Maqedoni, refugjati sirian pas disa viteve pritet të bashkohet me familjen e tij

Maqedonia

Maqedoni, refugjati sirian pas disa viteve pritet të bashkohet me familjen e tij

Më: 10 qershor 2017 Në ora: 19:58
Nuri Shtaat

Fate, histori të jetës dhe kujtime jo të këndshme mban qendra tranzitore “Vinojug” në Gjevgjeli, e cila tashmë mbi dy vite është vendstrehim për refugjatët të cilët më shpesh vijnë nga Lindja e Mesme. Në këtë vendstrehim dikur në ditë kalonin mijëra refugjatë, ndërsa sot në të gjenden dhjetëra persona.

Nganjëherë në këtë hapësirë të pasigurtë takonim edhe ndonjë histori të lumtur. Siriani Nuri Shtaat, refugjat në qendrën tranzitore “Vinojug”, tashmë dy vite e dy muaj i kalon ditët duke pritur fatin e tij, vizën gjermane. Historia e tij fillon aty ku përfundo?në vuajtjet e familjes së tij pesë anëtarëshe në Siri.

Ai mbetet në shtëpi, në vendin e tij të lindjes, sepse nuk kishte para të mjaftueshme për t’u larguar. Fermën dhe fushat që kishte në pronësi të tij i kishte shitur, por me ato para ishin larguar vetëm të afërmit e tij. Ai qëndroi me shpresën se situata në Siri një ditë do të ndryshojë në të mirë, por çdo muaj i ri i solli vetëm të këqija, kështu që u nis si refugjat në rrugën për në Gjermani që t’i bashkohet familjes së tij.

Edhe pse Nuri nuk shpjegon se si ka mbërritur deri në Athinë, edhe këtu në Ballkan nuk e kanë pritur rrethana të lumtura. Nga Athina në Idomeni udhëtoi me autobus, por trazirat nga viti i kaluar që ishin aktuale në Idomeni të Greqisë dhe padurimin e refugjatëve e ka përjetuar edhe vetë ai, që më në fund të marrë dokumentet për hyrje në Maqedoni.

Udhëtimin nga vendlindja deri në qendrën tranzitore në veri të kufirit të Maqedonisë, në Tabanoc, ai gjithmonë do ta përkujtojë si një përjetim të keq. Me shpresën se përfundimisht do ta kalojë kufirin e Maqedonisë dhe do të vazhdojë për në veri, ai njoftohet se ‘Rruga Ballkanike’ për refugjatët është mbyllur. Nuri, pasi që ka marrë parasysh se kushtet për qëndrim janë më të mira në qendrën tranzitore “Vinojug” në Gjevgjeli, është kthyer prapa duke filluar betejën ligjore për marrjen e vizës për në Gjermani.

“Kurrë nuk kam humbur shpresën se do të arrijë në Gjermani. Kohën këtu e kam përdorur për të mësuar gjuhën gjermane. Kam përdorur çdo moment, kam mësuar edhe tetë orë në ditë që kur të arrijë në Gjermani të di gjuhën”, thotë Nuri Shtaat për Anadolu Agency (AA).

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, më së shumti ka ndihmuar Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë, i cili duke shqyrtuar problemin e tij jep shpresë se ai mund të zgjidhet.

“Kur i dorëzova dokumentet, i dorëzova pa pasaportë. Më thanë se patjetër nevojitet pasaporta, por nga shërbimet e Kryqit të Kuq kisha shpresë. Ata më thanë se nga Ministria e Punëve të Brendshme mund të lëshohet një vërtetim, një dokument ligjor i ngjajshëm si pasaportë. Ndërsa, më vonë, me ndihmën e disa organizatave mora përgjigje se në bazë të atij dokumenti mund të marrë vizë gjermane”, shton Nuri.

Javën e ardhshme, ndoshta, Nuri do të takohet me familjen e tij dhe, siç shpreson ai, festën e Fitër Bajramit do ta presë me të afërmit e tij. Ai thotë se asnjëherë nuk e ka humbur shpresën dhe se Muaji i shenjtë i Ramazanit i ka sjellë bereqet.

Refugjati sirian thekson se thelbi i jetës është barazia e njerëzve dhe se këtë e ka vënë re edhe në Gjevgjeli me sjelljen e mirë të njerëzve ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat