Ne kemi më shumë frikë nga puna e keqe e të paaftëve se sa nga makinacionet e të pabesëve

Opinione

Ne kemi më shumë frikë nga puna e keqe e të paaftëve se sa nga makinacionet e të pabesëve

Nga: Agim Vuniqi Më: 16 shtator 2020 Në ora: 00:13
Agim Vuniqi

Serbia dhe Kosova po bëjnë gara me flamuj në Kosovë, shpesh kur arsyetohen flamujt serbë në Kosovë dhe “Zajednica” thuhet edhe shoqatat kanë flamuj, OJQ-të e rrokopendla të tjera, varet nga qëllimi politik...! Ky pushtet marionetë është i angazhuar në atë drejtim vetëm të arsyetoi dështimet dhe lëshimet e njëpasnjëshme në dobi të Serbisë

Duke lexuar portalet në gjuhën shqipe lexuesi hasë në lajme të kobshme të humbjes së jetërave të rinjve shqiptarë në aksidente trafiku, në therjet e shpeshta me mjete të ftohta, apo në humbjet e përditshme nga coronavirusi Covid 19, ajo që vërejta në rastet më të shpeshta është mallkimi i qytetarëve, mendoj që këtë klimë e kanë krijuar edhe institucionet e papërgjegjshme, të cilat janë të gatshme të rrënojnë te ardhmen e vendit vetëm për një përkëdhelje të ndonjë diplomati të huaj të rendit të dytë, apo të tretë. Mendoj sa ka më tepër vleftë jeta e të rinjve në Kosovë sesa kolltukët e liderëve të vendit që si mjet politikë ka sharjen dhe fyerjen e tyre, por edhe prindërve të tyre, për të treguar fuqinë e pushtetit: bë n’paç çka me bë, duke lënë anash edhe si mundësi gjykimin e atyre të cilët bënë krime kundër njerëzimit, tash për tash kërkesa të tilla nuk ka.

Çështja është që politikanët duhet te marrin vendime te guximshme politike për të ndihmuar qytetarët, jo t’i fyejnë e t’i ofendojnë publikisht duke përdorë fjalor rrugësh. Si duket politika e cila ka koketuar me krimin e organizuar dhe korrupsionin, është edhe vet prodhuese e dobësive të vërejtura shoqërore, nuk është e vëmendëshme të ndërmarrë ndonjë aktivitet masash ligjore parandaluese në dobi të vendit dhe qytetarëve te tij...

"Makiato protestuesit"

Keni dëgjuar ndoshta çdo ditë pallavraxhinj e qeveritarë se Kosova pas marrëveshjeve ka shtrirë sovranitetin, ose ato për liberalizimin e vizave, për shkrirjen e flluskës së fusnotës e muhalife tjera që zihen në kuzhinën qeveritare... Gjithë ato koncesionet të njëpasnjëshme dhe qytetarëve po u serohen në tavolinë "të trashët e Sulos"... Le të gjithë këto, por veç janë harruar "peçurkat" qeveritare! Si po harrohen edhe premtimet e urës magjepse mbi Ibër që nuk u ka mbetur gjë tjetër qytetareve vetëm me "pshurrë" në te, ndoshta sjellë më shumë fat, thënë të drejtën ky proces i natyrshëm fiziologjik mund të bëhet edhe para dyerve qeveritare, ndoshta u ndalet turri nga pak, sepse që nga mëngjesi e deri ne përfundim të orarit të punës okupojnë sheshin, është protesta më masive e zyrtarëve dhe shërbyesve publik të Qeverisë, e ashtuquajtur "makiato protesta", herë e madhe e herë e vogël... Nëse nuk besoni këqyrjani surratin dhe kravatat guxhë rreth qafës...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat