Platforma “kemi bërë” të zëvendësojë sloganin “do të bëjmë”

Opinione

Platforma “kemi bërë” të zëvendësojë sloganin “do të bëjmë”

Nga: Adem Breznica Më: 21 gusht 2019 Në ora: 15:17
Adem Breznica

Fushatat elektorale janë shndërruar në panaire gënjeshtrash parazgjedhore që, në mënyrë krejt legjitime, kanë rënë në dorën e subjekteve politike, të cilat, në shumicën e rasteve, i përdorin ato si karrem për grumbullimin e sa më shumë votave deri në ardhjen e tyre në pushtet. Pastaj, pasi t’u ketë funksionuar për mrekulli ky instrument manipulimi, dhe të kapin institucionet në dorë, pazari i partive fituese reduktohet në përmbushjen e ambicieve klanore, brenda hordeve të tyre, ndërkaq interesi i shtetit dhe i qytetarëve lihet mënjanë.

Këtij lloj “parimi”, që është bërë rregull në Kosovë, në vend se të ishte përjashtim si kudo tjetër në Evropë (pa Ballkanin), ditë e më shumë po i shfaqet boja e vërtetë edhe në sytë e qytetarëve. Përqindja e ulët e daljes në zgjedhje dhe emigrimi gjithnjë në rritje i popullsisë janë treguesit më të qartë se shumica e njerëzve nuk ju besojnë premtimeve elektorale.

Prandaj, kësaj radhe, partitë dhe koalicionet politike do duhej ta zhvendosin fushatën elektorale në retrospektive, duke iu referuar bëmave të tyre, gjegjësisht sa i kanë dhënë dhe sa i kanë marrë Kosovës.

“Ne kemi bërë dhe sërish do të bëjmë”, “Ne nuk kemi vjedhur dhe kurrë nuk do të vjedhim”, dhe referenca të ngjashme, do duhej të bëheshin platforma zëvendësuese të sloganeve tradicionale si “Ne do të bëjmë këtë ose atë”, “Ne do ta luftojmë korrupsionin posa të vijmë në pushtet”, e rrena të ngjashme.

Në këtë mënyrë, përveç elektoratit të vet me të cilin i lidh interesi i ndërsjellë, subjektet politike do të mund të përthithnin elektoratin e papërcaktuar, 18-20 (24) vjeç, të cilët posa e kanë fituar të drejtën për të hedhur votat e tyre të pasherr në kazanët e shqyer zgjedhorë.

Pa dyshim, varësisht prej bëmave, do të ketë edhe lëvizje të elektoratit tradicional.

Nëse këtë prezantim hezitojnë ta bëjnë subjektet politike, atëherë do duhej t'iu “ndihmonin” mediat dhe shoqëria civile, duke i portretizuar kandidatët e të gjitha partive që synojnë poste ligjvënëse (dhe të tjera), pavarësisht se kjo transparencë mund edhe të mos iu pëlqej shumicës prej tyre.

Ndryshe, nëse edhe mediet e shoqëria civile nuk e bëjnë këtë ri-kujtesë, atëherë mos të thirren tek pavarësia dhe mos kapja e tyre nga politika dhe grupet e interesit.

Kosovës, me dy shifra si shtet, i duhen subjekte transparente, institucione të pastra dhe përfaqësues kredibil që mbështeten tek baza e tyre retrospektive e shëndoshë për një perspektivë të sigurt, pa pasur nevojë ta premtojnë atë në fushata elektorale.

Adem Breznica, gazetar dhe profesor i historisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat