Vijat e kuqe të LDK-së zakonisht gjelbërohen

Opinione

Vijat e kuqe të LDK-së zakonisht gjelbërohen

Nga: Dren Dushi Më: 29 shtator 2020 Në ora: 17:35
Dren Dushi

Me vite të tëra jemi mësuar t’i dëgjojmë nga LDK zërat që flasin për të ashtuquajturat “vija të kuqe”, vija që gjelbëroheshin sa herë që LDK-së i dilte përpara një copë pushtet, pa të cilin nuk janë mësuar. Vijat e kuqe (lexo gjelbërta) që LDK i bëri të famshme, i shërbyen (dhe shërbejnë akoma) LDK-së për të mbledhur vota, teksa pjesa e gjelbërt i shërben për të kapur pushtet. Si rrjedhojë, LDK tashmë paraqet një lloj ylberi për sa i përket ngjyrave, por edhe konsistencës.

Nuk besoj që ka shumë njerëz (normal të paktën) që ende i besojnë premtimeve të ngjyrave të LDK-së, por megjithatë, LDK llogarit që ka ende, siç llogarisnin për Prishtinën me duar në gjepa dikur. Ndryshimi i shpeshtë i ngjyrave prej LDK-së, tashmë e ka shndërruar një parti që pritet të ketë rreth 16/17 deputetë në zgjedhjet a ardhshme, meqë siç ndërruan vijën e ngjyrave, ndërruan edhe Vjosa Osmanin me të deleguarin e Isa Mustafës.

Por ku qëndron një problem tjetër i ngjyrave të LDK-së?

PDK është një parti që është demonizuar shumë nga LDK, në të gjitha rrafshet. LDK ka krijuar propagandë (herë me të drejtë e herë jo) kundër PDK-së. Është LDK që PDK-në e ka shndërruar në një tempull djallëzie, tempull që në kohë fushate, LDK e përdorë si ritual për të mashtruar votuesit e tyre, duke goditur, duke u ankuar, duke u viktimizuar, “jemi të vrarë”- shpallin, “na u kanë vrarë antarët e partisë”- bëjnë me gisht kah PDK duke fshehur gjishtin, “kurrë më me PDK-në”- deklarojnë e ju bien tupanave, kryejnë ritualin e tyre të çdo 2-3 vitesh kur ka zgjedhje, pra shpallin vijat e tyre të kuqe të përkohshme. Me tu kryer zgjedhjet, mashtruar votuesit, marrë humbjen që e meritojnë, përfundojnë menjëherë me vija të gjelbërta, zakonisht direkt apo indirekt te PDK, te tempulli që e djallëzojnë.

Si rrjedhojë, PDK humb në dy rrafshe. Njërin rrafsh sepse djallëzohet dhe dëmtohet elektoralisht, meqë ky djallëzim që i bëhet, rritë deputetët e palës së kundërt. Në anën tjetër, cënon dinjitetin e saj, teksa djallëzuesit i fton në gjirin e pushtetit, i rehaton nëpër borde, i punëson militantët e tyre, i ndanë me ta të gjitha benifitet e pushtetit, anipse të djallëzuar.

PDK më së shumëti, humbë nga fakti se pranon në heshtje këtë djallëzim, dhe mbase ka ardhur koha, që PDK të filloj të shpallë djallëzimin e LDK-së, dhe pse jo, të vendosë edhe ajo vija të kuqe për LDK-në. Kush është LDK të vendosë vija të kuqe për dikë sot? Ç’farë ka LDK diçka më të mirë se që ka PDK, apo më të keqe? Madje, midis dy të këqijëve, më i keq është ai që tradhëton e mashtron se nuk është i keq, nëse si standard të së mirës e keqës marrim fushatat e LDK-së.

PDK e ka në dorë LDK-në, dhe mund ta largoj nga skena si kundërshtar.

LDK tashmë ka humbur një pjesë të madhe të elektoratit të saj, meqë ka mashtruar edhe një herë teksa ka premtuar se nuk do bëjë koalicion me partitë e PAN-it, dhe se nuk do bëj koalicion përveq se me LV-në, dhe se nuk do të bëj koalicion me PDK-së (vijat). Pra LDK edhe këtë herë ka mashtruar, edhe këtë herë ka djallëzuar PDK-në dhe me këtë djallëzim ka marrë vota, dhe për më tepër, këtë herë ka mashtruar edhe gruan që i nxorri nga balta që ishin futur me këtë logjikë të mashtruesve, pra ka mashtruar njeriun e dytë më të votuar në Kosovë, zonjën Vjosa Osmani.

Sot LDK ndodhet në “baltë”, aty ku ka deshur t’i hedhë të gjithë me mashtrim. Nuk ka vota për të vepruar si Qeveri, ndodhet nën shantazhin permanent të AAK-së, NISMA-s, Listës Serbe (Beogradit), dhe ndodhet nën presion permanent të opinionit publik, që nuk do t’ia shoh sytë por meqë është pandemia nuk mund ta shpreh siç do e shprehte.

LDK-së po i troket ora siç trokasin orat e eksplozivëve në filmat aksion, një “bombë” është zgjedhja e Presidentit, një tjetër është funksionaliimi i Qeverisë përmes arritjes së të paktën 61 votave, një tjetër “bobmbë” është nëse PDK do t’i japë dritë të gjelbër Gjykatës Kushtetuese që ta interpretoj çështjen e deputetit që u dënua e si i tillë ka votuar për Qeverinë, por ka edhe “bomba” tjera, siç janë largimet që do pasojnë së shpejti nga kjo parti kur organizimi i Zonjës Vjosa Osmani të ketë filluar.

E ndodhur në këtë mjerim të vetshkaktuar, LDK i kthehet sërisht “djallit” të saj, PDK-së, dhe i lutet edhe një herë që ta shpëtoj, duke shpallur përmes kryetarit të saj, ish Ministrit të Rahmon Morinës, se vijat janë gjelbëruar sërisht. PDK nuk duhet t’i shërbej edhe këtë herë LDK-së, nuk duhet të bëhet PDK një parti që kur i duhet LDK-së për djallëzim, djallëohet, dhe kur i duhet për shpëtim, e shpëton. PDK duhet të rrijë në opozitë, dhe duhet të bëhet opozitë e vërtetë, jo të dalë me Blerta Deliun e të shpallë se mocioni i LV-së është jo-serioz, por të jap nënshkrimet për mocion e pastaj edhe votat për rëzimin e LDK-së. Si pasojë, PDK do duhej të ja kthej gjithë “djallëzinë” e shumë viteve LDK-së.

Këto poziciione, përveq që do rigruponin elektoratin e PDK-së, do hiqnin nga skena njërin nga kundërshtarët e djallëzuesit e saj, pra LDK-në. Pastaj PDK edhe po të ksihte mbetur opozitë, do ishte opozitë me të ardhme, me dinjitet dhe pa çarë kokën për një djallëzues si LDK, kjo e fundit ka zgjedhur rrugën e vet, dhe duhet lënë që ta paguaj koston e rrugës që ka zgjedhur.

Mirëpo a do të sillet PDK racionalisht politikisht? Gjasat janë shumë të vogla. E ndodhur në një situatë të tillë që pushteti po i cungohet në proces e sipër, nën shantazhin permanent të Gjykatës Speciale, me një strukturë të dobët e cila nuk paraqitet asi si profesionale, as si oratore, as si idealiste. PDK më shumë do tentoj të arrnoj LDK-në, në mënyrë që të shpëtoj disa biznese, disa interesa afatshkurtëra, dhe për këtë do paguaj çmimin të cilin edhe ka filluar ta paguaj, rënien e lirë sikurse edhe tandemi tjetër i saj LDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat