Kosova, dy herë shpallët “shtet i pavarur dhe demokratik”!?

Opinione

Kosova, dy herë shpallët “shtet i pavarur dhe demokratik”!?

Nga: Msc. Adem Lushaj Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 12:43
Msc. Adem Lushaj

Jemi në prag të festimit të 11-vjetorit të  “shpalljes së pavarësisë” së  Republikës së Kosovës. Njëmbëdhjetë vite më parë (17 shkurt 2008), Kuvendi i Kosovës me deklaratën e lexuar nga ish Kryeministri, Hashim Thaçi, kishte shpallë Kosovën "shtet të pavarur dhe demokratik". Pra, të dielën (17 shkurt 2019), mbushën njëmbëdhjetë vite nga kjo ngjarje e madhe historike, e përkrahur edhe nga disa shtete të bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu, me 2 korrik 1990, me deklaratën e lexuar nga Muharrem Shabani, deputetët e Kuvendit të Kosovës (edhe pse nën masa të dhunës shtetërore serbo-sllave, dhe pa ndonjë përkrahje legale nga bashkësia ndërkombëtare), kishin marr vendim që Kosovën ta shpallin “shtet të pavarur e demokratik”, e që njihet si “Deklarata e Pavarësisë”. 

Bazuar në "Deklaratën e 2 Korrikut", ishte nxjerrë edhe “Kushtetuta e Kaçanikut” (7 shtator 1990)  dhe organizuar “Referendumi për pavarësi”. Edhe këtë ngjarje, shqiptarët e vlerësojnë si ngjarje të madhe historike, në rrugëtimin për liri dhe demokraci.
Pra, shqiptarët në Kosovë, çdo vit shënojnë dy data historike që kanë të bëjnë me shpalljen e “pavarësisë” së Kosovës. Që të dyja kanë specifikat e tyre.
Përderisa, para njëmbëdhjetë vitesh kjo ngjarje ishte në koordinim të hapur me faktorin ndërkombëtar (SHBA-të) dhe pa presion të dhunës shtetërore serbo-sllave, ajo e para njëzet e tetë vitesh, ishte ngjarje e shënuar para dyerve të këtij Kuvendi, dhe nën kërcënimin, ushtarako-policor të asaj kohe.

Funksionimi i institucioneve të asaj kohe (Parlamenti dhe Qeveria), të prira nga ish presidenti, dr. Ibrahim Rugova, ishte vënë në vështirësi nga presioni dhe dhuna që ushtrohej nga terrori shtetëror serbo-sllavë. Mirëpo, përkundër dhunës dhe represionit, këto institucione merrnin vendime, pa pyetur Qeveri apo institucione të shteteve armike. Ndërsa tash, në këtë kohën e pavarësisë që kemi, do kisha dëshirë të di, se cilat vendime merren pa ndërhyrje ndërkombëtare dhe pa pyetur qeverinë e Serbisë.

Në atë periudhë të vështirë të historisë sonë krenare, kishim shpresën se e ardhmja ishte për NE, për lirinë dhe demokracinë e plotë të këtij vendi. Edhe pse ishte e vështirë të kalonte ditë pa maltretime, burgosje dhe vrasje, kishim vetëbesim dhe unitet, ngase ishte në ballë të zhvillimeve, njeriu me vizion të qartë, lideri i shqiptarëve të asaj kohe, presidenti Rugova.

Tash pas njëmbëdhjetë vitesh të pavarësisë, me të gjitha institucionet funksionale dhe prezencën ndërkombëtare, mbretëron zhgënjimi, krimi dhe korrupsioni, e të menduarit për ikje nga ky vend, duke bërë që shpresa që kishim dikur, të jetë e heshtur.

Pra, janë dy data (ngjarje) të mëdha historike për Kosovën, në të cilat Kosova shpallët “shtet i pavarur dhe demokratik”!? 
Urime “Pavarësia e Kosovës”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat