim, e cila duket se po mendon se mund ta kapërcejë një skandal kaq të rrezikshëm vetëm përmes një kërkimfaljeje. Në rrethanat aktuale, një çështje e tillë mbart përgjegjësi të mëdha për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Ballkan, por edhe në Evropë dhe në gjeopolitikën globale.

Duke i parë lëvizjet e udhëheqësve të superfuqive, qofsha i gabuar, por duket se diçka po përgatitet dhe për “peshqit” e vegjël mund të jetë mjaft e rrezikshme nëse qëndrimet dhe kërkesat e tyre nuk përputhen me ato të fuqive të mëdha, në përpjekjet për një zgjidhje globale për paqen në përgjithësi. Në këto zhvillime, është e vështirë që shtetet e vogla të dalin të kënaqura, pasi interesat e tyre shtetërore nuk përputhen gjithmonë me interesat e të fuqishmëve.

E di se ndoshta nuk është koha dhe as momenti i duhur për t'i kërkuar Parlamentit Evropian që znj. Marta Kos të largohet nga ky post. Megjithatë, përfoljet rreth karrierës së saj në poste diplomatike në disa vende evropiane janë interesante për Republikën e Dardanisë (Kosovën), por përmbajnë edhe rreziqe për të ardhmen e vendit dhe pozicionimin e tij në mesin e shteteve evropiane me të drejta të barabarta.

Përfoljet dhe pretendimet, ndër të tjera, e paraqesin zonjën Kos si ish-bashkëpunëtore të BIA-s serbe. Sipas disa informacioneve të përmendura, madje pretendohet se ekziston edhe një numër matrikullimi që e vërteton këtë, por këto pretendime kërkojnë verifikim.

Për shtetin tonë, një informacion i tillë, nëse do të vërtetohej, do të përbënte një rrezik të vazhdueshëm përderisa ajo të jetë në këtë post. Anëtarësimi në BE, njohjet e reja dhe avancimi i marrëdhënieve ndërkombëtare mund të ngecin, madje mund të krijohet edhe rreziku i tentativave për tërheqjen e njohjeve.

Shteti i Dardanisë (Kosovës) duhet t'i drejtohet Republikës së Sllovenisë me kërkesën që zonja Marta Kos të zëvendësohet me një përfaqësues tjetër diplomatik, gjë që do të ishte edhe në interes të vetë Sllovenisë.

Tradicionalisht, marrëdhëniet Slloveni–Dardani (Kosovë) kanë qenë shumë të mira që nga koha e ish-Jugosllavisë, veçanërisht gjatë procesit të shpërbërjes së saj. Udhëheqja e atëhershme sllovene, me në krye Milan Kuçanin, ndërmori një veprim shumë të guximshëm, të vendosur dhe të palëkundur për t'u shkëputur nga federata e atëhershme. Në ato procese, qëndrimet tona ishin të njëjta me ato të Sllovenisë, e cila ishte në krahun tonë për përmirësimin e statusit të atëhershëm të autonomisë.

Largimi i znj. Kos nga ky post, nëse akuzat do të vërtetoheshin, do të ishte në interes edhe të vetë Sllovenisë.

Ky skandal ndodhi në një moment kur në Serbi po zhvilloheshin ndryshime politike, ndërsa Aleksandar Vuçiq, sipas pretendimeve të autorit, e humbi pushtetin pas 14 vjetësh sundimi, për t'ia lënë vendin Listës Studentore. Megjithatë, duke u bazuar në paraqitjet e para publike, ekziston shqetësimi se përfaqësuesit e saj mund të vazhdojnë politika edhe më të ashpra dhe revizioniste, të frymëzuara nga politikat e diktatorëve të vjetër historikë, që nga koha e Car Dushanit dhe Nikolla Pashiqit.

Zgjedhja e profesorit Aleksandar Çupiq, i propozuar nga Lista Studentore fituese e zgjedhjeve të reja, për kryetar të Parlamentit serb, ka ngjallur gjithashtu reagime. Sipas autorit, pas premtimit të Listës Studentore se do ta zgjidhte për kryetar të Parlamentit, Çupiqi, në përpjekje për t'i bindur zgjedhësit se do të ndiqte politikën e ish-xhelatëve të shqiptarëve, zgjodhi të shfaqej me një pamje që i ngjason asaj të Nikolla Pashiqit.

Që nga momenti kur mori premtimin se do të jetë në krye të Parlamentit, ai filloi të ndryshojë edhe pamjen e jashtme, duke lëshuar mjekrën dhe flokët për t'i ngjarë Nikolla Pashiqit. Tani, me mjekër, flokë dhe fizionomi të ngjashme, shtrohet një pyetje serioze: përveç pamjes së jashtme, a do të jetë ai edhe zbatues i politikave të tilla?

Për shqiptarët, kjo është një çështje që kërkon vëmendje të veçantë, sepse, nëse Lista Studentore u përmbahet këtyre qëndrimeve, mund të përfaqësojë një politikë edhe më të ashpër se ajo e Vuçiqit dhe Millosheviqit.

Mund të shpresohet se këto deklarata bëhen për vota dhe pushtet, por për ne ato duhet të shërbejnë si paralajmërim. Në një kohë kur po zhvillohen takime mes tri fuqive më të mëdha botërore, mund të ndodhin zhvillime që nuk janë në interesin tonë.

Prandaj, kërkimfalja e Marta Kos dhe pamja e Aleksandar Çupiqit, që synon të imitojë Nikolla Pashiqin, mund të përmbajnë mesazhe paralajmëruese dhe ogurzeza për zhvillimet e ardhshme. Për këtë arsye, duhet të jemi të përgatitur dhe të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë, në radhë të parë me mikun, shpëtimtarin, çlirimtarin, shtetndërtuesin dhe garantuesin e sigurisë sonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat