Një libër me bagazh kombëtar

Libra

Një libër me bagazh kombëtar

Nga: Merxhan Jakupi Më: 23 korrik 2022 Në ora: 12:19
Kopertina e librit

Libri më i ri publicistik "Figura të ndritura" të autorit Ismail Arsllani, që u botua këtyre ditëve në Shkup, është fryt i një pune hulumtuese disavjeçare, si dhe grumbullimit të të dhënave, kryesisht nga bashkëbisedues, nipa e stërnipa të personaliteteve të shquara të rajonit të Tetovës, si dhe një sublimim i disa dokumenteve e fakteve nga Arkivi Osman dhe literatura ekzistuese, që ka të bëjë me veprimtari kombëtare, politike e ushtarake, në radhë të parë të tetovarëve përgjatë historisë disa shekullore.

Brenda kopertinave të këtij libri janë vendosur 45 persona të dalluar, të cilët kanë lënë gjurmë të thella në historikun tonë të lavdishëm. Duke i kujtuar këta fisnikë dhe duke i dokumentuar në letra, ata bëhen të përjetshëm dhe kjo është gjëja më e vogël që mund të bëhet për ta, për të mos i harruar kurrë.

Ata vijnë nga një qytet i lashtë, nga Tetova kreshnike dhe e lavdishme, ndërsa veprimtaria e tyre e gjerë patriotike e atdhetare, kapaciteti intelektual dhe sfidues tejkalon kufijtë rajonalë, duke lënë një bagazh të ngjeshur kombëtar edhe në përmasa më të gjera në gjeografinë shqiptare, por duke ndikuar edhe në rrjedhat e zhvillimeve në Ballkan e më gjerë.

Ky qytet, i njohur për nga trimëria e bijve që i kanë rritur etërit dhe nënat e tyre, sidomos ato nëna, duke filluar që nga djepi i foshnjave të tyre, kanë kënduar ninulla mbi guximin e trimërinë, arritën të ngrenë breza që kanë tundur perandori e vasalë të tyre, me përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar, integritetit territorial, si dhe dinjitetin individual e kolektiv.

Libri përfshin disa dhjetëra persona, por, siç thotë edhe autori në parathënie, ky qytet i lavdishëm, ka edhe shumë figura të tjera të ndritura, që kanë merita të mëdha dhe duhet të gjurmohet veprimtaria e tyre e të hidhet në letra, që të mbetet në histori për brezat që vinë.

Autori është i vetëdijshëm se kanë mbetur edhe shumë personalitete të tjera të shquara nga ky rajon, por beson se në një të ardhme edhe ata do të përfshihen në ndonjë libër si ky.

Në këtë botim, autori Ismail Arsllani sjell një pasazh personazhesh që nga shekulli i 16-të, me lëvizjen e dervishëve, me pashallarë shqiptarë dhe udhëheqës të rezistencës ndaj Perandorisë Osmane e deri nga mesi i shekullit të kaluar, ku zënë vend të merituar edhe veprimtarë të denjë që kanë kontribuuar për ngritjen e vetëdijes kombëtare te masat e gjera dhe për kyçjen në lëvizjet për çlirim e pavarësi.

Libri, me një përmbajtje gjithëpërfshirëse, është specifik, rrallë i trajtuar në këtë rrafsh te ne, së këndejmi ka një peshë dhe vlerë të posaçme. Në një kapitull flitet për pashallarët e Tetovës, të cilët kanë qenë me prejardhje shqiptare. Këta, gjatë sundimit të tyre, kanë ndërtuar një varg objektesh, si ura prej guri, fortifikata, hamame, xhamia, kulla të sahatit, konakë, kalldrëme, çezma publike etj., ndaj dhe përmenden edhe sot. Veprat e tyre pjesërisht ende janë në përdorim dhe trajtohen si monumente kulturore-historike të trashëguara nga një kohë e shkuar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat