Deklaratat për kufijtë e Shqipërisë në takimin e 5 prillit mes ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë e Qipros dhe diplomacia jonë e përgjumur

Opinione

Deklaratat për kufijtë e Shqipërisë në takimin e 5 prillit mes ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë e Qipros dhe diplomacia jonë e përgjumur

Nga: Shaban Murati Më: 15 prill 2021 Në ora: 10:41
Shaban Murati

Askush nuk kishte menduar se dosjet e kryeministrit të Greqisë, Elefteros Venizellos, dhe kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiç, që nënshkruan Traktatin e Aleancës midis dy shteteve në qershor të vitin 1913 për të ndarë midis tyre territoret shqiptare, do të shërbenin si hartë diplomatike për takimin e parë të ministrave të jashtëm të Serbisë, Greqisë dhe Qipros, të cilët përuruan aleancën e re trepalëshe në datën 5 prill në Beograd.

Një nga çështjet me të cilat u mor kjo aleancë e re e Serbisë me dy shtetet greke, ishin kufijtë e Shqipërisë. Agjencia zyrtare serbe e lajmeve “Tanjug” njoftonte në 5 prill se ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç, deklaroi në bisedime se “Serbia ka mbështetur Greqinë në lidhje me një marrëveshje me Shqipërinë për delimitimin e kufijve midis dy vendeve”.

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve e falenderoi publikisht ministrin e jashtëm serb për mbështetjen në çeshtjen e kufijve me Shqipërinë, dhe e numëroi midis rezultateve të suksesshme të takimit trepalësh të Beogradit. Kjo shenjë diplomatike është e mjaftueshme për të kuptuar se Greqia dhe Serbia i kanë bërë objekt bisedimesh mes tyre kufijtë e Shqipërisë.

Shqetësimi i parë që ngrihet është se ç‘punë ka Serbia dhe Greqia të diskutojnë për kufijtë e Shqipërisë. Me çfarë tagri ministri i jashtëm serb del dhe flet nga pozitat e arbitrit për kufijtë e një shteti të tretë në Ballkan sikur Beogradi ka monopolin e certifikimit të kufijve midis shteteve të rajonit.

Deklarata e ministrit të jashtëm serb për kufijtë e Shqipërisë hap shumë dyshime dhe pikëpyetje si për aleancën e re trepalëshe, ashtu dhe për intrigat e reja gjeopolitike me baza fetare, që po luhen në rajon nga shtete historikisht jo miqësore me shqiptarët dhe me kombin shqiptar. Serbia po noton në ujërat e turbullta të kohërave të errëta të luftërave ballkanike kur bashkë me Greqinë nuk njihnin pavarësinë e Shqipërisë, kishin pushtuar territore shqiptare dhe diskutonin mes tyre ku të vendosnin kufijtë e pronave të reja në këto territore.

Në një farë kuptimi kemi një afishim të ri të rrezikshëm të pretendimeve të diplomacisë serbe, e cila për herë të parë merr pozicion publik për të gjykuar zyrtarisht kufijtë dhe marrëveshjet për kufijtë mes shteteve të treta në rajon.

Nuk e dimë shkallën e njohjes së historisë së Ballkanit nga ministri i jashtëm serb, por atij nuk i falet të mos e dijë që në 30 korrik 1926 në Paris fuqitë e mëdha kanë nënshkruar “Aktin Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, akt të cilin e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar edhe qeveritë e Serbisë dhe të Greqisë. Çështja e kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe me Greqinë është mbyllur nga ai Traktat Ndërkombëtar, i cili ka anekset dhe konventat bashkëlidhur dhe të cilat janë depozituar në Lidhjen e Kombeve si të gjitha aktet dhe dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare.

Beogradi ka pranuar me firmën e qeverisë së tij jo vetëm kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Jugosllavinë, por edhe kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë me Greqinë.
Intriga bizantine nis që nga formulimi i ri i çështjes. Ministri i jashtëm serb përshëndet “delimitimin e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë”, pra përfshin ratifikimin e kufijve detarë dhe të kufijve tokësorë të Shqipërisë me Greqinë.

Zyrtarisht Greqia deri tani ka rivendikuar kufij të rij detarë me Shqipërinë dhe sipas burimeve të pakonfirmuara ka arritur t’i shkëpusë Tiranës një marrëveshje të fshehtë detare, të cilën qeveria greke dhe ajo shqiptare kërkojnë ta sanksionojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka autoritetin që me pëlqimin e dy palëve të vizatojë kufij të rij detarë dhe të zhbëjë vlefshmërinë historike të “Aktit Final të delimitimit të kufijve të Shqipërisë”.

Për njohësit e vjetër të marrëdhënieve ballkanike, shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, është e qartë se Serbia nuk e ngriti kot çështjen e kufijve midis Greqisë dhe Shqipërisë, si çështje që shkon përtej kufijve detarë. Qeverisë së përgjumur shqiptare dhe diplomacisë së përgjumur shqiptare nuk i kujtohet se në selinë e kryeministrisë së Shqipërisë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në 27 prill 2009, kryeministri grek K. Karamanlis lëshoi publikisht sfidën e ratifikimit të kufijve tokësorë me deklaratën: “Fryma konstruktive na lejon të përmbyllim dhe të firmosim këtu në Tiranë një marrëveshje shumë të rëndësishme, përvijimin e vijës kontinentale dhe zonës detare mes Greqisë dhe Shqipërisë”. (Libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”,Tiranë, 2018, fq.72)

Duke rihapur të ashtuquajturën çështje të kufijve të Shqipërisë, Serbia ka interesat e saj afatgjata. Serbia nuk është më as shtet fqinjë dhe as shtet kufitar me Shqipërinë. Por ajo ka objektivin e dobësimit strategjik të Shqipërisë dhe është e kuptueshme se çdo rrudhje territoriale e Shqipërisë në det apo në tokë është në funksion të dobësimit strategjik të kombit shqiptar.

Mendoj se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të marrin në shqyrtim këto situata negative, që po krijohen rreth kufijve edhe rreth integritetit territorial të Shqipërisë. Në Beograd sapo u legalizua një aleancë e re e tre shteteve, që nuk e njohin Kosovën, dhe që nuk pranojnë rol të faktorit shqiptar në Ballkan. Strategjia e aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke është rrethimi dhe neutralizimi i faktorit shqiptar në Ballkan. Kemi Serbinë, që rivendikon territoret shqiptare të Kosovës dhe lufton ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës, dhe kemi Greqinë, që rivendikon hapësirat detare shqiptare dhe hapësirat tokësore të Shqipërisë së Jugut.

Është pak të quhet e habitshme aleanca e tre shteteve, që nuk njohin Kosovën dhe të cilat konfirmuan në Beograd se një nga boshtet e kësaj aleance të re është pikërisht mosnjohja e Kosovës. Për fanatizmin filoserb të demonstruar nga Qipro për mosnjohjen e Kosovës, presidenti serb Vuçiç i akordoi ministrit të jashtëm qipriot një dekoratë të lartë shtetërore serbe. Në ceremoninë e marrjes së dekoratës serbe ministri i jashtëm qipriot theksoi se një nga motivet dhe bazat e aleancës së re të tre shteteve janë lidhjet e tyre historike fetare të ortodoksisë.

Aksi ortodoks i aleancës së re të Serbisë me dy shtetet greke nuk premton asgjë të mirë për mbarëvajtjen e rajonit dhe as për procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Përtej pyetjes së logjikshme se ç’punë ka Qipro me Ballkanin Perëndimor dhe ç’punë ka Serbia me Mesdheun Lindor, këtu lind dyshimi i madh se pse duhej të krijohej kjo aleancë e re e tre shteteve ortodokse.

Që pas agresionit rus në Ukrainë Ballkani është përmbytur nga aleanca e grupime të shteteve ortodokse njeri pas tjetrit. U krijua aleanca katërpalëshe e Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. U krijua aleanca trepalëshe e Serbisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua aleanca trepalëshe e Greqisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë. U krijua tani në 5 prill aleanca trepalëshe e Serbisë me Greqinë dhe me Qipron. Ministri i jashtëm grek njoftoi në 5 prill në Beograd se Greqia do të organizojë së shpejti një grupim të ri shtetesh Greqi-Serbi-Maqedoni e Veriut.

Është një fenomen diplomatik dhe shtetëror i habitshëm, që nuk mund të mendohet pa një sponsorizim të fuqishëm të nëndheshëm të diplomacisë ruse dhe të kishës ortodokse ruse. Rusia është e interesuar strategjikisht që shtetet ortodokse të Ballkanit të integrohen në ortodoksizëm politik dhe jo në integrimin euroatlantik. Rusia ka interes strategjik që me këto grupime treshe apo katërshe shtetesh ortodokse Ballkani të fragmentarizohet dhe të devijojë nga orientimi strategjik i integrimit euroatlantik.
Ballkani po bëhet terreni i zbatimit të një gjeopolitike të rafinuar ortodokse ruse.

Udhëheqësit serbë, grekë qipriotë, etj. flasin hapur se në themel të këtyre aleancave janë lidhjet e tyre historike ortodokse. Ortodoksizmi politik dhe diplomatik shërben si motor i veprimit diplomatik dhe gjeopolitik të tyre. Ministria e Mbrojtjes e Greqisë në një dokument të saj në vitin 2017 lidhur me marrëdhëniet strategjike midis Greqisë dhe Serbisë deklaron se “Si shtesë të rrugës sonë të përbashkët ortodokse dy shtete tona Serbia dhe Greqia kanë edhe rrugën e përbashkët europiane”.

Pra në prioritetet strategjike zyrtare greke integrimi europian vjen pas integrimit ortodoks. Kemi një prirje diplomatike dhe gjeopolitike, që shkon në kah të kundërt me objektivat e integrimit euroatlantik të Ballkanit. Kemi hallka të reja të kordonit sanitar gjeopolitik ortodoks, që ka si instrument gjeopolitik aleancat e shteteve ortodokse në rajon. Boshtin fetar gjeopolitik ortodoks e vërteton fakti që në asnjë nga këto grupime të panumërta shtetesh ortodokse në Ballkan nuk janë ftuar asnjëherë të marrin pjesë shtete të NATO-s të rajonit si Kroacia, Shqipëria dhe Turqia.

Aleanca e re trepalëshe e Serbisë me dy shtetet greke është vazhdim i aleancës së ngushtë strategjike që Serbia dhe Greqia kanë vendosur me njëra-tjetrën. Në 11 dhjetor të vitit 2019 presidenti i Serbisë Vuçiç dhe kryeministri i Greqisë Micotaqis nënshkruan në Athinë “Deklaratën e Partneritetit Strategjik midis Serbisë dhe Greqisë”, e cila është praktikisht një traktat bashkëpunimi strategjik midis dy shteteve. Duhet theksuar se Greqia është shteti i tretë, që nënshkruan Traktat Strategjik me Serbinë, pas Kinës që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2009 dhe pas Rusisë, që e nënshkroi me Serbinë në vitin 2013.

Nuk dihet nëse Greqia ka konsultuar NATO-n në lidhje me nënshkrimin e “Traktatit të Partneritetit Strategjik” me Serbinë, e cila është një shtet i lidhur ushtarakisht me Rusinë, që ka bazë ushtarake ruse në territorin e saj, që bën stërvitje të rregullta ushtarake me trupat ruse dhe që armatoset rregullisht me armë të sofistikuara ruse kundër shteteve të NATO-s si Kroacia dhe Shqipëria.

Nuk ka informacion nëse Greqia është konsultuar me NATO-n për vendosjen e bashkëpunimit ushtarak trepalësh si një nga drejtimet bazë të veprimit dhe të bashkëpunimit të aleancës së re Greqi-Serbi-Qipro. Këtë drejtim ushtarak e pohoi edhe ministri i jashtëm grek Dendias në konferencën e shtypit pas bisedimeve me dyer të mbyllura të tre ministrave të jashtëm.

Portali “vsimag.com” në 7 prill, me titullin “Një dimension i paeksploruar aktual në konsolidimin gjeopolitik ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Serbisë”, shkruante se “Këto përpjekje mund të kombinohen për të krijuar një strukturë të bashkëpunimit ushtarako-industrial midis Greqisë, Serbisë dhe Qipros, e cila mund të shërbejë si bazë për një qasje më të gjerë gjeopolitike”.

Nuk ka informacion nëse qeveria apo MPJ në Shqipëri kanë reaguar për këto zhvillime negative për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, sepse çdo aks i ri diplomatik dhe strategjik ortodoks në Ballkan, me tre apo katër shtete ortodokse, tehun e tij gjeopolitik dhe afatgjatë e ka në radhë të parë kundër interesave jetike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Demagogjisë së projektit serb të “mini Shengenit” i doli kallaji shpejt dhe shpresoj se dashuria infantile e Tiranës për atë projekt serb të jetë ftohur. Serbia dhe Greqia as kanë bërë dhe as nuk do të bëjnë kurrë aleanca të sinqerta shtetërore me Shqipërinë dhe me shqiptarët.

Aleancat shtetërore, diplomatike, gjeopolitike dhe strategjike ata i ndërtojnë me shtetet ortodokse. Le të shpresojmë se qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do t’i forcojnë mirë frenat e historisë për të mos rënë në greminën e 1913, kur aleancat dhe traktatet e Serbisë me Greqinë gjymtuan trungun e atdheut dhe të kombit tonë.
Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të rrinë duarkryq përpara këtyre zhvillimeve negative rajonale.

Shqipëria duhet të ndërmarrë lëvizje dhe nisma adeguate diplomatike përballë kordonit sanitar gjeopolitik të shteteve ortodokse. Shqipëria mund dhe duhet të punojë për një nismë diplomatike të organizimit të grupimeve trepalëshe Shqipëri-Kroaci-Kosovë, si dhe Shqipëri-Kosovë-Turqi. Nuk thonë kot që diplomacia duhet të flerë me sytë hapur./DITA/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat