Lëvizjet e “mercenarëve” politik!

Opinione

Lëvizjet e “mercenarëve” politik!

Nga: Dibran Demaku Më: 21 janar 2021 Në ora: 15:24
Dibran Demaku

Vite më parë një i njohuri im kishte aderuar në një parti politike.Kishte aderuar me shpresën se do të gjendej në listën e të nominuarëve të asaj partie për deputet.Dhe kur partia e tij nuk e kishte futur në listën e të nominuarve për deputet,ai,pra i njohuri im ishte larguar nga ajo parti në mënyrë demonstrative.Dhe jo vetëm që ishte larguar,por kishte filluar të gjuante gurë e dru mbi ish partinë e tij.

Pas largimit nga partia e parë, në fillim ishte betuar se kurrë më,ama bash kurrë më nuk do të merrej me politikë dhe nuk do ti bashkohej asnjë partie.Por betimi i tij nuk kishte zgjatur shumë.I ishte bashkangjitur një partie tjetër,gjithnjë me synimin që të bëhej deputet.

E kisha takuar sërish pasi ishte bërë pjesë e një partie tjetër politike.Dhe siç ndodhë zakonisht në jetë ai kishte filluar të fliste me pasion e pompozitet për partinë e re.Dhe atë jo për një ditë,javë e muaj,por për shumë ditë javë e muaj!

Në një ndejë,ai sërish fliste me pietet për partinë e re dhe liderin e saj.E kuptoja.Zgjedhjet e radhës ishin në prag dhe ai duhej të lobonte për partinë e tij.Për partinë e cila mbase këtë herë do të ia hapte dyertë e ëndrrës së tij jetësore.Gjithnjë derisa ishin shpallur listat e kandidatëve për deputet.Dhe për habinë e tij të madhe(të mos themi për fatkeqësinë e tij) ai sërish nuk ishte në listën e kandidatëve për deputet!

E kisha takuar vetëm një ditë pas publikimit të listës së partisë së tij(ku emri i tij nuk ishte askund) dhe ai kishte rënë nga entuziazmi i mëparshëm.I ishin paluar pendlat si pulës së lagur siç thuhet në popull dhe qele gur gojën.

Nuk dija çfarë t‘i thoja.Nuk dija si ta ngushëlloja.Dikur krejt papritmas ia shkrepa:Mos u merzit he burri i dheut!Zgjedhjet vijnë prapë e mbase deri atëherë ti bën emër në parti dhe ajo të kandidon e ti bëhesh deputet!

Më shikoi gjatë dhe pastaj shpërtheu:-Nuk do të rri më gjatë as te kjo parti!Do të shkoj tek një parti tjetër!

Më vinte keq për gjendjen e tij shpirtërore në të cilën gjendej dhe meqë nuk po gjeja dot fjalë të përshtatshme,i thash:-Ti mund të ndërrosh sa të duash parti politike,por me këtë nuk do të arrish asgjë.Partitë e tjera të pranojnë si anëtar,për të rritur numrin e tyre dhe për të dobësuar partinë kundërshtare,por kurrë nuk të ngrisin në poste të larta.Sepse për ta je vetëm një „mercenar“politik“dhe asgjë tjetër!

Më shikoi gjatë dhe si me inati ma ktheu:-Ti nuk ke lidhje me politikë,andaj shprehesh kështu.Unë e kam ndarë mendjen.Do të ndërroj parti e parti derisa të bëhem deputet.Dhe do të bëhem se s‘bën!

Që nga atëherë ai ( i njohuri im)ndërroi parti e parti,por nuk u bë kurrë deputet.Mbase do të bëhet këtë herë!...

P.s këtë le ta kenë si vëth në vesh të gjithë ata individ që ndërrojnë parti e parti.Ata kanë vetëm një emër:“mercenarë“politik që nuk i do askush!Do të gëzohesha sinqerisht nëse në këto zgjedhje do të ndodhte e kundërta.Do të gëzohesha edhe për të njohurin tim.Kaq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat