Deputetë të Kosovës, para se të votoni shikojini fotografitë e fëmijëve tuaj! - Bota Sot
Deputetë të Kosovës, para se të votoni shikojini fotografitë e fëmijëve tuaj!

Opinione

Deputetë të Kosovës, para se të votoni shikojini fotografitë e fëmijëve tuaj!

Xhavit Kryeziu Nga Xhavit Kryeziu Më 25 mars 2020 Në ora: 09:54
Kuvendi i Kosovës

Që nga koha e luftës së fundit, e viteve 1998/99, pothuajse çdo ngjarje që ka ndodhë në dhe përreth Kosovës sonë e kemi quajtur si “ditë të rëndësishme historike”.

Pas 17 Shkurtit 2008, dita e sotme - 25 Mars 2020, është dita e dytë më e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj Shqiptar, por edhe për të gjithë Shqiptarët jashtë Kosovës.

Jeni ju, deputetët e Kosovës, përfaqësuesit e popullit Shqiptar, ata të cilët sot do të vendosni për ta mbrojtur apo humbur Kosovën. Jeni ju ata të cilët sot me dorën tuaj do të vendosni për fatin e fëmijëve tuaj në veçanti, dhe për fatin dhe të ardhmen e të gjithë fëmijëve dhe brezave të ardhshëm Shqiptarë në përgjithësi.

Mos përsëritni 23 Marsin e kobshëm të vitit 1989! Për disa prej jush, të cilët mund të keni harruar apo mos të keni dëgjuar fare, më 23.3.1989, Kuvendi i Kosovës ka votuar për ndryshimet e amandamenteve kushtetuese të Kushtetutës së Krahinës së atëhershme Socialiste të Kosovës. Edhe pse shumica e liderëve të atëhershëm të Kosovës proklamonin ngjashëm si sot, se me ndryshimet kushtetuese Kosova nuk do të humbte asgjë, doli ajo ajo të cilën populli e kishte parandjerë shumë mirë, dhe për të cilën kishte protesur dhe derdhur gjak përballë tankeve të policisë dhe ushtrisë së egër serbo-jugosllave, e cila duke qenë e armatosur gjer në dhëmbë, por e ndihmuar edhe nga shumica e delegartëve të atëhershëm shqiptarë, e suprimoi autonominë politike të Kosovës sipas Kushtetutës së viti 1974. 23 Marsi i vitit 1989, ishte dita tjetër e kobshme për Kosovën dhe popullin e saj Shqiptar pas vendimit famëkeq të Kuvendit të Kosovës të mbajtur në Prizren, më 8-10 Korrik 1945, përmes të cilës “Kosova iu bashkangjit Serbisë federale me vetëdëshirë”!

Deputetët të Kosovës,

Mos i përsëritni gabimet historike, të cilat siç ka dëshmuar koha, Kosova i ka mbajtur rëndë në shpinë, ndërsa populi i ka vuiajtur shumë!

Sot, ju nuk do të vendosni për fatin e qeverisë Kurti, por për fatin e Kosovës. Nëse nuk keni vendosur ende, ju ka mbetur vetëm edhe pak orë për të menduar se si do ta bëni historinë.

Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky, sapo kishte bërë betimin u kishte thënë zyrtarëve të Ukrainës që nëpër zyret ku punonin ata mos ta vendosnin fotografinë e tij, por të fëmijëve të tyre. Dhe, përpara se të vendosnin për çdo gjë, më parë t’i shiqonin fotografitë e fëmijëve të tyre, e pastaj të vendosin!

Prandaj, ju deputetët e Kosovës,

Mos u mashtroni as mos u shitni siç jeni shitur si në shumë raste gjer më sot! Mos gaboni siç “gabuat” më 3.8.2015 kur votuat për formimin e Gjykatës Speciale, për t’u “penduar” më vonë sepse “kishit pasur presion”!

Sot, me dorën tuaj keni mundësinë për të vendosur ndërmjet fatit të atyre që e kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Kosovën për 20 vite të plota, dhe fatit të Kosovës nga rreziku i gllabërimit të një robërie të re. Mos i shitni interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës për një grusht parash apo për të mbajtur një kolltuk të turpit të pushtetit pa shtet!

Deputetë të Kosovës,

Sot, ju përgjërohem si kurrë më parë: mos pranoni “miqësinë amerikane” të njëfarë “miku amerikan” Richard Grenell, apo të ndonjë “Grenelli” tjetër, të cilët po keqpërdorin emrin e SHBA-ve për ta shkatërruar Kosovën! Pranojeni, bindjuni dhe përforcojeni miqësinë e vërtetë amerikane të George Washingtonit, të Bill Klintonit e të George Bushit, të cilët na nxorën nga pushtimi shumëvjeçar serbosllav!

Deputetë të Kosovës,

Ju përgjërohem sot si kurrë më parë. Mos votoni as për Hashim Thaçin, as për Albin Kurtin, as për Angela Merkelin, as për Richard Grenellin, madje as për Donald Trumpin! Vendosni për fatin tuaj, për fatin e Kosovës, dhe fatin e fëmijëve tanë!

Para se të votoni, shikoni fotografitë e fëmijëve tuaj!!!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat