Telefonat e dhuruar zbusin diskriminimin dixhital gjatë pandemisë

Mobile

Telefonat e dhuruar zbusin diskriminimin dixhital gjatë pandemisë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Një organizatë bamirësie në Londër po bashkëpunon për një projekt të ri për dhurimin e celularëve të përdorur familjeve të rrezikuara dhe të izoluara gjatë masave ndaj koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar.

Jayne Couchman nga organizata Southwark Works po shpërndan diçka shumë të veçantë - një shans për t'u lidhur përsëri.

Dërgesa e sotshme është për nënën e vetme 35-vjeçare, Vera Matos.

Pandemia COVID-19 dhe bllokimet prej saj në mbarë vendin kanë qenë veçanërisht sfiduese për nënën e tre fëmijëve - ajo humbi punën që sapo kishte gjetur dhe tani po mbështetet tek asistenca e qeverisë.

"E tmerrshme. Të mos jesh dot me familjen apo pranë tyre, thjesht me dikë për të biseduar. Është një lloj vetmie kur je vetëm me fëmijët, edhe pse ata janë gati të më mbështesin dhe të më bëjnë të qesh; të mungon biseda me të rriturit. Ka qenë ndonjëherë paksa e trishtë, por ja kemi dalë mbanë", thotë ajo.

Ky celular inteligjent i përdorur, një iPhone i kompanisë Apple, do të thotë që fëmijët e saj të vegjël tani do të kenë mundësi të vazhdojnë shkollimin nga shtëpia.

Më parë, ata po vepronin me vetëm një pajisje. Fëmijët e saj nuk kanë qenë në gjendje të flasin me mësuesit e tyre prej disa javësh.

"Nëse e vë një prej fëmijëve të bëjë detyrat e shtëpisë ose punën e shkollës në mëngjes, tjetri duhet të presë. Derisa t'i vijë koha tjetrit, ata nuk janë më të motivuar dhe kjo e mposht tërë qëllimin e shkollimit në shtëpi", shpjegon zonja Matos.

Projekti "Community Calling" është rezultat i një bashkëpunimi midis firmës së telekomunikacionit O2 në Mbretërinë e Bashkuar dhe organizatës së bamirësisë mjedisore Hubbub.

Prova fillestare një-mujore filloi me 800 aparate - ato fshihen, pastrohen dhe rivendosen në kuti në një qendër riciklimi të teknologjisë. Çdo telefon vjen me një muaj të parapaguar lidhjeje interneti, telefonatash dhe mesazheve me tekst.

Tani ata shpresojnë ta zgjerojnë provën duke i bërë thirrje publikut për më shumë telefona të dhuruar.

Drejtori i organizatës Hubbub, Gavin Ellis, thotë se ka shumë aparatura të panumërta të papërdorura që mund të lidhnin familjet dhe miqtë.

"Katër telefona rrinë të papërdorur në Mbretërinë e Bashkuar, për çdo telefon që përdoret", thotë ai. "Pra, kjo është një sasi e madhe burimesh në thelb të vlefshme që janë thjesht duke mbledhur pluhur në sirtarët e njerëzve. Dhe atëherë supozoj se pyetja pas kësaj është se çfarë u ndodh pas qëndrimit në sirtar. A përfundojnë thjesht në kosh?", thotë zoti Ellis.

Për disa, masat bllokuese kanë rritur vetminë dhe izolimin.

Southwark, në jug të Londrës, është një nga bashkitë e goditura më keq në kryeqytetin britanik, për sa i përket rasteve të konfirmuara të COVID-19.

Zonja Couchman, organizata bamirëse e së cilës ndihmon banorët për punësim dhe trajnime, thotë se kriza e koronavirusit ka zmadhuar një problem ekzistues.

"Mendoj se kemi qenë të vetëdijshëm se ka pasur ndonjë përjashtim dixhital në zonën tonë shumë kohë para COVID-19 dhe izolimit. Por padyshim, gjatë izolimit, fakti që njerëzit nuk kanë qasje në një pajisje ose në wi-fi, sapo e ka zmadhuar këtë problem”, thotë ajo. "Edhe nëse kjo do të thotë thjesht një pajisje shtesë në shtëpi, mund të nënkuptojë që fëmija mund të përdorë një pajisje dhe prindi ka një në të njëjtën kohë. Pra, vërtet mund të bëjë një ndryshim të madh", thotë zonja Couchman.

Një pajisje e vogël që mund të bëjë një ndryshim të madh./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat