Banorët e malësisë së Shkupit dhe Kumanovës të izoluar nga bora

Maqedonia

Banorët e malësisë së Shkupit dhe Kumanovës të izoluar nga bora

Më: 12 janar 2017 Në ora: 20:49
Ilustrim

Banorët e malësisë së Shkupit dhe Kumanovës gati një javë kanë mbetur të bllokuar nga reshjet e borës. Ata ankohen se e kanë të vështirë të sigurojnë nevojat e tyre elementare për jetë.

Xhelil Metushi nga fshati Brezë i Karadakut të Shkupit ishte ndër banorët e pakët që kishte depërtuar deri në Likovë për tu furnizuar me ushqime dhe gjësende të tjera elementare, pasi që fshati i tyre është izoluar nga reshjet e borës. Ai thotë se 10 shtëpi janë bllokuar dhe se nuk janë vizituar nga askush.

Të izoluar janë edhe fshatrat Tanushë, Malinë dhe Goshinca. Ekipi i televizionit 21, gjatë ditës së sotme ka tentuar që të shkojmë deri në fshatrat e Karadakut të Likovës e Kumanovës. Por ishte e vështir të arrihet deri atje.
Nga komuna e Likovës thonë se kanë ndërmarrë masa për të pastruar të gjitha rrugët.

“Me kërkesën e banoreve të malësisë, është dashur të bëhet një kërkesë te drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, që na kanë dalur në ndihmë dhe është pastruar fshati Runic dhe Gushincë. Ne kemi intervenuar edhe në fshatrat Allashec e Bellanoc”, tha Gazmend Bakiu, Drejtori i Ndërmarrjes komunale “PISHA” në Likovë.

Nga komuna e Çuçer Sandevës nuk ka përgjigje se përse akoma nuk është intervenuar në pastrimin e rrugëve të banorëve të Brezës, Malinës dhe Tanushës. Në pritje të ndihmës, banorët e këtyre fshatrave apelojnë që sa më shpejt të hapen rrugët dhe të ndihmohen, për shkak të vështirësive për të përballuar dimrin e ftohtë me temperatura të ulta. Sipas tyre, për çdo vit në këtë periudhë të dimrit dhe me reshjet e para të borës kjo zonë malore izolohet në tërësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat