Shkurt për protesten - Bota Sot
Shkurt për protesten

Opinione

Shkurt për protesten

Nga: Leonora Laçi Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 17:43
Leonora Laçi

Në Shqipëri protestat nuk kanë rezultate, as nuk bëhen për rezultate por thjesht si tatime pulsi sa për të futur frikën. Te ne bëhen eksperimente që po i afrohen dekadës së tretë për ta rrumbullakosur si duhet politikën shqiptare e për ta quajtur një RRUMPALLË.

Nëse do më pyesnin PSE dhe KUR do të protestoja, do të listoja një varg arsyesh që shumë prej jush parimisht do të ishit dakort me mua, por derisa rezultati i politikës sonë është ky që është, atëherë i bie që praktikisht askush nuk është dakort me mua.

Për çfarë do të protestoja ?!

Unë do të protestoja për një bashkëpunim, komunikim, dialogim, rrahje ideshë, debate frytëdhënëse pozitë -opozitë. Do të protestoja për realizimin e kushteve të hyrjes në BE dhe gjetjen e mundësive sesi të realizohen këto kushte dhe jo për interesat e njerës palë mbi tjetren. 

Do të protestoja për uljen e çmimit të naftës, për faktin që është shtrenjtuar jetesa, për mjekësinë realisht falas, për një Shqipëri sociale.

Do të protestoja për mbështetjen e emigrantëve shqiptarë nëpër botë që ndjehen të huaj kur kthehen këtu, po aq sa mbesin të huaj në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Do protestoja për zhvillimin e politikave që shqiptarët të mos kenë arsye për të migruar.

Do të protestoja që pagesa e taksave të kthehet në shërbime. Të protestoja për cilësinë e ujit, ajrit, ushqimeve, përmirsimin e shërbimeve që na ofrohen etj.

Unë nuk dua të rrëzohet një palë e të vijë në pushtet një tjetër. Unë dua që mazhoranca dhe opozita t’i përgjigjen votuesve e mosvotuesve të vetë. Ne nuk jemi një i nënës e një i njerkës.

Dua një opozitë që merret me problemet reale të Shqipërisë dhe jo me propaganda, t’i evidentojë ato e të tregojë rrugët e zgjidhjes dhe kjo nuk bëhet me sharje të familjeve të njeri tjetrit, jo me show parlamentar, as me miell, as me bojë, as me vezë, por kjo po më duket më utopikja.

Mua më interesojnë strategjitë afatgjatë për një demokraci të qendrueshme dhe jo plane që marrin fonde e kurrë nuk vihen në zbatim, ose dhe kur implementohen do të hidhen anash me të ardhur të tjerë në pushtet. 

Unë do protestoja për ngritje sheshesh që arkitektët e specialistët të mendonin për çdo detaj dhe jetëgjatësia e këtyre veprave të ishte më e gjatë se pushteti i asaj partie.

Unë do të protestoja që arsimi të jetë cilësor, e jo se këtë do e bëj ndryshimi i qeverisë, këtë e bëjnë njerëzit apolitik kurrsesi militantët. Nuk dua konkurse mbi konkurse, portale qeveritare e institucione paralele që i prishin punë njëra-tjetres, që demonstrojnë bindshem që  Kryeministri nuk i beson as hijes së vet, le më vartësve.

Dëshiroj të shoh zgjidhje për krizen e universiteteve dhe jo hedhje fajesh, duke larguar vemendjen, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Unë do të protestoja për përdhunimet që na bëhen çdo ditë në forma të ndryshme, për X-en, për ne tjerët që e mbysim së dyti me komentet tona, për portalet e mediat apo qeverinë që në vend që ta mbrojnë e demaskojnë i drejtohen me gisht, dhe për atë pjesë të shoqërisë që heshti duke i miratuar veprimet e abuzuesve.

Do të protestoja për vendosjen në krye të vendit njerëz me integritet, njerëz që nuk e shohin karrigen e parlamentit si karrige të përjetshme plot rahatllik, por për njerëz që janë të vetëdijshëm për pozicionin ku janë.

Do të protestoja që të mos lejoja shit-blerjen e votës si rruga më e shkurtër drejt pushtetit në vend që të punojnë për ta merituar pozitën që kërkojnë.

Opozitën reale nuk e bënë ai që është bashkëfajtorë në pushtet. Opozitën e bënë ai që s’ka interesa në mes.

Unë dal shesheve për kauza e jo fjalë.

Unë nuk dal shesheve për flamuj.

Unë dal shesheve për modele.

Unë dal shesheve për Shqipërinë që duhet të ishte dhe jo Shqipërinë që është.

Unë dal shesheve për ndryshim të mentalitetit të politikëbërjes.

Deri atëherë shumë ujëra do të rrjedhin dhe unë s’do të jem në mesin tuaj duke parë sesi shkyni copat e mbetura të Shqipërisë Evropiane që do të mbesë një kandidate e përjetshme si Kadareja për Nobelin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...