Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”, para një dështimi institucional - Bota Sot
Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”, para një dështimi institucional

Opinione

Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”, para një dështimi institucional

Nga: Izet Abdyli Më: 19 qershor 2020 Në ora: 13:32
Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”,

Akëcili që viziton Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë do të ndihet i zhgënjyer. Cilido që kujton vitet ’90 dhe veprimtarinë e dendur politike që është zhvilluar në këtë ndërtesë, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar, madje historike për Kosovën, kur hyn në këtë shtëpi dhe shikon hapësirat boshe të saj, do të ndihet i zhgënjyer tej mase. Ato pak foto e gjësende të tjera që janë aty mund t’i siguronte edhe një qytetar i thjeshtë dhe janë me pak vlerë.

Kur kihet parasysh se kjo shtëpi ishte qendër e zhvillimeve politike, qendër e burimit të informacionit për atë që ndodhte në Kosovë, e cila tubonte spektrin politik të kohës për marrjen e vendimeve të mëdha për pavarësinë e Kosovës, përveç objektit dhe një punëtori që rri aty, nuk sheh diçka me vlerë që të kujton një shtëpi muze të pavarësisë. Aty mungojnë gjësendet elementare të funksionimit të një zyre me rëndësi, qoftë mjetet e punës me të cilat është punuar atëherë, pastaj mungon dokumentacioni i kohës, fotografi të personaliteteve botërore që hynin në këtë shtëpi të vogël, madje edhe buletini i QIK-ut “Informatori”, i cili çante terrin informativ që mbretëronte në Kosovë.

Të mos flasim për ndonjë videoprojektor, ku vizitori i huaj do të merrte informacion me të hollësishëm për aktivitetet dhe gjërat me rëndësi që kanë ndodhur aty. Madje nuk ka asnjë fletushkë informacioni për vizitorë në të cilën do të jepeshin pak të dhëna rreth shtëpisë muze. Edhe pse ky objekt është nën menaxhim të MKRS-së nuk të krijon fare përshtypjen e një objekti të mbrojtur e muze, edhe pse për çdo vizitor të kryeqytetit kjo do të duhej të ishte shenja e parë identifikuese e shtetit të Kosovës.

Asnjë dokument e dëshmi nuk gjen aty për Deklaratën e 2 Korrikut 1990. Asnjë dokument e dëshmi për Kushtetutën e Kaçanikut 1990. Asnjë dokument e dëshmi për Referendumin për Kosovën shtet sovran e të pavarur më 1991. Asnjë dokument e dëshmi për zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale të vitit 1992. Asnjë dokument e dëshmi për punën, takimet dhe konferencat e presidentit Rugova. Asnjë dokument e dëshmi për punën e përfaqësuesit politik të UÇK-së që mbante konferenca për media në kë këtë objekt. E keqja më e madhe, siç mësuam sa e vizituam “muzeun”, ishte se ato pak dokumente që kanë qenë aty janë tërhequr nga persona zyrtarë dhe privatë për, kinse, ekspozita, xhirime dokumentarësh e nuk janë kthyer kurrë.

Sigurisht se një barrë për rivitalizimin e kësaj shtëpie muze i bie ministres së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, edhe pse pararendësi i saj nga LDK-ja, Kujtim Shala, e ka pasur për detyrë të bëjë më shumë në këtë drejtim por, si duket, më shumë ka bërë karrierë individuale (duke shkruar libra për Rugovën) sesa për institucionin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”.

Shpresoj se ky shkrim do t’i nxisë institucionet kompetente, veçan MKRS-në, nën menaxhimin e së cilës është kjo shtëpi, që të bëjë diçka më shumë në këtë drejtim, duke e funksionalizuar këtë shtëpi, e cila është shenjë identifikuese e shtetësisë së Kosovës.

(Autori është veprimtar i LDK-së që nga viti 1990. Ish-kryetar i Degës së LDK-së në Drenas (tri mandate), kurse ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dy mandate)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat