Vështrim rreth librit Pak Filozofi të shkrimtarit Arben Kurteshi

Libra

Vështrim rreth librit Pak Filozofi të shkrimtarit Arben Kurteshi

Nga: Ma. Sc. Fatmir Halimi Më: 9 korrik 2021 Në ora: 14:16
Kopertina e librit

Shkrimtari Arben Kurteshi deri me tani njihet si poet dhe shkrimtar me librat e tij Tingujt e zemrës dhe romanin e tij të fundit Plisi.

Libri Pak filozofi i autorit Kurteshi është një sprovë e madhe për të edhe në dimensionin e shkencës së filozofisë. Me këtë libër që shumë shpejt do të paraqitet para lexuesve Kurteshi dëshmon se ka njohuri të mjaftueshme edhe në këtë aspekt e sidomos në filozofinë ekonomike të shteteve më të zhvilluara të botës, siç janë Gjermania, Zvicra, Amerika, Japonia e vende të tjera.

Të gjitha këto njohuri dhe informacione për ekonominë i lidhë me zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Autori duke e analizuar situatën aktuale në Kosovë, ai vjen në disa përfundime për ekonominë tonë, ku me argumente i paraqet ngecjet e moszhillimit ekonomik. Përveç kësaj ai po ashtu me argumente tregon rrugën që duhet ndjekur institucionet tona për zhvillim dhe avancim të vendit duke marr si shembuj konkret vendet e ndryshme, që brenda dy dekadave kanë arrit sukses në zhvillim, siç ishte Gjermania e pasluftës së Dytë Botërore dhe disa vende afrikane.

Përveç temave të filozofisë ekonomike ai trajton edhe tema nga më të ndryshmet, siç janë: tema e atdhedashurisë, “Ku është zanafilla e lirisë?”, “A mund të ndodhë bashkimi kombëtar Kosovë Shqipëri?”, tema politke, siç është “Qëndrimi ynë”, “Shansi i madh” e shumë të tjera.

E veçanta e librit Pak filozofi është se, secila temë është e shoqëruar me thënie të caktuara, të mendimtarëve të mëdhenj botërorë, si për shembull për temën “Ku është zanafilla e lirisë?”, kemi thëniet që pasojnë:

Së pari të injorojnë, pastaj të qeshin, më pas të luftojnë, në fund triumfon!

Mahatma Gandhi

Duhet të provosh të pamundurën për të arritur të mundshmen.

Hermann Hesse

Një komb që e mban një sy nga e kaluara është i mençur.

Një komb që i mban dy sytë nga e kaluara është i verbër.

Thënie Irlandeze.

Autori rregullimin dhe menaxhimin shtetëror e lidhë ngushtë edhe me parimet, doket dhe traditat e një nëne shqiptare, që ajo i përdor për të rritë fëmijën e vet, por edhe për ta mbajtur familjen përgjithësisht të shëndosh përball stuhive të mëdha që mund të has gjatë rrugëtimit dhe zhvillimit. Të gjitha këto ide dhe mendime autori i paraqet te tema “Nënat”, ku edhe për ketë temë ka disa thënie siç janë;

Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të njohë.

Johan Pestalozzi

Zemra e nënës është si klasa mësimore e fëmijës.

Henry Ward Beecher

Libri Pak filozofi i A. Kurteshit është një libër i veçantë për letërsinë dhe publicistikën tonë sot. Ky libër edhe për nga forma e jashtme është një libër i brishtë, pasi që nuk është në përmasat standarde të librave, por anon më shumë si një libër xhepi që për lexuesit e sotëm është shumë praktik për tu lexuar në çdo rrethanë që ata gjenden.

Autorit i urojmë shumë suksese dhe prurje të reja në letrat shqipe.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat