Donald Tusk: Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj

Maqedonia

Donald Tusk: Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 13:09
Donald Tusk

Kryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup, ku në agjendën e tij janë takimet me krerët shtetëror.

Pas takimit me kryeministrin e vendit Zoran Zaev, Tusk ka mbajtur konferencë për shtyp prej ku tha se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për anëtarësim në BE.

“Maqedonia e Veriut i ka tejkaluar të gjitha pengesat për integrimet euroatlantike. Unë i kam shprehur qëndrimet e mia në korrik, vendi i juaj ka bërë gjithçka që pritej nga ju për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Dua të jetë e qartë se nuk ekziston dyshim në Bruksel për përkushtimin duaj për sundimin e së drejtës. Gjithashtu e dimë se qeveria juaj është e vendosur për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale”.

“Nuk kam dyshime se Maqedonia e Veriut ka cilësi dhe kjo duhet të vlerësohet. Shkupi është vendi më i mirë, prej ku mund t’i ftoj liderët e BE-së për ta bërë punën e tyre, pasi Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj”, tha mes tjerash Tusk.

Ndërsa Zaev në fjalimin e tij para gazetarëve, tha se Tusk gjatë gjithë mandatit të tij është angazhuar që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së.

“Presim që së bashku në tetor të arrijmë qëllimin tonë, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Them së bashku pasi kjo është sukses edhe për BE-në edhe për ne. Presim që BE të fillojë përgatitjet për të nisur procesin e negociatave me vendin tonë. Nuk kam dyshim se me nisjen e negociatave nisim një udhëtim të transformimit të madh të vendit tonë”, tha mes tjerash Zaev.

Ai u shpreh i bindur se muajin e ardhshëm do të takohet sërish me Donald Tusk, ku siç shtoi, do të ndajnë gëzimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat