Lehtësia, mungesa e profesionalizmit apo keqpërdorimi me repertorin e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës!? - Bota Sot
Lehtësia, mungesa e profesionalizmit apo keqpërdorimi me repertorin e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës!?

Opinione

Lehtësia, mungesa e profesionalizmit apo keqpërdorimi me repertorin e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës!?

Nga: Robert Nuha Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 17:19
Robert Nuha

Trupa e Baletit të Kosovës është i vetmi institucion buxhetor në Republikën e Kosovës në fushën e baletit profesionist. Në mungesën e një konkurrence të brendshme, si e tillë ajo ka përgjegjësinë e madhe të investojë në cilësi, ide dhe qasje origjinale në ç’do produksion të repertorit të saj. Ky obligim i patjetërsueshëm ka ndikim direkt jo vetëm në kultivimin e shijeve të publikut tonë, por duhet dhe i ka mundësitë e përfaqësimit dinjitoz në qendra dhe Festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Te gjithë e dimë sa e rëndësishme është të tregojmë vlera e cilësi jashtë Kosovës, duke filluar nga rajoni, Evropa etj. Ky institucion, padyshim duhet dhe mundet të përfaqësojë nivele krahasuese me simotrat e saj  Ballkanase, Evropiane e më gjerë.

Ky shkrim mori shkas nga 3 produksionet e fundit që janë vënë në skenën e trupës sonë të baletit nga 3 “koreografë”, që në rastin më të mirë do të quheshin fillestarë…. të cilët nuk plotësojnë as minimumin e dëshmive dhe kualiteteve  të cilat ky institucion nuk guxon ti shkelë.

Në harkun kohor të një viti, çuditërisht në mënyrë të papritur, shfaqen në skenën e koreografisë sonë jo një por tre persona të pa certifikuar, të panjohur, pa përvojën minimale koreografike për të ndërtuar shfaqje të plota të dramaturgjisë së lartë të baletit. 

Në opinionin tim dhe të shumë profesionalistëve të fushës, që çuditërisht nuk prononcohen për media, shfaqjet “Pa mure” me koreografi të Teauta Krasniqit, “O. Taka” me koreografi e muzikë të Sinan Kajtazit, dhe së fundi shfaqja “Andërr” e Kreshnik Musollit, shënojnë pikën më të ulët të krijimtarisë koreografike në Kosovë. Ne këto shfaqje reflektohet niveli gati amator i këtyre “krijuesve”, bie në sy mungesa e ideve, varfëria e gjuhës koreografike, qasjet e vjetruara, mungesa e një  koncepti të qartë, si dhe mos qëllimi i qasjes së tematikave përkatëse. 

Image

Sigurisht për të bërë një analizë profesionale të këtyre shfaqjeve (nuk e di nese do t’ja vlente) nuk do të mjaftonte një shkrim si ky, qëllimi i të cilit nuk është thjesht dhe vetëm analiza e tyre.

Nga ana tjetër duhet përmendur se kjo trupë e rikrijuar pas lufte, pati shënuar disa suksese të rëndësishme nëpërmjet realizimit të krijimeve koreografike cilësore dhe kompetitive. Këtu do të përmendja shfaqjet “Aty ku bie drita” me koreografi të Antonio Pio Fini, “Performancë” me koreografi të Gjergj Prevazit, “Friendly Fire” me koreografi të Arthur Kuggeleyn, “Rikompozim” me koreografi të Christophe Beranger & Jonathan Pranlas-Descours etj. Këto shfaqje kanë qenë jo vetëm të suksesshme, por në njëfarë mënyre kanë treguar edhe kapacitetet më të mira të trupës sonë. Ato kanë mundur të jenë modele se si do të qasej repertori i trupës së Baletit Kombetar të Kosovës. Në mënyrë të pabesueshme, këto arritje nuk i kanë shërbyer drejtuesve të këtij institucioni, por situata me repertorin ka pësuar një rënie të lirë për të cilën ndjehem realisht i keqardhur. 

Pyetja që shtrohet është se kush janë arsyet profesionale që kanë shtyrë drejtuesit e këtij institucioni në këtë vendimmarrje? Kush janë përgjegjësit që paratë e taksapaguesve kosovarë të shkojnë për autorë që nuk kanë asnjë certifikatë zyrtare për të ushtruar profesionin e koreografit? A janë të diplomuar këta persona në fushën e koreografisë? A kanë këta një experiencë të mjaftueshme dhe të certifikuar nga institucione të specializuara kombëtare apo ndërkombëtare (stages, konkurse, festivale, eksperienca krijuese me trupa apo individë të tjerë brenda dhe  jashtë trupës së Baletit të Kosovës)  të paktën në  miniaturën koreografike (solo, duo, trio, koreografi të shkurtra)? A kanë dhënë këta garancinë minimale të “suksesit” të shumëpritur? A kanë dhënë këta prova të mjaftueshme për t’i besuar jo pak por tre produksione të mëdha që financohen direkt dhe vetëm nga buxheti I Ministrisë së Kulturës? A ka analiza të specializuara të këtyre produksioneve, dhe a ka pasur një reflektim për nivelin e dobët krijues?

Nga ana tjetër a nuk është ky një shembull negativ që zhvlerëson dëshirën për shkollim në nivel universitar të talenteve kosovarë. A dekurajon kjo politikë repertori ata persona që sakrifikojnë mjete, kohë e vullnet për të investuar në përvetësimin e njohurive të thella artistike e profesionale ne fushën e koreografisë? Pse kaq e lehtë qenka të transformohesh nga balerin në koreograf pa diplomën përkatëse? Natyrisht që një diplomë nuk të bën automatikisht koreograf apo krijues me vlera. Po ajo është dëshmia minimale e një profesionisti, është garancia institucionale më e besueshme.

Këto janë pyetje retorike, që kanë si synim të zgjojnë interesin e vetë trupës në radhe të parë, së dyti të Ministrisë së Kulturës, të komunitetit artistik dhe padyshim të opinionit publik në përgjithësi.

Do të mjaftonin çështjet e ngritura më lart për të parë e reflektuar se si orientohet dhe aplikohet profesionalizmi në fushën e koreografisë dhe baletit në Kosovë, si dhe për ç’farë shkojnë mjetet tona buxhetore. Por fatkeqësisht problemi nuk mbyllet këtu.

Në dijeninë time z. Sinan Kajtazi, (momentalisht ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës) në kohën kur është marrë vendimi për të realizuar shfaqjen “O.Taka” si koreograf dhe kompozitor, ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues (për t’u verifikuar). Nëse do të ishte kështu, a është ky një konflikt i pastër interesi? A do të zgjonte ky rast interesimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Dhe së fundi, a ka raste të ngjashme me institucione të tjera në varësi nga Ministria e Kulturës së Kosovës si p.sh. në Teatrin Kombëtar apo në Ansamblin “Shota”ku një anëtar, apo më keq akoma, një kryetar i Këshillit Drejtues do të firmoste e vuloste një shfaqje për vetën e tij?

Në opinionin tim por edhe të shumë kolegëve, Baleti Kombëtar i Kosovës është transformuar në një “Bunker”, ku vendimmarrja është atribut I vetëm një grupi njerëzish brenda një rrethi vicioz, duke mos lejuar përfshirjen e profesionistëve të tjerë, sado të rinj, të aftë apo të diplomuar të jenë. Pra kjo situatë  duket më tepër si një klan interesash të vogla e të ngushta, që nuk përfaqësojnë interesin e madh publik e shoqëror në drejtim të vlerave më të mira artistike e më përfaqësuese të Republikës së Kosovës.  A do të vazhdohet akoma kështu?

Sigurisht pa harruar traditën dhe arritjet e mëparshme, Baleti Kombëtar i Kosovës, dhe në përgjithësi koreografia kosovare ka nevojë për t’u hapur më tej, ka nevojë për më shumë bashkëpunime me profesionistë shqiptarë e të huaj, ka nevojë për një drejtim më profesional e më efikas.

Autori është Master në Koreografi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...