Premtimet për Çairin, asnjë e dhënë për ndërtimin e bibliotekës dhe leximores

Maqedonia

Premtimet për Çairin, asnjë e dhënë për ndërtimin e bibliotekës dhe leximores

Më: 27 mars 2019 Në ora: 15:53
Ilustrim i leximores

Ende nuk ka asnjë informatë për ndërtimin e bibliotekës së paralajmëruar në fushatën parazgjedhore nga kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, njofton Portalb.mk.

Për projektet të cilat ende nuk kanë filluar të realizohen, në intervistën për Portalb.mk të realizuar në maj të vitit të kaluar, Ganiu tha se shumica prej tyre janë në varësi të disa institucioneve tjera dhe nevojitet kohë për procedurat, por që dy projektet e lartpërmendura, ishin paraparë të realizohen me buxhetin e komunës, dhe sërish nuk ka asnjë informacion lidhur me atë se deri ku kanë arritur procedurat për realizimin e tyre.

Në raportin e punës njëvjeçare, Ganiu përmend që këto dy projekte do të realizohen në vitin 2019, por sërish duke mos dhënë afate kohore apo detaje për projektet, siç është shuma e tyre, a janë siguruar paratë apo jo, ku është ndarë parcela etj.

Portalb.mk tentoi të bisedojë me kryetarin Ganiu, si dhe me zëdhënësin e komunës, Kushtrim Alla, por që të dy ishin të pakapshëm.

Këshilltari i BDI-së në komunën e Çairit dhe kryetari aktual i këshillit komunal, Zahir Bekteshi, thotë për Portalb.mk se për projektet madhore deri më tani nuk është biseduar shkaku që ende janë duke u hartuar projektet.

“Ende jemi në pritje të hartimit të projekteve, por besoj që pas procedurës së zgjedhjeve do të hyjnë në rend ditë në mbledhjet e këshillit projektet në fjalë. Do të thotë se bëhet fjalë për çështje ditësh”, tha për Portalb, Bekteshi.

Në bisedat që kishte Portalb.mk me këshilltarët e komunës, nga të cilët kërkuam informacion lidhur me realizimin e projekteve, na treguan se kryetari nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit si dhe asnjë nga projektet nuk janë në rend dite për diskutim.

“Nuk e dimë se kur do të realizohen projektet, sa kushtojnë projektet as edhe detajin më të vogël lidhur me premtimet që kishte bë Ganiu në fushatën parazgjedhore. Ai nuk komunikon me neve dhe nuk i dimë planet e tija lidhur me realizimin e tyre”, tha për Portalb.mk, ish kryetarja e këshillit të kësaj komune, këshilltarja Xhemile Memetinga partia Besa.

Të njejtën gjë e pohoi edhe këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në këtë komunë, Fatih Qaili.

“Ne nuk kemi asnjë informacion sa i përket projekteve të cilat u premtuan nga vetë kryetari Ganiu në fushatën parazgjedhore, ato nuk kanë qenë fare në rend dite për tu biseduar në mbledhjet e këshillit, në të cilat asnjëherë nuk ka marrë pjesë Ganiu”, tha Qaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat