A kanë të drejtë shqiptarët të protestojnë kundër Ramës ? - Bota Sot
A kanë të drejtë shqiptarët të protestojnë kundër Ramës ?

Opinione

A kanë të drejtë shqiptarët të protestojnë kundër Ramës ?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 24 shkurt 2019 Në ora: 10:48
Sherif Ramabaja

Po shpërtheu dhuna, të cilën askush se dëshiron, përgjegjësinë nuk mund ta hudh vetëm në taborrin tjetër. Për kaosin e krijuar përgjegjësinë më të madhe e mbanë vetë kryeministri Rama.

 Në çdo shoqëri demokratike janë të lejuara protestat si shprehje e pakënaqësisë. Në Shqipëri, kemi rastin kur kryeministri Rama i injoroi protestat e studentëve, duke tentuar që  t´i manipuloi e t´u jap kahje tjetër, gjoja se opozita qëndronte pas tyre. Studentët ishin aq të sinqertë, saqë nuk lejuan asnjë forcë politike t´u bashkohej apo të flas në emër të tyre. Ata kërkuan vetëm kushte më të mira studimi dhe mundësi për të pasur një standard solid, që mos të kërkonin lëmoshë. Klithma e tyre ishte, ndihmë. Studentët, ishin ata që u ranë më në fund këmbanave të alarmit, sepse shteti po qalonte. Kryeministri Rama, vepron dhe bën si ia don çejfi. Ai tashmë kontrollon gjithçka. Ai u mundua të hartonte ligjin, që t´i sillte para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë guximin të shkruajnë kundër tij. Shqipërinë e paraqet ashtu si e sheh ai. Vetë jeton mirë, ka standard të lartë, rrethi i tij po ashtu jeton në kushte përafërsisht të njejta, prandaj ai mendon se të gjithë shqiptarët jetojnë në kushte të tillë, të cilat ai i ka. Punë ka për të gjithë, thotë ai, vetëm njerëzit duhet që të jenë specialistë të fushave të ndryshme. Po ata që s janë specialistë..!

Akuzave për korrupsion, zbrazjen e vendit nga të rinjtë, lidhjet e pjesëtarëve të qeverisë me krimin e organizuar, droga, dështimet e premtimeve, varfëria, papunësia, paperspektiva etj, të gjitha këto kryeministri Rama, i mohon. Fajin ua hudh të tjerëve  edhe opozitës. Kryeministri, “Suksesin e punës së tij” e paraqet përmes Twitter, suksese që vetëm ai dhe aparati i tij qeverisës i zbulojnë dhe i shohin.

Shqiptarët  po të jetonin si duhet dhe t´u shkonin punët mbarë, askush nuk do të arrinte t´i mobilizonte për protesta.

Në të kundërtën, kur jeta është bërë e padurueshme, mjerimi e hallet kanë kapluar çdo familje dhe “Rilindja” e kryeministrit mbetet vetëm në letër, atëherë populli ka të drejtë të kërkoj llogari. Shtrohet pyetja, nga kush mund të kërkohet përgjegjësia?

Nga protestuesit po dëgjohet thirrja : “Rama ik”. Thirrje të tilla u dëgjuan edhe ndaj Erdoganit, po ai me represalje bëri kërdi ndaj një pjese jolojale të popullit të vetë.

Ndaj Maduros në Venezuelë po protestohet dhe gjysma e botës po kërkon që ai të ikë, po ai po përdor forcën ndaj protestuesve. Në Serbi po protestohet me muaj ndaj Vucicit, po edhe ai po e fajëson njisoj si kryeministri Rama opozitën, se duan që t´ia marrin pushtetin në tavolinë.

 Njësoj bën edhe kryeministri Rama, pra po e fajëson opozitën. Dështimet e veta mundohet t´i mbuloi me ndërrimet e aparatit qeveritar. Me vite të tëra tallet me opozitën, e minon bashkëpunimin me ta, i frenon reformat në drejtësi, nuk e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjë që po akuzohet se, ai vetë mund të jetë pjesë e strukturave të tyre. I frynë me sa fuqi që ka, zjarrit të përqarjes dhe në fund fajin ua hudh të tjerëve dhe opozitës. Në prak të fillimit të protestave iu kërcënua protestuesve se policia do ta zbatoi ligjin. Pas protestave sërish filloi në stilin e vjetër. Mund të bisedojmë, po pushteti jam unë. As nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe as qeveri teknike. Mandatet mund t´i sosni, po ne vazhdojmë tutje, tha ai. Pra tutje do të thotë, jo të ecet përpara as të vendnumërohet, po të shkoi mbrapa.

Shqipëria nuk është vetëm e Edi Ramës

Shqiptarët nuk duhet të protestojnë vetëm në baza partiake dhe të përçahen për interesa të politikanëve, po të mendojnë për të ardhmen e vendit. Edhe pjesëtarët e Partisë Socialiste, nëse e shohin se vendi po rrezikohet nga strukturat mafioze duhet   t´u bashkohen protestave. Të kërkojnë llogari nga kryeministri i tyre dhe me protesta paqësore të kërkojnë zgjidhje. Opozita po kërkon vetëm zgjedhje të lira, e jo ta rrëmbej pushtetin. Duhet të fitoi ai që e merr votën e popullit dhe ta orientoj vendin drejt përparimit. Po vazhdoi kështu, kryeministri shqiptar Rama, Shqipërinë do ta orientoi drejt një diktature.

Kryeministri Rama duhet ta dij se Shqipëria është mbi të gjitha. Shqiptarët nga do që janë kërkojnë prej tij që të lëvizë nga pozicioni dhe të ofroi zgjidhje. Nuk mjafton që të deklarohet se është i gatshëm për dialog me opozitën.

Seancat dhe dialogu parlamentar, vetëm sa e kanë thelluar krizën. Bashkëpunimi me opozitën dhe secilën parti ka munguar, gjë që e ka sjellur vendin në këtë pozitë në të cilën është. Po shpërtheu dhuna të cilën askush nuk e dëshiron, përgjegjësinë nuk mund ta hudh vetëm në taborrin tjetër. Për kaosin e krijuar përgjegjësinë më të madhe e mbanë vetë kryeministri Rama. Shqipërinë, nuk  mund ta kthej prap në kohën e E. Hoxhës. Këtë duhet ta ketë të qartë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...