Histori që rrëfen shtegtimin nëpër zjarrin e mbijetesës

Libra

Histori që rrëfen shtegtimin nëpër zjarrin e mbijetesës

Nga: Ma. Imer Pantina Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 12:15
Ballina e librit

Libri Yjet e Lirisë, Kontributi atdhetar i shtatë heronjve të kombit nga fshati Ratkoc i autorit Sadik Krasniqi përmes rrëfenjës së biografive për shtatë dëshmorët e kombit shtegton atyre rrugëve që përcaktojnë kriteret shkencore historike, i hulumton ato për t’i prezantuar me faktografi dhe, kam bindjen se lexuesi kreativ do t’i hetojë elementet kryesore që e formojnë luftëtarin atdhedashës.

Rruga e formimit të personalitetit luftarak në këtë libër ka shkaqet identitare duke zënë fill nga konfliktet dhe luftërat e hershme, njëqindvjeçare e më shumë, të cilët pushtuesit i bënin për të zhdukur nga faqja e dheut një popull të tërë, pra shqiptarët. Nga këtu zë fill kultivimi i idesë së ekzistencës, madje, me të gjitha format e mundshme ku nuk përjashtohet as vetë sakrifica dhe flijimi, por, që në plan të parë vihet dashuria për familjen, farefisninë, kombin dhe njeriun si qenie që meriton jetë të dinjitetshme.

Kështu, ky libër parashtron argumente të qarta se formimi i vetëdijes atdhetare e ka bazën tek institucioni i quajtur familje dhe fis, dhe nga këtu fillon të kultivohet rendi social për t’u formuar vetëdija shoqërore me ideale të qarta, me synime për të ndërtuar organizim shoqëror, që nënkupton shtetin në baza të shëndosha kombëtare, me organizmin e pushtetit që buron nga populli dhe jo nga pushtuesit.

Kështu, nevoja për jetë të dinjitetshme, e formuluar qartë në fillim brenda fisit dhe familjes, e propaganduar në rrethe të ngushta miqësore dhe në rrethe të gjera shoqërore, e kultivon dashurinë për atdheun nga shtegu konservator për të kaluar në vijën tjetër, atë të institucionalizimit, duke filluar nga ai ushtarak, që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë vijë autori na i shpalos copëzat e historisë së gjenealogjisë familjare të dëshmorëve Jahë Hoti, Naser Krasniqi, Sahit Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi, Islam Krasniqi, Lulzim Hoti, duke na rrëfyer kështu të bëmat e stërgjyshërve të tyre, të gjyshërve dhe baballarëve, të cilët kishin jetuar nëpër zjarrin e mbijetesës. Nëpër këtë rrugë familja ngrit kodin moral dhe edukues, kultivon dashurinë familjare dhe atdhetare, e pastaj vijnë natyrshëm aktivitetet në shërbim të kombit.

Përmes këtij zjarri dhe nën kërcënimin e mynxyrës së okupatorit serb libri fillon ta shfaqë trungun kryesor të shtjellimit hulumtues. E kaluara e cila s’bën të harrohet, evoluimi i vetëdijes intelektuale dhe dashuria e madhe për të parë popullin e lirë, fillon të japë koncepte të qarta veprimi, që variojnë nga një shoqëri që kapërcen sfidat nga okupimi, ku bërthamën e lirisë e ruante me sakrifica pothuajse mitike, të udhëhequra me kuvende miqësish, me grupe studentore e pastaj me ato më të zgjeruara shoqërore, e deri tek ngritja e institucioneve në rrethana lufte ku tashmë kishte udhëheqje, komandantë, togje e brigada.

Dëshmorët tanë që shpalosen në këtë libër janë produkt i këtij vetëdijesimi që thellë ka aspiratën për dinjitet shoqëror, për paqe ndaj njeriut, por që rrethanat historike, mjerisht me një trashëgimi të hershme, kishin sjellë zgjidhjen ose të mbijetesës përmes luftës ose të zhdukjes fizike.

Ky libër është i pasuruar edhe me shumë të dhëna historike të luftës së UÇK-së e veçmas në rajonin e Anadrinisë. Kështu, kemi të dhënat kryesore të betejave të zhvilluara, të zinxhirit komandues të Zonës Operative të Pashtrikut, të kompanisë së dytë të kësaj zone, të përpjekjeve të popullatës së kësaj zone për të fituar lirinë, të dëmeve gjer në likuidim fizik, të shkaktuara nga armiku serb, të dëmeve të ekonomive familjare, të dhëna këto të marruara nga vet protagonistët e ngjarjeve.

Autori ka shfrytëzuar edhe të dhënat nga publikimet e mediave të kohës, nga arkivi personal (sepse autori është studiues i historisë), nga arkivat e familjeve të dëshmorëve dhe protagonistëve të ngjarjeve të cilave iu referohet, dhe, gjithsesi se faktografia kryesore mbetet deklarimi i vet protagonistëve të ngjarjeve, pra, i njeriut të gjallë, i njeriut i cili ka qenë pjesë e zhvillimeve të historisë më krenare të mundshme, të  luftës sakrifikuese për liri, të gjithë asaj drame jetësore me të cilën u përball një popull i tërë.

Autori është edhe vet protagonist i ngjarjeve, pjesë e udhëheqjes së luftës, vëllai i dëshmorit Naser Krasniqi dhe duke qenë edhe historian profesionist, mbase, edhe nuk kishte se si të mos e shkruante këtë libër. Autori duke i shpalosur veprat atdhetare të heronjve tanë, në sfond të kësaj shpalos edhe traditën e pasur të familjeve të tyre e cila është e rrezonuar gjithnjë me bujari tradicionale.

Është e vështirë në këtë rast që të ruhet ajo distanca emocionale e njohjes së drejtpërdrejtë me protagonistët të cilëve i kushtohet ky libër, por, kjo tejkalohet me profesionalizëm prej studiuesi që i njeh mirë kriteret e faktografisë historike.

Dhe, pikërisht kjo e bën librin edhe më të fuqishëm. Janë ngjarjet madhore, të luftës për mbijetesë, jeta dinamike e dëshmorëve me sakrificën e tyre sublime, të rreshtuar nën uniformën e UÇK-së, ato që e bëjnë lexuesin e këtij libri ta ndjejë peshën e madhe të dashurisë së bijve tanë për ne, për kombin tonë, për shqiptarinë tonë. 

Ky libër do të mbetet një material i çmueshëm arkivor i historisë së luftës së UÇK-së që do t’u rrëfejë brezave pastërtinë e asaj lufte, heroizmin, vigjilencën e këtyre bijve, të cilët ndonëse kishin mundësi të bënin karrierë personale në vende të ndryshme të botës, me potencialin e tyre edhe intelektual që kishin, ata bën zgjedhjen tyre: Sakrificën për lirinë tonë! Sa rrugë e gjatë dhe e vështirë! Sa shumë mund duhej nga ata që ishin gjithmonë të gatshëm dhe kishin potencialet morale, fizike dhe intelektuale ta bënin ëndrrën e popullit tonë realitet, ëndrrën për të jetuar të lirë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat