Prishtina të mos i dëgjojë “fjalët e botës” !

Opinione

Prishtina të mos i dëgjojë “fjalët e botës” !

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 4 mars 2021 Në ora: 07:57
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Sepse vendosja e  ambasadës së Kosovës në Izrael, është çështje  e Izraelit, jo e Prishtinës, as e Beogradit e as Stambollës. Prandaj, në këtë çështje as politika e as diplomacia e Kosovës nuk kanë pse t’i japin llogari askujt, e, as pse të shterohen duke polemizuar me askë , se ku do ta vendosin misionin e vet diplomatik dhe konsullor në Izrael, mbase kjo çështje i përket vetëm Tel-Avivit, askujt tjetër.

-Shprehur me fjalorin e përditshëm, nëse ndonjëri shkon dikund mysafir, nuk mund të kërkojë nga zoti i shtëpisë, se në cilën dhomë do të  kuvendojë apo do të flejë, sepse për atë vendos i zoti i shtëpisë, JO MYSAFIRI !

Kështu qëndron çështja edhe me procedurën juridike të së drejtës ndërkombëtare me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

 Thank you ex-President Donald Trump !

Pikësëpari, politika dhe diplomacia zyrtare e Kosovës, duhet ta falënderojë ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që ia arriti ta bindë Izraelin për njohjen e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008). Kjo njohje ndërkombëtare është meritë direkte historike dhe diplomatike e Donald Trump-it. –Faleminderit z.President Donald Trump. -Populli i Kosovës nuk do ta harrojë këtë shpërblim të madh për afrimin e dy popujve (herbrenjve dhe shqiptarëve), të cilët historikisht e kanë një simetri tragjike të mbijetesës nga gjenocidet e huaja, gjatë vijimësisë së tyre shumëshekullore.

Ne jemi të nderuar me njohjen  e Izraelit

-Shpresojmë se, kështu si Izraeli, së shpejti edhe Vatikani do ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës.

Sipas së drejtës ndërkombëtare,  njohja reciproke e dy shteteve bëhet duke u bazuar në pëliqimin e ndërsjellë të tyre.

Prandaj, për Kosovën është e rëndësishme njohja historike nga ana e  Izraelit, jo  vendosja fiziko-teknike e misionit diplomatik (amabasadës) në Tel Aviv apo në Jerusalem. Kjo është çështje e brendshme e shtetit të Izraelit, se në cilin qytet të tij, do të vendosë Ambasadën e Kosovës, apo ndonjë  ambasadë të ndonjë shteti tjetër.

Madje, shteti dërgues (sending state) nuk është ai që merr vendim se në cilën pjesë të territorit të një vendi pritës (receiving state) dëshiron të vendosë misionin e vet diplomatik a konsullor, por për këtë çështje vendos shteti pritës (receiving state) në përputhje me Konventën e Vjenës së Marrëdhënieve Diplomatike (1961, Neni 21.1.).

Këtë e theksova me qëllim që të mos krijohen nebuloza dhe politizim i panevojshëm lidhur me çështjen  e vendosjes së misionit diplomamtik (Ambasadës) së Kosovës në Izrael (në Tel-Aviv apo në Jerusalem), sepse kjo është e drejtë e ligjshme dhe sovrane vetëm e Qeverisë së Izraelit, jo e Kosovës dhe, e asnjë shteti tjetër, ngaqë është në përputhje të plotë me rregullat, me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.  

Parimisht, sipas së drejtës diplomatike dhe konsullore, asnjë shtet dërgues (sending state) nuk ka të drejtë t’i kërkojë, apo t’i diktojë shtetit pritës (receiving State) lokacionin  se ku do ta vendoste ambasadën apo konsullatën e tij, sepse kjo çështje e jurisdiksionit territorial  i përket vetëm shtetit pritës.

Prandaj, me këtë çështje nuk ka pse të merret e as pse të humbasë koha politika dhe diplomacia e Republikës së Kosovës, mbase për vendosjen e ambasadës së saj qoftë në Tel-Aviv apo në Jerusalem vendos vetëm qeveria e shtetit të Izraelit, askush tjetër, sepse këto dy qytete janë nën jurisdiksionin territorial, administrativ, shtetëror, sovran dhe të pavarur të Izraelit.

Në këtë kontekst, çdo politizim i vendosjes së misionit diplomatik të Kosovës në Izrael, është përzierje direkte në çështje të brendshme të Izraelit dhe të Kosovës. Mirëpo, politika dhe diplomacia e Kosovës, nuk duhet të bien viktima të asnjë ultimatumi dhe, të asnjë diktati të huaj kërcënues  se  ku duhet ta vendosin ambasadën e tyre në Izrael, sepse kjo është çështje e brendshme e  qeverisë së Izraelit, jo e qeverisë së Kosovës, as e qeverisë së Ankarasë, as qeverisë së Palestinës e as e qeverisë së Serbisë etj. Palestina  nuk ka asnjë të drejtë të përzihet në çështje të Kosovës, kur është fjala për njohjen nga Izraeli, sepse kjo është vetëm  çështje e marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit,  Prishtinës dhe Tel Avivit (4 shtator 2020).  Për më tepër, Kosova nuk iu përzie  Palestinës, kur e njohu Serbinë gjenocidale (1912-1999), mbase ishte çështje e Palestinës, jo e Kosovës. Kështu thotë edhe e drejta ndërkombëtare, si dhe Karta e Kombeve të Bashkaura, që rreptësisht ndalojnë përzierjen e shteteve në çështje të brendshme të shteteve të tjera.

 Së fundi, një këshillë për ata që po duan të  ndërlikohen në procesin e njohjes reciproke të Izraleit dhe të Kosovës, me qëllim të politizimit të tij, duke i dhënë dimensione paragjykuese  religjioze,  duhet ta kuptojnë të vërtetën se Kosova nuk është kurrfarë shteti islamik, por është shtet demokratik sekular me Kushtetutë (15 qershor 2008). Ndaj, nuk ka kurrfarë obligimi moral , as ligjor e as kushtetues ndaj asnjë vendi islamik në botë. Mirëpo, nëse ndonjëri prej shteteve islamike, do ta njihte Kosovën, sigurisht se Kosova do ta pranonte me kënaqësi një njohje të tillë eventuale, ashtu sikurse në rastin e Republikës Islmaike të Afganistanit, e cila ishte ndër shtetet e para, që e njohu Kosovën, më 18 shkurt 2008.

Të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën  (mbi 100 sosh) dhe ato që nuk e kanë njohur, duhet ta dine se Kosova është e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira miqësore, ekonomike, politike, diplomatike, tregtare e kulturore etj. Për më tepër, Kosova është shtet proamerikan dhe me orientim të qartë civilizues demokratik  dhe paqësor evropianoperëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat