“Shamia e nënës” - një roman për dhembjen

Libra

“Shamia e nënës” - një roman për dhembjen

Nga: Zymer Mehani Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 13:41
Kopertina e librit

Romani "Shamia e nënës" është një roman për dhembjen e Bardhit, që ka humbur të ëmën, me fytyrë engjëllore, në moshë relativisht të re, ndoshta kur ende s’i kishte mbushur të dyzetat. Në narracionin e tij, autori i romanit në fjalë, Rrahim M. Sadiku, është shprehur hapur, pa fshehur asgjë, as dhembjen deri në lemeri, as vuajtjet në varfëri ekstreme, por as përballjen e tij me gjithë andrallat e botës....Ai ka shkruar një roman, kësaj here me elemente autobiografike, ku është paraqitur gjithë jeta e një të riu, e Bardhit mitar, i cili veç varfërisë, do të mbetet edhe pa nënë, që prej kohësh lëngonte nga një sëmundje e rëndë, por pa u ndalë asnjëherë si në punët e shtëpisë, ashtu edhe në ato, madje tepër më të rëndat, punët e fushës.

Rrëfimi përfshin një jetë të tërë, që herë-herë sikur ndalet diku, e ndonjëherë tjetër rend nëpër gjithë hapësirën që ia ka krijuar jeta, jo vetëm Bardhit, por edhe të tjerëve përreth, si familjes, baba Musës, nënë Bidës, motrave, Shehides e Vahides, vëllezërve, Aliut e Sejdiut, si dhe  të voglës motër të Bardhit, Hajrijes, por edhe shokëve dhe shoqeve të fëmijërisë, siç ishte Bahriu, me të cilin ai lahej te Jazi i Qypollëve, por edhe njerëzve të tjerë, që ka njohur ai, kudo që ka shkuar dhe ngado që ka gjetur interesimet dhe preokupimet e tij. Kjo bredhje nëpër kujtimet dhe realitetet e jetës, i ka dhënë dorë autorit të romanit "Shamia e nënës", ta shpalosë gjithë përmasën e dhembjes, thuajse sa dhembja e të gjithë fëmijëve të botës. Prandaj, është e veçantë kjo dhembje, sepse është dhembje për nënën. Ai, Bardhi, është i vetëdijshëm për gjendjen e saj shëndetësore dhe emocionale.

Hapësira e shtrirjes së kujtimeve kap një periudhë që nga mosha e njomë e Bardhit, duke filluar nga fëmijëria e hershme, kur lozte në pluhurin e truallit të vjetër edhe me qenin e tij e deri në ditët dhe javët që ndërrojnë truall, për të jetuar atje në majë të kodrës, në Shetorr të Vendenisit...për ta vazhduar jetën në një kasolle të vogël.

Në truallin e moçëm Bardhi ishte lindur, ku edhe kishte hedhur hapat e parë, e në të cilin kishte kaluar fëmijërinë e hershme, përherë nën kujdesin e nënës, e cila ia ka mësuar, si thuhet, hapat e parë të ecjes në jetë.

Ndërtimi i strukturës së romanit "Shamia e nënës" të Rrahim M. Sadikut, mund të thuhet se është një autobiografi artistike, thuajse e rrallë në letërsinë tonë, jo vetëm për faktin e shtjellimit të ngjarjes, as vetëm për strukturën kronologjike, që nuk e ka shpërbërë as kur është lodhur me rrëfimin, madje as vetëm për dialogjet e kursyera, por aq të domosdoshme, edhe përkundër faktit se në tërësinë e ligjëratës së romanit, shtrihen hapësira të pafund të një jete, e cila po përgatitej të mbyllej, kur duhej të vazhdonte.

Rrahim M. Sadiku krijon një monument për atë që quhet dashuri prindore, krijon një lapidar krejt të freskët me gjuhën e rrëfimit, për vdekjen e një personi, në këtë rast të nënës së tij, Bidës, së cilës mezi priste t’ia dëgjonte zërin, sa herë që kthehej nga shkolla, apo kur i kthente delet nga kullosa...ndaj vegimet e tij për të ëmën vinë tashti përmes romanit në fjalë si pjesë e kujtimeve.

Autori Sadiku me romanin "Shamia e nënës" ka krijuar një model shkrimi, që na ka munguar, ndoshta vetëm për faktin se ata që kanë përjetuar tragjedi të këtilla, nuk kishin fuqi krijuese për ta përjetësuar dhembjen e humbjes. Por z. Rrahim M. Sadiku pati guxim dhe fuqi ta bëjë këtë gjë.

Në romanin në fjalë të shkrimtarit Sadiku pra rrëfehet tërësia e jetës të së ëmës, por edhe të vetë autorit...

Janë tablo të bukura edhe dromcat që shpërfillin vuajtjet e varfërisë, siç është humanizmi i mullinxhiut të fshatit, xha Ilazit, pastaj bujaria e shoqes së tij, Hamides, që gjithmonë u gjenden pranë prindërve të Bardhit, kur ata patën nevojë për dorën e tyre... Edhe çastet e punës së Bardhit të detyrave shkollore, pastaj leximi i abetares, por edhe marrëdhëniet me shokë e me shoqe, edhe me nënën më së shumti në këtë mes, që tashti ligjëratën e romanit e shtrijnë në tërë hapësirën e jetës.

Kur lexon me durim dhe me vëmendje romanin "Shamia e nënës" të Rrahim M. Sadikut, një dukuri që hetohet, është galeria e vogël e personazheve që bëjnë jetë në faqet e këtij romani. Një numër i vogël fytyrash njerëzore, nga ata dhe ato që ishin familjarë, fqinjë e bashkëmoshatarë të Bardhit, duke filluar nga i ati, nëna, vëllezërit e motrat. Edhe xha Fejza me tri çikat: Feriden, Xheziden e Fahrijen, besa edhe çika e katërt, Bahtija, pastaj  fqinjët: xha Ilazi me të shoqen e deri te e shoqja e Ademit, Azeminja, me shpirt satanai që dinte ta lëndonte shpirtin fëmijëror të Bardhit, siç veproi kur e gjet duke lozur në pluhur, bashkë me qenin e tij.

Përfundimisht babai, e sidomos nëna e Bardhit, normalisht secili shquhej me karakteristikat e veta edhe si pjesë e dhembjes, por edhe si pjesë e durimit, me të cilin i kishte mësuar jeta.

Janë pastaj shokët dhe shoqet e shkollës, që befasohen me zellin e Bardhit për mësim, e sidomos mësuesja Shukrije, të cilët bëhen pjesë e jetës së Bardhit deri në ditën e fundit të jetës së tij në këtë botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat