Krimet special të luftës, të kryera nga Serbia me bombat e NATO-s, në Korishë

Opinione

Krimet special të luftës, të kryera nga Serbia me bombat e NATO-s, në Korishë

Skender Jashari Nga Skender Jashari Më 14 maj 2021 Në ora: 10:13
Korishë

Dje është shënuar përvjetori i masakrës së Korishës, në të cilën janë vrarë 73 qytetarë shqiptarë, të cilët ishin përdorë si “mburojë e gjallë” nga forcat serbe. Ky ishte rasti i katërt, që forcat serbe praktikonin mënyra perfide të luftës së ndaluar.

Rasti i parë, ishte më 14 prill 1999, në afërsi të Gjakovës, ku  forcat serbe kryen krime me bombat e NATO-s, e këtë praktikë e avancuan.  Së paku edhe për disa raste, ka dyshime tejet të fuqishme që Serbia i bëri edhe ndaj popullatës së saj, si në rastin e 23 prillit 1999 me rastin e bombardimit të ndërtesës së Radio televizionit shtetëror të Serbisë, edhe pse ishin paralajmëruar që do sulmohej, qëllimisht përmes dezinformatave nuk e kishin larguar stafin.

Serbia është e njohur për inskenime të rasteve të krimeve të luftës, madje historikisht ka kryer akte të tilla. Ashtu edhe në Luftën e II Botërore, rasti i masakrës ndaj nxënësve serb  të shkollës fillore në Kragujevc etj, të cilën ia mëveshi nazistëve gjerman.

Por për më keq edhe në konfliktet e fundit në Kosovë, janë disa dhjetëra raste të tilla, përfshirë edhe ndaj civilëve të  përkatësisë kombëtare serbe, p.sh: rasti Panda. Ligjet Ndërkombëtare Humanitare, ndalojnë përdorimin e “mburojës së gjallë”  dhe çdo formë dhe mënyrë të detyrimit të civilëve.

Sipas Human Rights Watch, kanë ndodhur rreth 90 incidente me viktima civile gjatë kampanjës ajrore dhe raketore të NATO-s kundër Jugosllavisë, prej tyre 55 kanë ndodhur në Serbi, përfshirë edhe 5 në Vojvodinë, 3 në Mal të Zi dhe 32 në Kosovë, derisa 62-66% e viktimave totale civile janë shkaktuar në 12 incidente dhe atë  279 deri 318 prej viktimave ose 56-60% e tyre janë nga Kosova, kurse në Serbi 201 përfshirë edhe 5 në Vojvodinë dhe 8 në Mal të zi. 

Image
Tabela 1. Incidentet dhe “incidentet” ku pati civilë të vrarë gjatë bombardimit të NATO-s.

Nga të dhënat e mësipërme mund të shohim që mbi 62% e viktimave të këtyre “gabimeve” të NATO-s, janë shënuar në Kosovë; vërejmë poashtu që rastet e këtyre “gabimeve” janë shumë të rënda në Kosovë( dmth me numër shumë të madh të viktimave); vërejmë që nuk janë vetëm 1 ose dy raste që mund të jenë të rastësishme a si raste të izoluara, por janë të mirorganizuara dhe të praktikuara gjatë kohë dhe jepen indikatorë që janë institucionalisht të organizuara, pas rastit të Gjakovës.

Bombardimi i civilëve Shqipëtar në Korishë më 13 maj 1999, në ora 11:30 pm, nga tre avion të NATO-s, bombarduan bazën serbe, ku u vranë edhe një numër i madh i refugjatëve Shqipëtar që ishin përdorur si mburojë e gjallë. Sipas burimeve serbe, jepeshin shifra për 87 të vrarë dhe 78 të lënduar, kurse në Librin e Bardhë të botuar nga Minsitria e Jashtme e Jugosllavisë, theksohej për së paku 48 të vrarë, shumica fëmijë, gra dhe pleqë dhe për së paku 60 të plagosur, prej tyre 11 fëmijë nën moshën 15 vjeçare. Një numër i konsiderueshëm i traktorëve me të cilët udhëtonin refugjatët, ishin shkatërruar dhe dëmtuar nga sulmi. Fshati kishte qenë i sulmuar edhe nga forcat serbe në mars dhe prill 1999 dhe ishte granatuar, e që popullata civile nuk kishte arritur të ikte në Shqipëri por ishte strehuar në male për një kohë të gjatë. Derisa në këtë fshat vepronte edhe UÇK-ja.

Edhe ky incident ishte shumë i ngjashëm me rastin e bombardimit të konvojit të refugjatëve të brendshëm në Gjakovë, më 14 prill 1999, edhe në këtë rast Pentagoni raportonte se mund të ishte rast i granatimit të rëndë nga forcat serbe në atë zonë. Forcat serbe pretendonin që NATO-ja kishte hedhur bomba kasetore, këtë pretendim e mohonte NATO, duke theksuar se në pozicionet jashtë fshatit Korishë, kurse Human Rights Watch konfirmon që janë përdorur bomba thërrmuese.  NATO konfirmon se kishte bombarduar 10 armët artilerike të Serbisë nga dy avion me nga dy bomba me dirigjim laserik dhe pastaj 10 minuta më pas avioni i tretë ka lëshuar 6 bomba pa dirigjim në cak.

NATO në vazhdimësi insistonte që kishte goditur cak të ligjshëm ushtarak.  Ndërsa më 16 dhe 17 maj 1999,  Peter Daniel dhe Jamie Shea të NATO-s, deklaruan që forcat serbe mund t’i kenë sjellë atje refugjatët shqiptarë si mburojë e gjallë. Edhe më 17 maj 1999 zëdhënësi i Pentagonit Kenneth Bacon, vlerëson se 1/3 deri ½ e civilëve të vrarë në kampanjës ajrore të NATO-s,  janë sjellë qëllimisht nga forcat serbe përskaj caqeve, e që citonte edhe të mbijetuarit e Korishës nga ky sulm.  Madje Jamie Shea citonte burimet shqiptare të Kosovës, që theksonin se ishte komanda ushtarake serbe në kampin ku ishin mbajtur si mburojë e gjallë civilët në natën e sulmit.  Edhe më 18 maj 1999, deklarohej që rasti i Korishës, forcat serbe i kishin përdorur civilët si mburojë e gjallë.  Këtë e mbështesnin edhe raportet e gazetave  siç ishte edhe The Times, ku theksohej që gra dhe fëmijë ishin mbajtur në katin e sipërm, kurse në katin përdhes ishte  vendosur shtabi dhe artileri  serbe, e kështu ishte vepruar në 3-4 objekte duke mbajtur 200 ose 300 gra e fëmijë. 

Autoritetet serbe, morën një ditë pas sulmit gazetarët e huaj që të shohin skenën e ngjarjes.  Në vendin e ngjarjes ishin pa ende gjurmë të mbetjeve të ushtrisë jugosllave.

Raportin final të Prokuroit të Komitetit të themeluar për rishikimin e kampanjës së bombardimit kundër republikës federative të Jugosllavisë, theksohet që pilotët e NATO-s, nuk mund të shihnin natën se çfarë kishte brenda shtëpive në afërsi të kampit të ushtrisë serbe në Korishë, por sipas të dhënave të NATO-s dhe burimeve të tjera, ajo zonë ishte spastruar etnikisht që nga fillimi i konfliktit në Kosovë, edhe pse disa informata kishte që ishin risjellë forcërisht civilë për t’i përdorë si mburojë civile, por që ishin ndërmarrë të gjitha masat për paralajmërimin e tyre, prandaj nuk kishte bazë për akuza kundër NATO-s.

Natyrisht asnjë Shqipëtar, nuk ka dyshuar a akuzuar NATO-n, as për këtë rast e as për rastet e tjera, por në vazhdimësi edhe familjarët e viktimave dhe të viktimat e mbijetuara kanë fajësuar dhe akuzuar forcat serbe për përdorim si mburojë e gjallë, apo për vrasje e masakra pas bombardimit të NATO-s( duke përdorur granata dore-granata thërmuese).

Dhe si përfundim, asnjë veprim hetimor i Prokurorisë Speciale të Kosovës, as EULEX-it dhe UNMIK-ut, por sipërfaqësisht nga Tribunali i Hagës, janë trajtuar thjeshtë si krime lufte.

Skender Jashari  i burgosur politik nga  EULEX, për rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë  së Serbisë në  Dobrosin komuna e Bujanocit.

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat