Nuk ka Majko, as Tatko që e “mbyll” bashkimin kombëtar !

Opinione

Nuk ka Majko, as Tatko që e “mbyll” bashkimin kombëtar !

Nga: Prof.Dr.Mehdi HYSENI Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 22:50
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

-Ashtu, si nuk kanë mundur t’i “burgosin” dhe t’i ndalojnë “Shkronjat e mallkuara shqipe” të Petro Nini Luarasit, të Papa Kristo Negovanit, të Mihal Gramenos, të Çërçiz e Bajo Topullit…etj. të luftës së tyre “Ja vdekje, ja liri” për bashkim kombëtar dhe për Shqipëri.

Ndaj, siç thoshte Ismail Qemali “mos na pengoni në rrugën tonë shenjtë.-Shporru ti prift Jakov, shiko punët e kishës, se këtij vendi ka kush t’i dalë Zot. Nuk pranojmë asnjë të keqe, as të vogël e as të madhe për Shqipërinë”.

Prandaj, Pandeli Majko, -ik edhe ti, shporru  vullnetarisht, jep dorëheqje nga kolltuku i ministrit të Dijasporës Shqiptare, sepse me prononcimin tuaj infantil të pamend dhe primitiv ke kërkuar të pamundurën, hiq më pak se “mbylljen e historisë së bashkimit kombëtar shqiptar”, ashtu sikurse aleanca sllavo-bizantine ballkanike (XVIII-XXI).

Me këtë  parullë antishqiptare kundër bashkimit kombëtar, ministri Pandeli Majko ka ofenduar keq e rëndë, në mënyrën më të turpshme: historinë, luftërat e përgjakshme heroike çlirimtare kombëtare për liri, për pavarësi dhe për bashkimin kombëtar, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut deri te lufta e fundit të heroit Adem Jashari (mars 1998).

Diaspora  jeton me idealin e lirisë, të pavarësisë dhe të bashkimit mbarëkombëtar

-“Mbyllja” e këtij ideali, do të ishte vazhdim i robërisë së Diasporës dhe i gjithë kombit shqiptar !

Mirëpo,  meqë paska ardhur “ora mbylljes së historisë së bashkimit kombëtar” ngase sipas Majkos “i paska ka kaluar afati i përdorimit”, atëherë Pandeli Majko, duhet “ta mbyllë” edhe gjithë diasporën shqiptare, sepse kjo që nga periudha e ndritshme e Rilindësve e shkekujve (XVIII, XIX, XX, XXI) mision prioritar ka pasur luftën koherente për ndërtimin e identitetit kombëtar, të rujatjes së gjuhës shqipe, të kulturës, të çlirimit, të pavarësimit dhe të bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm të përbashkët kombëtar, që quhet Shqipëria etnike e shqiptarëve, jo e grekëve, as e serbëve, as e malazezëve, as e bullgarëve, as e turqve etj.

Prandaj, edhe diaspora e sotme shqiptare jeton me këtë ideal, me këtë imperativ dhe me këtë amanet të Rilindësve dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), që vazhdimisht dhe, pakursyer asgjë prej vetes të luftojë për bashkimin kombëtar dhe territorial të tyre brenda kufijve natyrorë, historikë, etnikë dhe gjeografikë të Shqipërisë etnike. Vetëm ky ideal, kjo shpresë dhe kjo luftë e përditshme për bashkimin kombëtar e mban gjallë atdhedashurinë dhe aspirtaën patriotike të diasporës shqiptare, jo degjenerimi, plaçka, shfrytëzimi, krimi, varfëria, papunësia, korrupsioni, mafia dhe eksodi i vazhdueshëm në vendet e origjinës.

Vetëm vendet fqinje kolonialiste (Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore) e mohojnë bashkimin kombëtar shqiptar.

Dhe, tani, së fundi paska dalë, edhe ministri i Diasporës Shqiptare, Pandeli Majko, i cili, vërtet, nëse do ta “mbyllë historinë e bashkimit kombëtar”, që do të thotë dekolonizimin e tokave autoktone shqiptare, atëherë  le t’u drejtohet “aleatëve” shekullorë, shovinistëve dhe “honxhobonxhove” grekomanë fashistë dhe racistë siç ishin dhespotët grekë në “misionin e shenjtë” për greqizimin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare në Epir dhe në jugun e Shqipërisë sotme.

Bashkimi kombëtar është i lidhur me nervin e ekzistencës së identitetit kombëtar dhe të gjuhës shqipe

Prandaj, nuk mund të ketë ndonjë Pandeli Majko a “Tatko”, që mund të mbyllë, të pengojë dhe të ndalë procesin shekullor të bashkimit kombëtar shqiptar, ashtu siç nuk patën fuqi e as mend priftërinjtë shovinistë grekë, t’i ndalnin dhe t’i vrisnin “ Shkronjat  dhe shkollat e mallkuara shqipe” të Mësuesit dhe të Rilindësit patriot shqiptar, Petro Nini Luarasi.

P. Majo të ndjekë shkollën patritoike dhe civilizuese të Çerçiz Topullit, të Petro N. Luarasit,  të Pandeli Vangjelit, të Mihal Gramenos, të Pandeli Cales, jo të shovinizmit grek dhe grekoman kundër bashkimit kombëtar, sintagmë kjo, që është e barasvlershme me shkolonizimin e shqiptarëve nga kolonializmi i egër sllavo-biznatin ballkanik (1844-2021).

Pse Pandeliu numër 2 kundër Pandeli Vangjelit  numër 1 të Ismail Qemalit?!

Nga na doli tani pas një shekulli (1912 -2021) ky Pandeli numër 2 “aq i fuqishëm”,”aq trim”, “aq i ditur,  “aq largpamës” dhe “aq patriot” që me “fletërrufenë politiko-propagandistike” antishqiptare, të deklarojë “mbylljen e historisë së bashkimit kombëtar” kinse sipas “busullës politike”  të tij  me akrepa të ndryshkur orientues-vetëmohues i “paska skaduar afati historik”, ashtu sikurse  “Shkronjave të mallkuara shqipe” të Mësuesit, të patriotit dhe të martirit Rilindës, Petro Nini Luarasi, i cili flijoi jetën, që në vend të greqishtes, të përhapej dhe të mësohej gjuha shqipe në shkolla, si dhe uratat fetare të bëheshin në gjuhën shqipe, jo në greqishte në kishat edhe në manastiret ortodokse në Shqipëri.

Mirëpo, kjo rrugë për dritë, për dituri, për emancipim , për zhvillim, për mëvetësim, për lulëzim dhe për bashkim, që filloi të përhapet në shkollat shqipe në Shqipëri, i pengoi shumë shovinistët kolonialistë grekë me në krye dhespotët e tyre  racistë siç ishin :” Qirilli (1887), Gregori (1889) dhe Fillareti (1892), të cilët “shkronjat dhe shkollat shqipe i quanin të mallkuara, të cilët me agjentët e tyre grekë dhe grekomanë  e helmuan Petro Nini Luarasin, më 17 gusht 1911”. Mirëpo, me gjithë këtë vrasje terroriste tinzare antinjerëzore, të cilën “dhespoti grek Joakim i Korçës e justifikoi si vdekje nga kolera”, si dhe për t’i fshehur gjurmët e këti krimi makabër,  rrenci dhe mashtruesi i popullit shqiptar dhe i Zotit, “Jakimi grek tentoi që trupin e Petro N. Luarasit ta digjte në gëlqere”.  Këtë vepër famëkeqe monstrupze fashiste e bëri Joakimi me priftërinjtë dhe me agjentët e tij grekë, mirëpo, as ky e as kisha greke fashiste nuk arritën t’i vrisnin “Shkronjat dhe shkollat e mallkuara shqipe”, siç i shpifnin ata përpara popullit dhe në sy të botës së qytetëruar.

Prandaj,  as Pandeli Majko nuk do të ketë asnjë shans minimal, që të “burgosë” dhe të “mbyllë” historinë, as idealin, as rrugën e as veprën  patriotike vetëflijuese të  shqiptarëve për bashkimin kombëtar as brenda e as në diasporë. Atë që e paska deklaruar nga frika e organizimit të një REFERENDUMI për bashkimin kombëtar, le t’ia  varë  “maces në bisht”, sepse  me  atëfarë “mbyllje historike” mund t’i argëtojë dhe t’i gëzojë vetëm armiqtë grekë, serbë, malazezë dhe sllavomaqedonë, Jo asnjë shqiptar, as brenda Shqipërisë Etnike e as në Diajasporën Shqiptare, sepse me nder me thanë, kërkoj ndjesë nga lexuesi për këtë shprehje banale: shqiptarët nuk pjerdhin për një propagandë të tillë shpifëse dhe dezinformuese antishqiptare, që mohon dhe konteston bashkimin kombëtar. Thjesht, shkurt e shqip, atyre, që nuk u pëlqen bashkimi kombëtar shqiptar, mund të kërkojnë të bashkohen me grekë, me rusë, me bullgarë, me serbë, me malazezë …etj., ajo çështje  krejtësisht private e tyre, jo e kombit shqiptar si kolektivitet.

Patriotizmi i rremë i Majkos

Majko në shumë intervista e panele të tij ka deklaruar se gjoja, “ka luftuar shumë për Kosovën”. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 30 vjet, ende nuk dihet se në cilën betejë ka luftuar qoftë në Koshare, në Pashtrik, në  Prekaz, në Llap, në Shalë, në Drenicë, në Dukagjin, në Gollak etj. Gjithashtu, deri më sot, nuk ekziston asnjë dokument valid, që do të dëshmonte numrin e tankeve të brigadave dhe të divizioneve të Ushtrisë Shqiptare, që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare  dhe mbrojtëse të Kosovës (1989-1999). Asnjë ! Përveç disa të rinjve dhe ushtarakëve vullnetarë patriotë shqiptarë, të cilët regjimi i Sali Berishës, i Fatos Nanons dhe i Pandeli Majkos, i patën demobilizuar dhe hedhur në rrugë si “tepricë teknologjike”, duke i lënë pa punë dhe pa kafshatën gojës për të mbijetuar. Mirëpo, këta nuk u thyen, nuk tradhtuan, as nuk hezituan, as nuk u arratisën dikund në Greqi apo në shtetet e Evropës për një copë bukë për t’i siguruar familjet e tyre, por iu bashkuan UÇK-së në luftën për çlirimin dhe për lirinë e Kosovës. Të gjithë këta trima  qoftë heronj të rënë a të gjallë, Kosova nuk do t’i harrojë kurrë, as sot e as nesër.

Pandeli Majko nuk njeh as histori, as Kushtetutë e as Platformë Kombëtare shqiptare, që favorizojnë dhe justifikojnë të drejtën  dhe kërkesën për bashkimin kombëtar shqiptar !

Me gjithë paternalizmin e tij të rremë se gjoja “ ka investuar, dhe i dhemb shumë për Kosovën”,  Pandeli Majko, nuk është ajo “fuqi politike” ballkanike, që do të mund ta pengonte ose ta përshpejtonte procesin e bashkimit të shenjtë kombëtar shqiptar. Ndaj, parapëlqehet që,  Majko së bashku me të  gjithë majkot e “tatkot” e tjerë, të cilët deri tani janë deklaruar kundër bashkimit kombëtar qoftë brenda a jashtë Shqipërisë Etnike të Ismail Qemalit, të  mos  zhvillojnë propagandë frikësuese dhe panik të panevojshëm në opinionin publik; të  mos provokojnë, të mos gënjejn֝ë, të mos shpifin dhe, të mos manipulojnë popullin shqiptar, se gjoja sipas “syzeve” të tyre të “diellit”  “paska perënduar” bashkimi kombëtar.  Ky është idiotizëm në “kub”, që mund ta bëjë  një lider politik shqipfolës siç është Pandeli Majko.

Prandaj, vëllezër dhe motra shqiptare, mos u frikësoni nga bashkimi kombëtar, por nga robëria koloniale shekullore, nga varfëria, nga plaçka, nga hajnia, nga përbuzja, nga shfrytëzimi dhe nga papunësia, që e kanë shkaktuar “majkot” dhe “tatkotë”,  thënçin “demokratë” dhe “humanist”, të cilët qe 30 vjet po e kullosin  djersësn e popullit dhe pasurinë e tij dhe të Shqipërisë. Ndërkaq, mbi “1 milion” shqiptarë ka ikur në emigrim, kanë braktisur Shqipërinë (1990-2021).

Populli nuk duhet të frikëshet nga propaganda agjenturore antibashkim e Pandeli Majkos, ngase  ai nuk është i një formati politik të Albin Kurtit, që mund të ndikojë në “hapjen” ose në “mbylljen” e historisë bashkimit kombëtar.

Këtë duhet ta ketë kuptuar  Pandeli Pajko, pavarësisht  nga aftësia e radiusit politik të tij, i cili qe 30 vjet sillet si “rrota e mullirit pa ujë”, duke pritur integrimin në BE. Mirëpo, me atë dituri dhe largpamësi utopike, nuk ka për të hyrë në BE, sepse BE-ja nuk pranon shtete me probleme të pazgjidhura ndërterritoriale siç është Shqipëria, e cila që nga viti 1878 ka konteste territoriale me vendet fqinje, siç janë Greqia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia.

 Pandeli Majko, veç mohimit të  së drejtës hitorike të kombit  shqiptar ka shpërfillur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë(1998) dhe  Platformën për Zgjedhjen e  Çështjes Kombëtare Shqiptare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998).

Duke qenë se sipas Majkos,  “qenka plakur” ideja për bashkimin kombëtar, gjoja se “i përket shekullit të kaluar”, atëherë, pse kjo ide figuron në preambulën e Kushtetutës së re moderne të Republikës së Shqipërisë, ku thuhet : “ me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, “Pegi”, Tiranë, 2002, f.5)

 Gjithashtu, ministri i Diasporës Shqiptare Pandeli Majko nuk e di, sepse nuk e ka lexuar fare as “Platformën për Zgjitdhjen e Çsështjes Kombëtare Shqiptare” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku thuhet :”…, aspirata e gjithë shqiptarëve është ashtu (domethënë se,  edhe sot në shekullin XXI, fillimi i dekadës së tretë, viti 2021,  është tejet aktuale, e qëndrueshme, e pranushme, e domosdoshme, dhe në frymën e integrimeve demokratike, civilizuese dhe paqësore  evropiane – M.H.)  siç e kanë përcaktuar që në shekullin e kaluar (XIX- M.H.) rilindësit tanë – BASHKIMI i mbarë trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Deri sot ky bashkim nuk është arritur jo për faj të shqiptarëve.Përkundrazi, gjysma e trojeve etnike shqiptare ndodhet ende nën zgjedhen e disa shteteve të huaja. Si rrjedhim, çështja kombëtare shqiptare është një çështje e pazgjidhur (Domethënë, ende, edhe sot është çështje, që pret për zgjidhje, nuk i ka skaduar afati sipas Pandeli Majkos- M.H.)”. Shih: “Platformë për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, f.50.

Sa më lart,  deklarata e Pandeli Majkos, që të “mbyllet historia e bashkimit kombëtar, sepse i përket shekullit të kaluar”, është shpifje, dezinformim, mashtrim dhe manipulim i historisë kombëtare shqiptare, ndaj si e tillë, nevojitet të hedhet në koshin e plehërave të politikës dhe të propagandës ditore, që thërret kundër idesë së organizimit të REFERENDUMIT për bashkimin kombëtar shqiptar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat