Ansambli kombëtar i këngëve e valleve mbajti koncert në Gjakovë

Muzikë

Ansambli kombëtar i këngëve e valleve mbajti koncert në Gjakovë

Më: 26 prill 2022 Në ora: 23:21
Ansambli kombëtar i këngëve e valleve mbajti koncert në Gjakovë

​Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve i Shqipërisë ka mbajtur sonte koncert në Gjakovë.

Koncerti ishte pjesë e kalendarit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe si i tillë është planifikuar të mbahet edhe më 27 prill në Gjilan dhe më vonë në Shkup.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, mbajtjen e këtij koncerti e ka konsideruar si të rëndësishëm për kulturën.

Gjini: Kemi art e kulturë

"Ka qenë një natë e jashtëzakonshme pas shumë kohësh Ansambli kombëtar këngëve dhe valleve e kemi pasur në Gjakovë...Sado që ne arritëm të bëjmë çfarë të duam, këto natë mbahen mend. Kemi art, kulturë, por janë disa net që kulmojnë dhe jam shumë i lumtur që ka ndodhur kaq mirë", theksoi Gjini.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi tha se aktivitetet e tilla duhet të jenë më të shpeshta në të ardhmen.

Minxhozi: Këtu ishte gjithë Shqipëria e Kosova

"Është një natë magjike, një publik patriotik, artdashës, çdo gjë kishte sonte Gjakova... Këtu ishte gjithë Shqipëria, Kosova, ishte arti kombëtar të cilën ma do mendja gjithsecilin qe ishte prezent në sallë më pëlqeu. Aktivitet e tilla do të jenë në vijueshmëri në Kosovë, të cilat do të ndikojnë shumë për bashkimin dhe për kuptimin e verave kombëtare të artit tonë që është i pavdekshëm", tha ai.

Drejtori i Artistik i Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, Sokol Marsi ka thënë se ishte një natë e paharrueshme.

Marsi: Ishte një natë e pa harruar

"Ishte një natë e paharrueshme, një publik shumë i ngrohtë. Më ka ardhur mirë sepse të gjitha këngët publiku i njihte dhe i këndonte bashkë me artistët në skenë, dhe kjo ishte një gjë shumë e veçantë. Një kënaqësi të madhe na dhanë edhe grupet e valles që performuan shumë valle të bukura...E kisha bindjen që në Gjakovë do të shkonte një koncert shumë i bukur, sepse Gjakova është qytet i artit, muzikës dhe traditave", tha ai.

Ndërsa këngëtari Shkëlzen Jetishi ka thënë se ka munguar një emocion i tillë, dhe ka kërkuar që të përsëriten sa më shpesh aktivitete të tilla.

Jetishi: Ishte një emocion që s’e kemi pasur qe sa kohë

"Ishte kënaqësi e veçantë sonte, një emocion që s’e kemi pasur qe sa kohë. I përgëzoj të gjithë artistët që morën pjesë sonte, t'i kemi sa më shpesh në Kosovë", tha ai.

Ndryshe, turneu i Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë është konsideruar si historik pasi zhvillohet pas shumë vitesh në këtë lloj organizimi. Vlerat e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valle tashmë 65 vjet janë vlera kombëtare. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat