Ngjarja e 27-prillit, seanca për imunitetin: Mes akuzash për organizim dhe mohim të fajit

Maqedonia

Ngjarja e 27-prillit, seanca për imunitetin: Mes akuzash për organizim dhe mohim të fajit

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 12:55
27-prilli

Seanca e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka nisur me akuza dhe mohim të faji nga ana e deputetëve Goran Misovski dhe Trajko Veljanoskit.

Në seancën ku po diskutohet heqja e imunitetit të deputetit i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, i dyshuar, se bashkë me Nikolla Gruveskin, Nikolla Boshkovskin, Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin kanë organizuar sulmin më 27 prill të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë, deputeti Veljanoski ka mohuar se ka pasur njohuri paraprakisht për sulmin.

“As në mendje nuk më ka shkuar se mund të ndodhë ndonjë rast i tillë”, ka thënë Veljanoski.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i Partisë Popullore Social Demokrate (PPSD), Goran Misovski i cili ka vlerësuar se tërë ngjarja është organizuar në Pallatin e Bardhë (selinë e VMRO-së).

“Tërë sulmi është organizuar dhe koordinuar nga Pallati i Bardhë. Ka pasur shumë spekulime për këtë ngjarje, por hetimi i ka sjellë në kahe tjetër. Ne nuk mund ta vlerësojmë aktin prokurorial”, tha Misovski.

Debati për heqjen e imunitetit vjen pasi që Gjykata Themelore Shkupi, deri te Komisioni ka dorëzuar kërkesë për paraburgim të deputetit Veljanoski, sepse i njëjti është i dyshuar si organizator i ngjarjeve të 27-prillit, në kohën kur ka qenë kryesues i Kuvendit të Maqedonisë.

Prokurorja Villma Ruskovska ka sqaruar se arrestimet e ish kryeparlamentarit – T.V. (Trajko Veljanoski), ish ministrave – M.J. (Mile Jankieski) dhe S.R. (Spiro Ristovski), ish agjentit – N.B. (Nikolla Boshkovski) dhe ish kryetarit të partisë – N.G. (Nikolla Gruevski), vijnë pas realizimit të procedurës parahetimore.

Për N.G. dhe N.B. do të kërkohet ekstradim, pasi që i pari gjendet në Hungari, kurse i dyti në Greqi. Për M.J. dhe S.R.është kërkuar paraburgim, kurse për T.V. nuk është caktuar asnjë masë, pasi që fillimisht duhet t’i merret mandati prej deputeti. Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat