Minishengeni apo Ballkani - ballkanasëve?!

Opinione

Minishengeni apo Ballkani - ballkanasëve?!

Nga: Hysen Neziri Më: 15 janar 2020 Në ora: 22:15
Hysen Neziri

Në historinë e shtetit shqiptar nga 28 nëntori i 1912-tës , me kryeministrin e parë Ismail Qemal Vlorën, e deri më 2019, kryeministri më anti Kosovë është Edi Rama. Këtë e ka dëshmuar Rama që nga fillimi i karrierës së tij politike.

Kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama Çelësin e Kryeqytetit të Shqipërisë ia pat dhuruar Goran Bregoviçit - një këngëtari çetnik serb - më 1 prill 2006 (po atë ditë nga Serbia u patën kthyer 49 trupa të pajetë të shqiptarëve në Gjakovë), i cili me këngët e tij shoveniste yshte ushtarët dhe paramitarët serbë për të bërë masakra mbi popujt tjerë joserbë të ish-Jugosllavisë.

Kur i fitoi zgjedhjet parlamentare më 2013, në Shkodër, në prani të Boris Tadiçit e bëri koalicionin me LSI-në.

Është i pari kryeministër shqiptar në këto 70 vjetët e fundit që shkon në Beograd (disa herë), në Nish e në Novi Sad dhe e ka bërë mik të ngushtë Vuçiçin, zëdhënësin e Millosheviçit, të cilin me përkledhi e quan Aleksandër (duke asocuar në burrështetasin e shquar Aleksandrin e Madh të Maqedonisë). Në Beograd e pat cituar edhe Ivo Andriçin, autorin e projektit famëkeq për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës.

Në rrugën e kombit, të cilën Rama e ka quajtur "rruga e asgjëkundit" kosovarëve ua vendosi tarifën 5€ andej e 5€ këndej, kur dihet se nëpër atë rrugë kalojnë 90% automjetet e Kosovës, ndërsa për 6 vjet qeverisje nuk i përfundonte as 6 qerekura nga Morina deri në Kukës. Këtë tarifë nuk e ka vendosur nëpër autostradat tjera të Shqipërisë.

Në këto vitet e fundit Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, më shumë ka marrëdhënie miqësore me Vuçiçin; ai i cili masakrën e Reçakut e quan edhe tash trillim, shteti dhe  regjimi i të cilit i ka bërë 400 maskra në Kosovë ndaj fëmijëve dhe civilëve shqiptarë, si dhe mbi 20 mijë femra të dhunuara, dhe për këto kurrë nuk ka kërkuar falje; se sa me dy kryeminstrat e fundit të Kosovës, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn.

Tash, kur Gjermania si lidere e BE-së ia ka qitë kusht Serbisë për anëtarësim në BE njohjen e Kosovës dhe heqjen e saj nga kushtetuta serbe, kur Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, kurse në anën tjetër lidh marrëdhënie politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë e Putinit, Edi Rama e promovon Vuçiçin (atë Vuçiç, i cili e lufton shtetin e Kosovës me të gjitha mjetet dhe format brenda dhe jashtë Serbisë) si lider rajonal me Minishengenin e tij, madje edhe në Tiranë e Durrës. Dhe, Samitin e Tiranës, Rama më tepër e shfrytëzon për ta sulmuar Kosovën dhe udhëheqjen e saj, se sa për ndonjë punë tjetër, thuajse Kosova pak ka marrë goditje në të gjitha fushat qe 100 vjet nga Serbia, e ka mbet keq ta marrë edhe ndonjë goditje nga një kryeministër i Shqipërisë në midis Tiranës për hatër të Serbisë.

Sipas mendimit tim "Minishengeni i Ballkanit" nuk është asgjë tjetër pos formula e vjetër mbi njëqindvjeçare e sllavëve ortodokës të Jugut

" Ballkani - ballkanasëve" e cila i kamuflonte qëllimet dominuese dhe pushtuese të sllavëve ortodokës mbi tokat dhe popullin shqiptar.

Vetëm një gjë mua më çudit, si rreth gjysma  qytetarëve në Shqipëri e duan dhe e votojnë Edi Ramën. Dhe një numër jo fort i vogël i shqiptarëve të Kosovës e çmojnë  këtë njeri, i cili me patika NIKE e trinerka i "shet mend" liderëve dhe dipomacisë së rryer dhe të rafinuar europiane. Këtë njeri që është duke i sjellë kaq shumë dëme Kosovës dhe shqiptarisë në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat