Grenelli, i veshur me bluzë vija-vija, dukej si i burgosuri i Vuçiqit në Beograd

Opinione

Grenelli, i veshur me bluzë vija-vija, dukej si i burgosuri i Vuçiqit në Beograd

Nga: Kimete Berisha Më: 23 shtator 2020 Në ora: 14:24
Kimete Berisha

Grenelli, i veshur me bluzë vija-vija, dukej si i burgosuri i Vuçiqit në Beograd.

Thënë më saktë, dukej i sapoliruari nga burgu.

'Vijat e bletës' u thonë amerikanët bluzave me vija (në këtë rast, bëhet fjalë për vija horizontale), kanë qenë uniformat e burgjeve amerikane deri vonë.

Image
Grenell me Vuçiqin

Bluza është me përmbajtje qind për qind pambuk, kurse pambuku është më i fortë kur është i lagur.

Grenelli dukej goxha si Elvisi në 'Jailhouse Rock', por, më mbeti merak që nuk ia pamë edhe tlinat a i kishte me vija-vija si Elvisi.

Në Danub atmosferë e gjallë. Anija, hëna e re, romantikë, qirinj e muzikë.

Serbët ia këndonin Grenellit 'Sweet Home Alabama'.

Këtë këngë e zgjodhën serbët t'ia këndonin Grenellit, sepse është raciste dhe e lavdëron George Wallacen, që ishte katër herë guvernator i Alabamës dhe ishte segregacionist i vendosur.

Serbët ia kënduan Grenellit edhe 'Country roads', si metaforë për 'Autostradën e Paqes' që e kthen Serbinë në Kosovë.

Kënga ka tekst shumë të bukur se veç tjerash, thotë:

'Country roads, take me home

To the place I belong'.

Logjikisht, pa pasur rrugë nuk mund të kthehesh 'në shtëpi', prandaj ndërtohet rruga.

Avdullah Hoti dhe Hashim Thaçi po e integrojnë Kosovën në Serbi, me pare të Grenellit.

Por, fërterja ndodhet në zjarrin e Prishtinës, kurse peshku në Beograd.

Zyra e dollarëve ështē në Beograd, drejtori i zyrës është serb, kënga këndohet në Beograd, amerikanët e gjejnë respektin në Prishtinë, por kënaqësinë në Beograd.

E kuptoj Grenellin.

Çka të duhet respekti kur nuk kënaqesh.

Tani shqiptarët po e shohin me sytë e tyre se si Serbia po ua 'merr' edhe Amerikën, me dy këngë e gjysmë, një peshk dhe një Jezus.

Shqiptarët s'janë interesantë.

Veç xhamadanin e kanë me vija-vija.

Dhe vetë shqiptarët e shkatërruan Kosovën.

Sot, edhe armiku më i tërbuar e do Kosovën më shumë se shqiptarët.

Dil në penxhere, shikoje pak Kosovën sa e ndyrë, sa e rrjepur, e vjedhur, e plaçkitur, e paditur, e ngratë dhe sa e pashpresë dhe e braktisur duket.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat