Jo “Minishengenit”, atëherë çka tjetër?

Opinione

Jo “Minishengenit”, atëherë çka tjetër?

Nga: Lirim Begzati Më: 29 dhjetor 2019 Në ora: 14:47
Lirim Begzati

Akti i pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkësinë Evropiane (BE) interpretohet sot si një shembull historik i ngutjes së pranimit, në gjirin e saj, të shteteve që akoma ishin larg plotësimit të kushteve që dilnin nga kërkesat e zgjerimit.

Ajo që e shpëtoi Evropën nga pasojat më të rënda të pranimit të tyre të “parakohshëm” lidhet sidomos me faktin se shtetet në fjalë, nëse stagnuan në reforma të shumta, nuk u ballafaquan megjithatë me probleme të rënda ndër-fqinjësore të “llojit ballkanik”.

Duket se shembujt e këtyre dy shteteve i kanë “lëkundur” rëndë protagonistët e proceseve të zgjerimit të BE; për hapjen e dyerve ndaj shteteve të tjera, janë shtuar kushte, janë ashpërsuar kërkesat mbi reformat e kërkuara, sa që ato duken krejtësisht ndryshe në krahasim me të kaluarën! Problematika e konsolidimit të brendshëm të radhëve të BE paraqet një faktor plotësues vështirësish.

Po pra, tash duket se çmimin e paguan dikush tjetër! Shtetet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm se duhet të mbajnë llogari për realitetin e tillë të krijuar, por duhet t’i hapin ndërkohë sytë për favorizimin e një mirëqenie dhe bashkëjetese në rajon, në qoftë se synojnë hyrjen në BE. Një çështje kjo e përmendur pareshtur nga qarqet evropiane, e cila shpesh përfundon në vesh të shurdhër të disave!

E çka me thënë për refuzimin e paradokohshëm të hapjes së negociatave ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe ta zëmë se një vendim i favorshëm do të merret në të ardhmen e afërt, u harrua ndoshta fakti se hapja e negociatave paraqet vetëm fillimin e një etape të gjatë sfidash e procesesh të njëpasnjëshme. Avancime të tjera reformash do të kërkohen, jo vetëm në nivel të brendshëm, por edhe më gjerë.

Në kontekstin e tillë, si duket ky “Minishengeni” i debateve të pafundëta? Nëse u cekën emra iniciuesish, u harrua ndoshta edhe ajo se, para inicimit të tij nga ndonjë “element” ballkanik, janë pikërisht qarqet evropiane ata të cilat, kah moti, kërkojnë intensifikim marrëdhëniesh në nivel të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin perëndimor.

Origjinën e saj e gjejmë pa diskutim në brendësinë e BE. Është pikërisht kjo e fundit ajo e cila kërkon të krijohen aleanca në mes të shteteve të Ballkanit që synojnë hyrjen në radhët e BE. Kjo është evidente dhe nuk mund të futet assesi në diskutabilitet.

Pasi që “Minishengeni”, jo vetëm se është përfolur shumë kohëve të fundit, dhe ka filluar të lodh shumë njerëz, atëherë le të mendohet për zgjidhje të tjera, më të mençura, më pragmatike, më konformë kërkesave të kohës. Ajo që do të na interesonte më së tepërmi, nuk do të ishte kritika ndaj një projekti, por shumë më tepër ajo se çfarë zgjidhjesh tjera alternative propozohen për me shkuar përpara.

Me plotë të drejtë, në stadin aktual të zhvillimeve, mund t’i jepet liri vetes që përgjegjësia të bartet së pari tek dikush tjetër; Evropa kurrë nuk ka me e pranuar ndonjë shtet i cili nuk tregon gatishmëri për me njohur pavarësinë e shtetit fqinjë (për shembull, qëndrimi i Serbisë karshi Kosovës). BE nuk ka me u kënaqur megjithatë vetëm me kaq; ajo, në një mënyrë apo tjetër, do të vazhdojë të kërkojë nga gjithsecili që të japë njëfarë kontributi.

BE i ka telashet e veta të brendshme dhe nuk do të lejojë që në gjirin e saj të pranojë anëtarë të rinjë që jetojnë nën klimën e grindjeve dhe kacafytjeve me njëri-tjetrin, jo shtetet që konfliktet e tyre mund t’i bartin potencialisht edhe në brendësinë e BE.

Sot ende dominojnë tendenca rivalitetesh se kush do të tregohet më i mirë para syve të Evropës. Çdokush duhet t’i tregoi sukseset në reformat e kërkuara. E vërtetë kjo, por ato duhet me i shoqëruar domosdoshmërish me angazhime të tjera që kanë të bëjnë me bashkëjetesën dhe bashkëpunimin në trojet ballkanike.

BE është e interesuar që në Ballkanin perëndimor të dominojë paqja, të privilegjohen marrëdhënie konstruktive bashkëpunimi, pa marrë parasysh se si do t’i quanim ne instrumentet e përdoruara dhe çfarë forme do t’iu jepet tyre.

U kuptua pra se, sot për sot, kushtet nuk janë të plotësuara për nisma që do të synonin një paralelizëm me punën që bënë themeluesit e BE. Kështu që edhe “Minishengeni” i shpalosur në kontekstin e tanishëm e meriton, me plotë arsye, kritikën e ashpër. Ky projekt dështoi së paku me formën e tij, qoftë për shkak strategjisë së zgjedhur, qoftë për shkak të ambicieve më tepër idealiste se sa diçka tjetër, përfshirë këtu edhe qëllimet e mjegullta të dikujt.

Nëse inspirimi i tij është i fokusuar kryesisht në simbolin e Shengenit (sipas versionit origjinal), i cili paraqiti bazamentin e historisë së krijimit të BE, nuk duhet harruar atë se atyre kohërave, jo vetëm se çdo shtet e kishte pranuar njëri-tjetrin, por ishte punuar shumë edhe në drejtim të stabilizimit dhe konsolidimit të marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Ende larg nga kjo gjenden fatkeqësisht disa shtete ballkanike. Larg për me synuar formula për imitimin e shembujve të atyre që lanë mbresa në historinë e BE.

Jo pra një “Minishengeni” që çalon në shumë aspekte, kurse Po një “Minishengeni” të një forme tjetër, po atëherë kur të piqen kushtet, kur të tejkalohen ca barriera. Duhet kohë për këtë, një kohë që do të varet nga të gjithë shtetet që kanë pikësynime të përbashkëta për hyrje në familjen evropiane, por që ende nuk i kanë gjetur strategjitë që mundësojnë realizimin e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat