Albin Kurtin e gjen në detaje

Opinione

Albin Kurtin e gjen në detaje

Nga: Kimete Berisha Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 13:05
Kimete Berisha

Është politikani i parë shqiptar që e 'numëron' kohën, i numëron orët që kalojnë, sekond për sekond.

Është ustah i detajeve.

Për shembull, sot tha në Tiranë: 'Edhe 1 orë bëhet një javë, që kam filluar punën si Kryeministër'.
Këtë e thotë vetëm dikush që e merr shumë seriozisht çdo çast të jetës.

Ne jemi mësu me 'kalu kohën', me 'humb kohë', 'm'u mashtru me do pula për me kalu kohën', 'me ble kohë', 'me plakur kohën', s'jemi mësu m'i qitë kohën n'kanar.

Albini ka mbamendje, nuk mund ta gënjesh, sepse mban mend edhe çka ke pas veshur herën e fundit kur je takuar me të.

Një filozof gjerman 'nuk e dëshironte për mysafir mikun që mban mend shumë' (as unë s'e kisha dëshiru një mysafir të tillë që ta sheh edhe trohën e bukës nën kauç), por shikoni veten, sa herë kemi gabuar, i kemi shpërfillur detajet, që janë shenjat kryesore që na tregojnë rrugën.

Kurse, ti s'din çka ke hëngër dje. Anipse s'është zor me ja qëllu se të gjithë ne sillemi aty rreth patateve, pasulit, vezëve dhe pites.

Bota e ka adaptuar një idiomë që thotë 'Zoti është në detaje'.

Edhe moda e Givenchyt u krijua mbi bindjen se 'moda është në detaje'.
Ama në aspektin psikologjik, më e lumtur ndjehesh kur i shpërfill detajet, për shembull nuk i shikon rrudhat në detaje.

Sigurisht u tha që edhe 'djalli është në detaje'. Gjithkush që kishte sukses si për të mirë si për të keq e bënte dallimin në detaje.

Po edhe ne e kemi një idiomë t'merakut që thotë 'Të lypa në hava, e të gjeta në tokë'.
Mirë që më në fund u gjet një politikan që kohën e tij (ishalla edhe tonën), e mat me orën e kurdisur saktë dhe me një lloj droje dhe panike për kohën që kalon.

Sot Albin Kurti ka mundur t'i përgjigjet 'minigjengenit' të Ramës me 'maksishengen', që është e kundërta e minit, por ky e gjeti shprehjen 'macro', duke e lënë Ramën me 'microshengenin'.

Është kaq zor me 'dasht' Edi Ramën, por lehtë me respektu edhe kur ti mendon se është i poshtër.

E Albini sot e gjeti Ramën nervoz. E vetmja përparësi e Ramës ishin gjatësia (si detaj) e tij, që e zbuloi vet kur tha: 'unë si i gjatë mirrem vetëm me gjëra mini'....
ani ti vishe edhe një mini fund pra, e kompletohu 😂.

Rama ka nevojë të duket 'ndryshe', s'ndjen më nevojë t'u duket shqiptarëve 'i mirë' (me të drejtë)

Albini ka nevojë të duket 'i ndershëm dhe i mirë', kjo nevojë shpesh të shkatërron, por edhe kjo nevojë dikur konsumohet. Kur e sheh se s'mund të jesh 'i mirë' për të gjithë e t'i rehatosh njerëzit, sepse njeriu është i lindur të mos bëhet rehat.

Keyesore i kemi dy Kryeministra që dinë çka flasin.

Anipse po mundohen me na shti' m'u desht me zor. Çka fitojmë ne nëse duhemi?
Dashurisë kur ia pamë hajrin!

'Shqiptaria' po del prej mode, më duket mua.
S'është më kurrëfarë kënaqësie m'u 'heq' kufiri shqiptari-shqiptar, me shku varfanjaku te varfanjaku pa pengesa, kujt i hyn në punë kjo liri.

Ne tash duam më shumë sesa të jemi 'shqiptarë' sepse shqiptarë jemi edhe para politikës, si me Ramën si pa Ramën, si me Albinin si pa Albinin, jemi shqiptarë.

P.S. Ne tash duam të jetojmë mirë. Jo si 'ata' politikanë që deri dje edhe palltot i kanë rru me zhilet, për me ua heq cuklat, e sot palltot i blejnë për një përdorim.

Thjesht duam me pa naj ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat