Ndërfutje dhe alternimet e ngjarjeve - tipar themelor i një romani

Libra

Ndërfutje dhe alternimet e ngjarjeve - tipar themelor i një romani

Nga: Thanas L. Gjika Më: 10 tetor 2021 Në ora: 22:29
Kopertina e librit

Në letërsinë shqiptare të derisotme quhet Digresion -hapja e një paranteze në rrjedhën e një vepre letrare për të dhënë shpjegime, shembuj, kujtime, meditime dhe episode që sqarojnë disa hollësi të argumentit të trajtuar në vepër (Ferdinand Leka “Fjalor i termave të letërsisë” INFBOTUES Tiranë 2013, f. 92-93). Mirëpo romancieri Pandi Papando në romanin e ri ka eksperimentuar një përdorim origjinal të digresionit duke e përdorur si mjet artistik për krijimin e subjektit të romanit të tij të dytë “Dy jetë... “PROMO PRINT Sh.p.k., Korçë, Maj 2014, 224 faqe.

Pandi Papando erdhi si romancier nga radhët e ingjinerisë elektronike në moshë pjekurie dhe na befasoi me romanin e parë “Një njeri” ALBPAPER, 2011, 256 f. Këtu ai përdori një mënyre të re të ndërtimit të subjektit duke e shtjelluar rrëfimin e ngjajeve jo nga këndvështrimi i autorit, por nga këndvështrimi i secilit personazh që merrte pjesë në ngjarjet e veprës. Për herë të parë ky autor solli rrëfimin e çdo episodi të romanit duke e treguar prej secilit personazh që merrte pjesë në të. Ky roman kaloi në heshtje nga kritika, gjë që përforcon mendimin se në Shqipëri nuk ka kritikë letrare shkencore. Kritika letrare shkencore kërkon investime nga institucionet shtetërore, sepse një kritik letrar është vështirë të dalë spontanisht si mund të dalë një poet, prozator e dramaturg. Formimi i kritikut letrar kërkon disa vite studimi, specializimi dhe akumulimi, gjë që nuk mund të realizohet pa përkrahjen financiare të shtetit në një shoqëri të varfër si është shoqëria shqiptare sot.

Romancieri Papando nuk u fye nga heshtja e kritikës, u kënaq nga disa vlerësime të pjesëshme gojore që i dhanë shokët, ose e-mail që i shkruan disa miq, midis të cilëve dhe unë. Sivjet gjatë qershorit, kur u takuam në Korçë më dhuroi këtë romanin e tij të dytë, botuar shtatë vjet më parë. U mbrekullova me rrjedhshmërinë e rrëfimit përmes ndërfutjeve të shkathta të ngjarjeve që kishin ndodhur ose ndodhnin në kohë të ndryshme. Kalimi nga një ngjarje a situatë në një tjetër realizohet me lehtësi pa asnjë paralajmërim dhe pa e ngatërruar aspak lexuesin. U intrigova gjithnjë e më shumë derisa e mbarova së lexuari pa e lëshuar nga duart.

Linjat e shtjellimit të ngjarjeve ndërthurren në jetën e Gjergji Linotopit -heroit të veprës. Ky student e pastaj pedagog i Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjatë vitit të parë si pedagog pati rast të njihej me një studente, që iu qep për t'u fejuar, por martesa midis tyre nuk u realizua, për shkak të ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit dhe babait të saj një komunist karierist.

Gjergji, gjatë specializimit në Itali kishte udhëtuar rastësisht në një vagon treni nga Milanua në Romë, ku ishte njohur me bukuroshen amerikane, Dajana. Kjo u muarr vesh prej sigurimsit të Ambasadës shqiptare të Romës dhe u dërgua si informacion se ai mund të ishte rekrutuar prej agjenturës amerikane. Kjo shkaktoi ndarjen e tij prej Lindës dhe transferimin si mësues në një fshat të thellë malor të Korçës. Aty në gjendje gjysëminternimi ai u njoh e u dashurua me mësuesen Diana, me të cilën u martua. Mbas martesës ata u shtuan me një djalë, të cilin e quajtën Petro për respekt të gjyshit, babait të Gjergjit. Kur u rrit ky djalë emigroi në SHBA bashkë me nusen e tij. Në SHBA ai mori emrin Peter / Piter, kurse djalin që lindën në atdheun e ri e quajtën Xhorxh (George), sipas variantit amerikan të emrit shqiptar Gjergj, gjyshit të fëmijës.

Mbasi jeta ka rrjedhur deri këtu mësojmë se amerikaia e bukur Dajana i kishte lënë amanet së bijës Beti të sqaronte dyshimin e vet se mos ishte bijë e specializantit shqiptar, për të cilin ajo dinte vetëm emrin e mbiemrin dhe se ai kishte qenë duke u specializuar në Itali në vitin 1984, kur patën rast të udhëtonin së bashku në një vagon treni gjatë natës 22 qershor nga Milano në Romë dhe gjatë paradites së 23 qershorit në Romë.

Nga shënimet e ditarit, që Dajana kishte mbajtur e i kishte dhënë së bijës për t'i lexuar dhe nga kujtimet e Gjergjit, që autori i riprodhon pas telefonatave që i bëri Beti; marrim vesh se ky dhe amerikania Dajana gjatë shoqërimit të së djelës më 23 qershor përjetuan një aventurë erotike. Ata nuk e përballuan dot tundimin dhe kryen marrëdhënie seksuale në një hotel si të dehur nga ndjenja të zjarrta epshore, si te novela “Amok” e Stefan Zvajgut.

U ndanë si fajtorë të penduar. Të dy ishin njerëz të ndershëm, si besimtarja e sinqertë kristjane Dajana edhe fizikanti i ndreshëm shqiptar. Ky e kishte harruar këtë ndodhi, si një ndodhi që mund t'i ndodhi qenieve prej mishi e gjaku, kur pasionet natyrore e errësojnë logjikën dhe mposhtin kulturën dhe moralin. Kurse besimtarja Dajana e kishte vuajtur gjithë jetën dhe dyshonte se mos vajza që lindi më pas, Elisabet (Beti), mos ishte bijë e specializantit shqiptar dhe jo e bashkëshortit të saj Xhorxh-it (George-s). Kjo ide iu thellua dhe më tepër pasi i vdiq djali Bob, gjë që ajo e përjetoi si një ndëshkim prej Zotit për gabimin e bërë me 23 qershor 1984. Dajanën pas vitit 1991, me hapjen e Shqipërisë, filloi ta shqetësonte dhe meraku se po të ishte Beti bijë e Gjergji Linotopit, mund të ndodhnin rastësisht nga mosnjohja lidhje incesti midis Betit e djalit të këtij shqiptari, ose pasardhësve të tyre. Prandaj ajo i kërkon së bijës para se të largohej prej jetës nga sëmundja e pashërueshme, që të lidhej me Gjergjin e të bënin analiza gjenetike, për ta zgjidhur këtë enigmë.

Beti arriti të krijojë lidhje telefonike me Profesor Gjergjin, tashmë i riemëruar pedagog në Universitetin e Tiranës. Kërkesa e saj e drojtur për të realizuar amanetin e së ëmës u mirëkuptua dhe u pranua pa nervozizëm prej Gjergjit. Ky shfrytëzon rastin të vejë në New York për të marrë pjesë në një takim shkencor ndërkombëtar, ku ishte i ftuar që më parë. Kur mbërriti në aeroportin FJK të New York-ut, i ndodhi surpriza e këndshme: Beti po e priste me një tabelë ku kishte shkruar emrin e tij. Kështu para se të lidhet me djalin Peter, nusen e këtij dhe nipin Xhorxh, Gjergji u takua me Betin e të fejuarin e saj Piter. Të nesërmen u realizua vizita e Gjergjit dhe Betit në spital, ku bënë analizat. Para të dyve u shtuan shqetësimet sesi do të sillen në rast se dalin me lidhje gjenetike at' e bijë, dhe në të kundërt, po të dalin njerëz pa lidhje gjenetike. Disa ditë pasi mbaroi seminari shkencor, analizat ishin gati. Mjekja një zonjë hebraike u komunikoi rezultatet e analizave:

“Ju të dy keni të njëjtët stërgjyshër. Vini drejt nga Adami dhe Eva... ju vërtet keni të njëjtët stërgjyshër, ata që kemi të gjithë. Nuk ka asnjë lidhje gjenetike midis jush. Nuk e dij në prisnit këtë njoftim, por kjo është e vërteta. Ju të dy dhe unë, së bashku me ju, jemi qytetarë të tokës” (f. 218).

Këto fjalë e shkrinë frikën dhe dyshimin që i brente të dy palët. Sytë e lagur të Gjergjit iu dukën Betit si sy fëmije. Kjo shtoi: “Më beso se edhe po t'ju kisha baba, nuk do të isha e pakënaqur” (f. 219).

“Eh, moj vajzë, ia ktheu Gjergji dhe vijoi, edhe unë nuk kam qenë i sigurt për rezultatet e sotme, por s' është vetëm gjaku që i lidh njerëzit. Mendoje, ti po u afrohesh të tridhjetave dhe s' dije nëse unë ekzistoja. U lodhe për të më gjetur. Tani u njohëm dhe do të ndahemi përsëri. Megjithëse pa lidhje gjaku, unë u ndjeva mirë në shoqërinë tënde. Do të ndjehesha njëlloj edhe po të ishe gjaku im” (f. 219).

I lehtësuar, ai propozoi të shkojnë te vorrezat për të folur me Dajanën. Ndjente nevojë t'i kërkonte të falur për shqetësimin që i kishte shkaktuar.

Habisë së Betit për këtë këkesë, Gjergji iu përgjigj:

“... atje është vendqëndrimi im i parë për të kërkuar ndjesë. Nuk do ta dëgjoj se më ka falur. Por ... jam i bindur se do të më falte. Të dytin dhe më të sikletshmin do ta kem kur të kthehem në Shqipëri” -kuptohet kur t'i rrëfehej bashkëshortes Diana për këtë ngjarje, të cilën duhej t'ia kishte rrëfyer më parë... (f. 220).

Disa ditë pas vizitës te Vorrezat, jepet largimi i Profesor Gjergjit nga aeroporti FJK i New York-ut, ku e përcillnin djali Piter, nusja e tij dhe nipi Xhorxh, bashkë me ta edhe Beti me Piter-in e vet.

“Mirupafshim në Tiranë!”, pëshpëriti pa e përcaktuar se për kë i tha këto fjalë, dhe më tej autori shton se heroi i tij ngriti zërin edhe tha:

“Të pestëve” (f. 224).

Me këto fjalë mbyllet romani, duke theksuar idenë e veprës, se njerëzit e moralshëm, qofshin besimtarë ose jo, pavarësisht nga gabimet që mund të kenë bërë, gjejnë forca t'i shlyejnë ato shpejt a vonë, duke kërkuar të falur dhe kështu e ruajnë miqësinë e vjetër, ose krijojnë miqësi të re të sinqertë.

Ky subjekt i treguar thjesht e shkurt prej meje, shtjellohet me shumë tensione të brendshme psikologjike përmes ndërfutjeve të shpeshta të ngjarjeve të ndodhura më parë, ose që ndodhin në po atë kohë përtej Atlantikut. Kjo është një mënyrë e veçantë e thurrjes së subjektit prej romancierit Papando, që nuk është hasur në veprat romanore të asnjë prozatori tjetër shqiptar para tij, arritje që duhet përshëndetur.

Ngjarjet e thurrura prej këtij autori bien në sy edhe për logjikën e shëndoshë në ecurinë shkak-pasojë. Ka raste kur ngjarjet mund të tingëllojnë si të sajuara, qofshin ngjarje, qofshin përkimet e emrave Diana / Dajana, Gjergj / Xhorxh, Petro / Peter / Piter, etj. Mirëpo ecuria logjike dhe thurrja e ngjarjeve me realizëm e bën lexuesin t'i pranojë ato si ngjarje e përkime që ndodhin në jetën njerëzore, sepse ato vërtet mund të ndodhin në jetë. Këtë dukuri lexuesi e has edhe në romanet e shkrimtarit italian Kazanova (Giacomo Casanova), dhe në dy roamnet e shkruar frëngjisht prej Faik Konicës, përkthyer me mjeshtëri në shqip prej Fotaq Andreas “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka” ZENIT EDITION, Tiranë 2016, 332 f.

Si krijues i talentuar Pandi Papando, edhe pse është njeri me bindje demokratike, nuk bie në propagandë vulgare antikomuniste. Ai e urren sistemin diktatorial komunist për të këqiat që i shkaktoi popullit, gjen rast për të treguar se sa të ulët ishin disa sigurimsa, si Besniku -sigurimsi i ambasadës sonë në Romë, ose sa pa logjikë ishin disa kuadro partie, si babai i Lindës, që nuk kërkoi të sqaronte raportimet e sigurimsit të ambasadës, por detyroi vajzën të ndahej sa më parë prej të fejuarit në prag të martesës. Po ashtu, autori dënon varfërinë ekstreme ku e kishte katandisur popullin regjimi socialist, por nuk mohon se gjatë atij regjimi shkencat e sakta ishte në nivel europian. Një kuadër i tillë ishte dhe Gjergji Linotopi, heroi i veprës.

Problemi kryesor që ka transmetuar autori i veprës është: Mbi të gjitha në jetën e njeriut vlejnë karakteri dhe ndershmëria. Njeriu me karakter dhe i ndershëm, beson ose jo në Zot, di të shpëlajë gabimet që i kryen në momente rrëmbimi, duke kërkuar të falur kur ballafaqohet me gabimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat