Dardha e ka bishtin, madje të gjatë

Opinione

Dardha e ka bishtin, madje të gjatë

Nga: Prof. Dr. Riza Smaka Më: 22 gusht 2020 Në ora: 10:47
Prof. Dr. Riza Smaka

Klasa  politike e qeveritare e vendit tonë, deri tani, në vend të profesionales, eksperiencës afirmative,  përgjegjësisë shtetërore e kombëtare, përkushtimit serioz për ushtrime të  funksioneve publike të besuara, kryesisht, ishte, partiake, partizane , joprofesionale, e pa eksperienca elementare për  shtetin, pushtetin shtetëror, kushtetutën, ligjin, rendin juridik, legjitimitetin, legalitetin  madje , shpesh herë, ishte  indolente dhe  indiferente   edhe për   tema kruciale si dhe ,shpërfillëse e ligjit në  fuqi.

Gjatë  bisedimeve politike, nder të tjera ,për komunat me shumicë serbe në Kosovë, apo, më mirë, lexo e kupto ,“për komunat serbe në Kosovë”, anëtarët e delegacionit kosovarë ishin “tolerantë” madje skajshmërisht  indolentë e për aq të përgjegjshëm.

Një nga ata anëtarë, aktualisht  zyrtar i lartë i LDK-së ,  nder të tjera, ka pas deklaruar publikisht e me pompozitet në medie “...se, neve bëjmë më shumë lëshime nga ato qe na kërkohen...”!!!

Në  Sistemin Kushtetutës të  RK-së, Kosova  ishte dhe është e definuar  shtet civil, shtet  unik e jo shtet i përbërë federativ apo konfederativ. Formimi i komunave  me shumicë serbe apo i komunave serbe në Kosovë ishte dhe mbetet akt antikushtetutes dhe koliziv me  parimet elementare të shteteve demokratike parlamentare unike e civile, qytetare! Tani më, jo vetëm në pjesën veriore të lumit Ibër por në komunat me shumicë serbe në Kosovë,  konvencionalisht, nuk përfillet Rendi Juridik (Legal Order) i Kosovës veçanërisht, në mosaplikimin e ligjit në  fuqi në Kosovë, manifestimet e simboleve, shtetërore, në gjuhë e  shkrime publike, në arsim etj.

Referuar  statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) gjatë  bisedimeve politike kosovare – serbe, nga delegacioni kosovar, virtualisht, pa kundërshtime kundërargumentuese ,kanë qenë pranuar të gjitha propozimet për privilegjet e beneficionet politike e juridike  speciale  të saj, të cilat, janë të pa precedencë në shtetet bashkëkohore. Tanimë, KOS-i  i  Kosovës , politikisht dhe juridikisht konsiderohet pjesë integrale e KOS-it të Serbisë në Beograd dhe, gëzon  autorizime ekskluzive të shumta e të ndryshme të  cilat ia sigurojnë statusin e eksterritorialitetit, pra, të entitetit specifik qe nuk i nënshtrohet  Rendit Juridik të RK-së. Përbrenda territoreve të gjëra ,të  sanksionuara me statuse të zonave të mbrojtura, KOS-i ushtron jurisdiksion funksional ekskluziv deri në nivele të shpërfilljeve arrogante të   interesave elementare të qindra mia  qytetarëve përreth, çfarë është rasti i  pengimit të   realizimit të  rrugës Deçan – Plavë të nevojshme, jo vetëm për qytetarët e viseve pranë saj ,por, për tërë Kosovën.

Ndryshe, kishat ortodokse kudo organizohen   si kisha nacionale dhe  funksionojnë në territore shtetërore ku ndodhën, që është dalluese nga kishat e ritit perëndimor dhe nga  kultet  fetare të   Islamit! Kishat ortodokse organizohen dhe funksionojnë si kisha nacionale përbrenda jurisdiksioneve shtetërore në të cilat ndodhen. Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë  realisht e drejtësisht do të  duhej të  quhej dhe të  funksiononte si Kishë Ortodokse e Kosovës për besimtarët e vetë nga Kosova, në Kosovë , me autorizime dhe obligime  sipas standardeve të afirmuara në praktikat e mira në  shtetet  bashkëkohore  tjera.

Ndryshe, kishat  ortodokse në Kosovë, edhe pa eksterritorialitete, edhe pa zona mbrojtëse dhe pa  statuse politike e juridike speciale ,historikisht ishin të  mbrojtura    nga shqiptarët   civilë   nga Kosova ,qe, nder  të tjera,  ishte dhe  është indikative dhe relevante se, ato fillimisht, ishin të  shqiptarëve ortodoksë, të serbëve ortodoksë si dhe të ortodoksëve  kosovarë tjerë, në një anë dhe se, ishin objkte të kultit  fetar , simbole të koegzistencës, të    tolerancës fetare, të kulturës dhe  traditës  civilizuese të popullit të Kosovës, në përgjithësi, në anën tjetër.

Gjatë  dekadës së  fundit ishte dhe vijon të jetë aktuale kërkesa e shtetit serb – sic për formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Sërbe në Kosovë  të  cilën  kërkesë  pa menduar shtetësisht, politikisht e juridikisht sa dhe si do të duhej,  me indolencë të pa presidencë, përfaqësues të  shtetit tonë e kanë pasë “ pranuar”!  

Formimi i asociacionit të  tillë ishte dhe mbetët në kundërshtim flagrantë me Kushtetutën e RK-së ,sipas së cilës ,Kosova ishte dhe është shtet i qytetarëve dhe shtet unik e jo shtet i  konglomerateve as aglomerateve nacionale as shtet i përbërë! 

Edhe pse, Gjykata Kushtetuese e RK-së, projektin  e tillë e ka pas vlerësuar  të kundërshtimshëm me  Kushtetutën, kërkesa e shtetit serb vijon të sforcohet dhe të impozicionohet në  dialogun politik  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ,madje, ekziston drojë e bazuar se ajo kërkesë do të mund të   pranohej sikundër jo pak të tilla e të ngjashme.

Klasa politike kosovare e pa devocion  shtetëror  suficient , pos të tjerave, makijavelisht dhe  në saje   disa votave të trafikuara dhe të  përfituara “pro “ edhe në saje të  joshjeve   dhe të kanosjeve shtetërore (Vis , Clam , Precario) në datën 21 mars 2018 , duke premtuar se do të pasojnë ‘’korrigjimet kufitare” e ka pas miratuar Ligjin 06- L- 060  për Ratifikimin e Marrëveshjes së dt. 26  gusht  2015  për Kufirin Shtetëror të Kosovës dhe Malit të Zi, me të cilën dhe sipas të  cilës, Kosovës , pa asnjë farë baze politike as juridike iu kanë pas  amputuar 8250 hektarë!

Për ironi sarkastike, Klasa politike kosovare, shumica nëse jo të gjithë qytetarët  referuar asaj Marrëveshjeje, theksojnë se “ ka qenë  ratifikuar demarkacioni...” Me atë Marrëveshje nuk ka qenë ratifikuar  demarkacioni kufitar, i cili ,as deri sot e kësaj dite nuk është kryer ,por, ka qenë miratuar dhe ratifikuar  redelimitacioni – ricaktimi i paautorizuar  i Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi , i pa drejtë dhe i gabuar i Kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi ,në dëmin evident të  territorit të Kosovës për 8250 hektarë. Tani më, autoritetet malazeze, duke vepruar sipas Marrëveshjes në fjalë ,të ratifikuar në Malin e Zi dhe në Kosovë, me dhunë, përkatësisht, me dajakë, i  përziejnë dhe i dëbojnë   qytetarët – pronarët kosovarë nga bjeshkët, gurrat, krojet, prrojët, kullosat e ograjat që kurdoherë, brez pas brezit ishin të  tyre!

Mjerisht ,ka edhe raste tjera të këtilla e të ngjashme ,në të cilat ,vendi ynë ,ka pësuar panevojshëm e padrejtësisht ,në këto  raste, jo nga ndonjë shtet  fqinjë   me prirje armiqësore, por, nga klasa politike e vendit tonë.

Thënia e popullit “Dardha e ka bishtin” do të mund t’i  shtohej sufiksi “...të gjatë”, apo ,“Dardhe e ka bishtin ,madje ,të gjatë”!

Në këtë kontekst do të shërbente edhe kjo anekdotë qe ka mund të  jetë rast i vërtetë. Gjatë natës një person paska pas synuar ta  priste rezën e  një  dyqanit  për ta vjedhur. Disa kalimtarë të rastit e paskan pas diktuar dhe pyetur se çfarë bën ashtu. Ai iu paska pas përgjigjur po i binte  lahutës. Njëri sish i paska pas thënë, lahuta bën gau gau. Ky iu paska pas përgjigjur, nesër do  t’ia dëgjoni krismën, zërin gau gau!” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat