Niveli i (mos) pastërtisë në Komunën e Tuzit

Opinione

Niveli i (mos) pastërtisë në Komunën e Tuzit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 25 tetor 2019 Në ora: 08:03
Gjekë Gjonaj

Malësia është  trevë e dashur. Me traditë shqiptare.   E bukur. Mikpritëse.  Djep i artit, kulturës, arsimit dhe vlerave të pafundme,  në muret e së cilës  dukshëm shkruhet historia e saj shekullore  për të cilën  shqiptarët malësorë janë    krenarë dhe i ruajnë me fanatizëm. Vatër e fushëbetejave epike dhe e kthesave dramatike; Çdo pëllëmbë e saj është një thesar i paçmueshëm.  Të gjitha këto  dhe  vlera  tjera të saj  do të veniten  nëse  ajo  do të ndotet  nga mbeturinat.

Kjo trevë e lashtë nesër meriton të duket më e pastër, më e rregulluar. Rrugët, trotuaret, deponimet ilegale të mbeturinave , janë hapësira tona. Ato pasqyrojnë  kujdesin e qytetarëve të Malësisë, kulturën dhe edukatën tonë. Prandaj është e nevojshme që  ne   të mos bëjmë  asgjë më shumë veç  të pastrojmë ambientet publike, ashtu si i mbajnë shtëpinë.

Aksioni i organizuar pak ditë më parë i të rinjve  vullnetarë nga  fshati Traboin i  Hotit të Malësisë  në pastrimin e rrugëve lokale është një lajm i mirë, i cili duhet të frymëzojë të gjithë qytetarët e kësaj komunë  të re  dhe t’i paralajmërojë  ata për një angazhim  maksimal gjatë gjithë vitit në ruajtjen e ambientit të pastër.  Nuk ka sesi të  mos ndjehesh i kënaqur  kur  vëren se Malësia sot ka rini që di dhe ka vullnet të kujdeset për ambientin e tyre. Kjo për faktin se  pastërtia  e mjedisit  ka ngjashmëri me mbajtjen  pastër dhe të rregullt të shtëpisë. Ashtu sikurse kemi nevojë të mbajmë pastërtinë brenda dhe përqark shtëpisë, po aq  edhe ambienti  rrethues ka nevojë të pastrohet me kujdes. Porosia e këtij aksioni është që të largohet së paku një mbeturinë nga toka dhe të mbillet  një lule apo fidanë.  E kemi obligim që të kujdesemi për hapësirat publike dhe  për   këtë arsye duhet  të gjithë ta mbështesim këtë fillim të mbarë të rinisë së Malësisë dhe  organizatorëve  e këtij aksioni. Sepse bardhoku është problem i të gjithë neve.   Për këtë nuk   mjafton vetëm një apo disa aksione në vit, por duhet përkujdesje ditore të secilit prej nesh , respektivisht  duhet pasur vazhdimisht  në mend një  rregull të dobishëm për të gjithë “ Një vend për çdo gjë  dhe çdo gjë në vendin e vet”.

Pavarësisht se ku jetojmë në fshat apo në qytet, në vilë, apo në shtëpi na duhet një program i përcaktuar mirë  pastrimi dhe mirëmbajtjeje.  Për  shembull,  ndoshta çdo ditë nuk e pastrojmë oborrin e shtëpisë ose trotuarin  ngjitur. Ju e dini se sa të  shëmtuar do të duken ata  kur plehrat  që lihen të  grumbullohen  disa ditë. E njëjta gjë është edhe me plehrat tjera  në ambient nëse nuk rregullohet ( pastrohet) apo  me  gjërat  e sendet e hedhura vend e pa vend brenda shtëpisë  nëse atë nuk e mbajmë pastër.

Pa dyshim, ambienti publik ku jetojmë, do të duket shumë herë më mirë dhe do të jetë më i shëndetshëm nëse të gjithë ne bëjmë pjesën tonë për ta mbajtur të pastër. Për  një pamje të këndshme brenda dhe jashtë shtëpisë jemi përgjegjës ne. E, mbajtja pastër e shtëpisë  dhe e  ambientit publik, nuk varet vetëm  nga mundësitë tona ( tuaja)  ekomomike, por nga qëndrimi i duhur mendor. Sikurse edhe nga niveli i vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit  qytetar.  Duhet të mundohemi maksimalisht për një ambient të pastër.  Të përqendrohemi  në drejtim të  pastrimit të krejt hapësirës gjeografike të Komunës së Tuzit . Të   ruajmë  dhe largojmë ( tërheqim) mbetjet urbane dhe ato inerte si dhe  të gjelbërojmë  Tuzit me rrethinë.  Të mos ndotim e shëmtojmë   resurset    e mrekullueshme natyrore të Malësisë. Nga ana tjetër  ata  që i hedhin mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin duhet  identifikuar dhe ndëshkuar me dënime.   Andaj të kemi kujdes e t’i hedhim  në vendet e parapara ( të dedikuara) për mbeturina nëse dëshirojmë dhe duam që,   ambientin ku jetojmë ( në rastin konkret Malësinë) ta kemi  vërtetë të pastër. Mos të ndalemi me kaq. Kemi edhe shumë punë për të bërë.  Në radhë të parë të edukojmë rininë e Malësisë që të kujdeset për ambientin e pastër. Të organizohemi e  të bashkohemi të gjithë për një Malësi më të pastër e më të rregulluar. Sepse të gjithë ne e duam Malësinë – Tuzin të pa ndotur. Pa mbeturina. E duam Malësinë e shëndetshme.  Kjo na nderon të gjithëve  edhe në sytë e të tjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat