Në përkujtim të martireve të Qarrit, me rastin e 74 vjetorit të pushkatimit të pafajshëm

Opinione

Në përkujtim të martireve të Qarrit, me rastin e 74 vjetorit të pushkatimit të pafajshëm

Nga: Tefik Ramadani Më: 7 janar 2019 Në ora: 16:55
Qarr

Nesër bëhen 74 vjet nga dita e marrjes me dhunë të 20 Qarralive dhe të një mysafiri nga Ramabuca.

Kjo ka ndodhur pikërisht me 7 janar të vitit 1945, ditën e parë të krishtlindjeve ortodokse, kur vie në Qarr për t‘u hakmarrë brigada e XVI partizane, për humbjen e tmerrshme që kishin pësuar në betejën e njohur të Qarrit, në dhjetorin e vitit 1944. Kjo brigadë bënë tmerre në Qarr, duke ua vënë zjarrin shtëpive dhe duke therrë bagëtinë.

Me tradhti, kjo brigadë i merr të gjithë meshkujt mbi moshën 18 vjeqare që në ato momente ndodheshin në fshat dhe i pushkaton (21 meshkuj të pushkatuar, të cileve as sot nuk u dihen varret).

Dyshohet se nuk janë dërguar në Gjilan, por janë pushkatuar të fshati serb Domoroc (te plehnat e Domorocit), buzë lumit Kriva Reke, dhe janë hudhur të gjithë në një gropë.

Për një qime floku shpëton Hakia i Sadrisë (i cili ka vdekur para 3 viteve në Prishtinë).

Me poshtë po japim listën e Qarralive të pushkatuar në janar të vitit 1945, nga Brigada e XVI Serbo-Maqedone.

Këta janë: Qazim Ramë Ahmeti (gjyshi i autorit të këtyre rreshtave), Destan e Rufat Azemi babë e bir, Arif e Tafil Ajvazi vëllezër, Hamit, Habim, Zejnulla e Jashar Reshit Veseli të gjithë vëllezër (kishte shpëtuar vetëm Asllani që ishte në internim në Gjermani), Sadri, Ramiz e Rexhep Sherifi vëllezër dhe djali i Rexhepit, Lazimi.

Brahimi Halitit, Rizahi Ramizit,Gjelili Halimit dhe Racipi Behlulit të gjithë të lagjes së Brahimeve. Oruci dhe Hyseni Ibishit vëllezër, si dhe Rizadi Ramizit nga lagja e Danovite. Ishte marr dhe pushkatuar edhe Ramiz Rexhepi, një djalë i ri nga Ramabuca i cili rastësisht kishte qëlluar mysafir te motra e vet në Qarr. Vetëm në dy-tri familje të Qarrit nuk merret asnjë mashkull.

Destani (djali i Rufat Azemit) ishte djalë i ri dhe sapo ishte martuar. Gruan e kishte lanë shtatëzanë. Ajo e kishte lindur djalin Sahitin dhe kurrë s’ishte martuar më. Ishte sakrifikuar për djalin e vetëm.

Si bij të Qarrit kemi dështuar në përkujtimin e tyre dhe kjo nuk na falet.

Shfrytëzoi rastin që t’u bëjë apel kryetarëve të komunave Gjilan dhe Kamenicë,(zotërinjve Lutfi Haziri respektivisht Qëndron Kastratin) që në përkujtim të këtyre martireve, së paku nga një rrugë ta emërtojnë me emrin “Martiret e Qarrit”.

Besoj qe kjo nuk është kërkesë e tepruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat