Padia e Kryeministri Rama kundër kryeministrit Haradinaj - turp kombëtar

Opinione

Padia e Kryeministri Rama kundër kryeministrit Haradinaj - turp kombëtar

Skënder Sadri Kapiti Nga Skënder Sadri Kapiti Më 17 janar 2020 Në ora: 14:28
Edi Rama, Ramush Haradinajt

Padia për shpifje e Edi Ramës kundër Ramush Haradinaj nuk merret si diçka serioze,  pasi kryeministri Rama gjithmonë është shqetësuar për ato që gjithçka çfarë thuhet e shkruhet kundër tij është shpifje. Kështu p.sh., dhe për këtë arsye dështoi edhe në Nëntor 2015 tentativa e tij për një projektligj që e kriminalizonte “shpifjen” por që dështoi pasi ishte një ligj kundër lirisë së mediave dhe kërcënim për ata që demaskojnë korrupsionin dhe abuzivizmin e politikanëve e qeveritarëve të lartë.

Po kështu u fol  shumë edhe për një padi  në Qershor 2019 nga Kryeministri Rama kundër një gazetari gjerman të  gazetës së madhe dhe prestigjiozë “Bild”, pasi ai publikoi disa përgjime të cilat implikonin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste që dyshoheshin për abuzime me detyrën.

Dhe ndërsa tani së fundmi, Janar 2020,  me ligjet e të ashtuquajturës “Paketa-antishpifje” e cila u refuzua nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe nga shumë organizata prestigjiozë ndërkombëtare , u refuzua dhe u kthye mbrapsht edhe nga Presidenti i Republikës Iilr Meta, si ligj që bien në kundërshti me dispozitat kushtetuese mbi liritë dhe të drejtat e shprehjes, të shtypit dhe të informimit, ligj që prodhon frikë dhe censurë mbi mediat.

Pra dhe padia kundër kryeministrit Haradinaj nuk është gjë tjetër vetëm ajo e përvojës dhe e vazhdës së   asaj që për kryeministrin e Shqipërisë të vërtetat e padëshirueshme  prej  tij   që thuhen e botohen,  ato  për E. Ramën  përbëjnë shpifje.

Padia e kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit të Kosovës është turp kombëtar.

Duke u nisuar nga ajo se për çfarë e akuzon kryeministri i Shqipërisë kryeministrin e Kosovës, kjo padi në fakt tregon se kryeministri i Shqipërisë është në konflikt gjithpërfshirës  dhe duhej t’i kishte paditur të gjithë shqiptarët patriotë, të gjitha mediat, shoqërinë civile, akademikët, politikanët, opinionistët, gazetarët,  dhe madje edhe ndërkombëtarët të cilët e kanë dënuar dhe janë kundër shkëmbimit të territoreve apo ndryshimit të kufijve. Duhej p.sh. që Rama ta kishte paditur edhe kancelaren gjermane Merkel, falë së cilës nuk ndodhi as ndarja e Kosovës, dhe dështoi ai plan i zi antikombëtar. Në vend që shqiptarët të ngrenë padi kundër deklaratës së Presidentit të Serbisë i cili nuk e njeh por e mohon genocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës, por pikërisht ditën e masakrës së Reçakut kryeministri i Shqipërisë padit kryeministrin e Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë me këtë padi ka më shumë si qëllim për ta përmirësuar sado pak “imazhin” e tij , imazh i cili i ka rënë shumë si në rastin e idesë për ndarjen e Kosovës ashtu edhe për të ashtuquajturin minishengenin e Ballkanit perëndimor.

Vuçiç akuzon Ëalker si falsifikues e mashtrues për masakrën e  i Reçakut , ndërsa Kryeministri i Shqipërisë akuzon për “shpifje” Kryeministrin e Kosovës Haradinaj. Dhe po me rastin e 21 Vjetorit të asaj masakre është po OSBE e cila e kujton atë masakër të Reçakut, dhe E.Rama  si kryesues sot i OSBE -së çuditërisht nuk foli atë ditë asnjë fjalë , e që më e mira për të do të kishte qenë që me 15 Janar 2020 të ishTe edhe ai në Reçak sepse nuk do t’i kishte vënë E.Ramës “notë negative në sjellje”  as OSBE, as SHBA , as NATO dhe as BE, por  ndoshta do t’i kishte mbetur hatri Presidentit serb, sepse ai genocidin serb nuk e njeh dhe masakrën e Reçakut e ka quajtur trillim.

Por jo vetëm se nuk e përmendi Reçakun dhe masakrën, por pikërisht atë ditë , ditën  e 15 Janarit 2020 të masakrës,kryeministri Rama dorëzon një padi kundër kryeministrit të Kosovës Haradinaj të cilin Rama e akuzon për “shpifje” pse ai nuk hoqi taksën e mallrave serbe, pse Haradinaj  kundërshtoi fort ndarjen e Kosovës, pse kundërshton ashpër lobimin serb kundër Kosovës dhe minishengenin antishqiptar  Rama-Vuçiç.

Por si është e mundur ta bëjë këtë kryeministri i Shqipërisë, që  ta akuzojë  Kryeministrin e Kosovës R.Haradinaj për shpifje kur Haradinaj  me guxim patriotik e politik të pashembullt sfidoi dhe mposhti në Hagë të gjitha akuzat e shpifjet e supozuara të  Beogradit për gjoja krime lufte, si dhe kur dihet se gjithë opinioni publik mbarëshqiptar e dinë se e vërteta është me Haradinajn dhe jo me Ramën, pasi Haradinaj  mbrojti tërësinë territoriale të Kosovës, pasuritë kombëtare të saj  dhe dinjitetitin e sovranitetin kombëtar të Shtetit të Kosovës !?

Kjo padi e Ramës kundër Kryeministrit Haradinaj është si ajo padia dhe akuza e ish ministrit të propagandës së Millosheviçit, sot President i Serbisë, Vuçiç , i cili deklaroi për masakrën e Reçakut si trillim, dhe ish kryetarin e Misionit të OSBE-së z. Walker si falsifikator dhe mashtrues , pse ai denoncoi botërisht genocidin serb. Pra që të dy si Presidenti i Serbisë ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë të vërtetat e mëdha historike i quajnë trillime, shpifje e mashtrime. Shqiptarët tashmë e dinë shumë mirë se Haradinaj është në anën e duhur të historisë ndërsa Rama, jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat