Arbitri moral dhe shteti i korruptuar

Opinione

Arbitri moral dhe shteti i korruptuar

Nga: Gjon Marku Më: 29 korrik 2021 Në ora: 18:27
Gjon Marku

Nocioni i ndërgjegjes, kërkon me doemos një masë korrosponduese të lirisë vetiake në një shtet demokratik. Ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë ndaj punës dhe atributeve që të janë ngarkuar si detyrë, apo ke marrë përsipër të bësh si zyrtar i një strukture shtetërore e përputhur kjo me ligjet dhe normat ligjore, janë i vetmi arbitër i veprimeve të një shtetari të përgjegjëshëm. Ne jemi të detyruar të zgjerojmë në maksimum veprimtarinë tonë, dhe të ruajm nga ç’do sferën në të cilën mund të veprojmë në përputhje me të vetmin zë të ndërgjegjes, pavarësisht nga ç’do konsiderat tjetër. Qytetari nuk mund të tolorojë asnjë lloj qeverisje, në të cilën kjo mosperputhje midis ndërgjegjes dhe ligjit nuk njihet.

 Korrupsioni është armiku i papajtueshëm me dispozimin e shtetarit po jotë shtetasit, e cilido qofte emri i tij ose forma e tij, dhe cilatdo qofshin instrumentet me anë të të cilave ai mund të ushtrohet sjell dukuri negative dhe mosfunksionimin normal të shtetit. Atje ku shteti e lejon këtë veprim në masë të madhe ai shtet është i distinuar të dështojë. Mënyra se si shfaqet mungesa e korrektësisë së shtetarit ndaj shtetasit në mënyrë të vetëdijshme apo e sjellë nga jashtë, varet tërësisht nga mënyra e tij e veçantë e të qënit, të menduarit dhe të ndjerit. Edhe sikur të mendonim se shtetit nuk është në gjendje ta formësojë këtë gjë në përputhje me qëllimet e veta, të ndalojë atë dhe ta minimizojë ose të eleminoj korrupsionin.

Por nëse ka diçka që mund të përgatitet e të qetësojë mendjen dhe shpirtin e qytetarit është përputhëshmëri e ligjit dhe zbatimi i tij nga një shtetar korrekt dhe i pa korruptueshëm e kjo do të ushtrojë ndikimin e vet ndijor pozitiv e përputhur me të mirën dhe me ndikimin pozitiv që shteti mund të ushtrojë.

Në të vërtetë tërësia e një shteti ka forma të larmishme dhe të veçanta të formimit njërzor e uniteti i një vendi, qëndrueshmëria apo paqëndrueshmëria e tij varet dhe nga ajo se sa i pavarur e i lirë është shtetasi në vetvete e sa të barabartë janë shtetasit përballë ligjeve dhe të drejtave të sanksionuara në to. 

Qytetari i lënë krejtësisht i lirë për sa u takon çështjeve të raportit me shtetin, do të endë ose jo ndjenjat e përgjegjësisë në përputhje me karakterin e tij të veçantë.  Gjithësesi sistemi i tij i pikëpamjeve do të jetë më i bashkërenduar e ndjeshmëria e tij më e thellë, nëse strukturat e shtetit do të ketë më shumë unitet, dhe nëse këto stuktura kanë për t’u dalluar për një ndjenjë morali dhe për një frymë bindje më të madhe ndaj ligjit. Por nëse kjo liri do të jetë e pakufi ndaj shtetasve atëhere mund të shfaqet prirja që të nderojë më pak ndjenjën morale dhe t’i shmanget me dendur ligjit.

Ndijimet, prirjet dhe pasionet janë pikërisht ato që shfaqen më së pari dhe me forcën më të madhe të njeriut. Atje ku ligjet heshtin, përpara se kultura t’i ketë stërholluar ose t’i ketë dhënë energjisë së shpiritit një tjetër drejtim, atje dhe forca negative është shuar dhe nuk mund të lulëzojë më asgjë e mirë dhe e madhe. Botën ndijore dhe atë jondijore i lidh diçka e fshehtë dhe, nëse syrit tonë i është mohuar për të parë këtë lidhje, ndjenja jonë arrinë ta kapë atë e kjo është përputhëshmëria dhe funksionimi i lidhjes së drejtëpërdrejtë të ligjit me ndërgjegjen, kulturën me qytetarinë.   

Vërtet nuk ka gjë që ushtron ndikim më të madh mbi të gjithë karakterin sesa shpalosja e elementit joshqisor tek elementi shqisor, e së madhërishmes, së thjeshtës, së bukurës në të gjitha veprat e natyrshme. Nëse komunikojmë me një gjuhë të vështirë dhe shpesh të pakuptueshme, por dhe befasuese për njerëzit e shtresave të ulta të shoqërisë duke stërholluar e argumentuar të pavërtetën si të vërtet, ndonëse pamja e saj fillimisht do të duket se kemi fituar në fakt jemi larg  e i jemi larguar realitetit e një ditë kjo bëhet e padurueshme duke çuar në konflikte e mosbindje qytetare. 

Në rast se norma morale na detyron të shohim çdo njeri si qëllim në vetvete, asaj i bashkohet ndjenja e së bukurës, e cila mbush me jetë çdo grimcë pluhuri në mënyrë, që kësisoj të shijojë tek ajo guximin e një ekzistence të veçantë, dhe e cila e rrok dhe e mbështjell njeriun në mënyrën më të plotë dhe më të bukur.

Shpirti nuk mund t’i shmanget forcës, me anë të së cilës kjo madhështi e detyron atë të veprojë, dhe i mbrujtur vetëm me një ndjenjë të tillë, ai vepron rrjedhimisht pa mendeuar fare për kënaqësinë për shkak se ai nuk e humb kurrë vetëdijen e plotë se nuk ka përfytyrim të së keqes, cilado ajo qoftë, që do të bënte të ndryshonte mendim. Ndërsa elementët shpirtëtror përbëjnë fillesën jetëdhënëse të botës ndijore. Ndërthurja e ndjenjës së të bukurës duket se cënon pastërtinë e vullnetit moral dhe kështu do të mundë të ishte, e sigurisht do të ndodhte, dhe në ralitet sikur një ndjenjë e tillë t’i shërbente vërtet njeriut si shtysë drejt të moralshmes.

Gjithkush përpiqet pa reshtur të lartësojë aftësitë e tij dhe t’i përtërijë ato. Ndërkohë nuk mund të harrojmë se si bota e ndjenjave përbën edhe burimin e një numri të madh të këqiash trupore dhe shpirtërore e pos tyre përfitimesh dhe tjetërsimesh ligjore në kurriz të një numri të madh njerëzish për përfitime nga një numër i kufizuar shtetarësh të korruptuar dhe me ndërgjegje të munguar. 

Një shtet, në të cilin qytetarët do të shtyheshin ose do të ishin të shtërnguar me anë mjetesh të tilla që t’u përmbaheshin ligjeve, qoftë edhe atyre jo më të mira, do të mund të ishte një shtet i qetë, paqësor, i begatë, por për mua shtetarët do të ishin kurdoherë një kope skllevërisht të mirëushqyer dhe jo një bashkim njerëzish të lirë, të cilët kanë vetëm një kufi, atë të mosshkeljes të së drejtës dhe ligjit. Edhe pse janë vërtetë të shumta mënyrat për të shpalosur veprime dhe pikëpamje këtu doi të shfaqej një tjetër soj shteti.

Nxitja shpirtërore për të kryer veprime të caktuara ose nevoja për të shpërfillur ato që sjell lindja e shpresës. Shtërngimi dhe drejtimi i tjetrit sidomos me metoda të dhunshme jo vetëm nuk bëhen burim virtyti, rreziku i zvetnimit moral është kaq i madh. Atëhere tek njeriu shfaqet prirja drejt dëshirave egoiste sajesave të ulëta e mes tyre lindin virtyte të dobta duke shmangur mirëbërjen.  

Fushështrirja ku është shndërruar realisht morali apo mëdyshja e formimit të vërtetë të njeriut në njërën anë dhe mospërdorimi i aftësitve njerëzore e ku nuk llogariten saktë shkeljet duke shmangur botën morale; apo shkohet drejt shëndërrimit realisht të moralit çon në rrezikun që ta bëjë kombin të plogësht, mosveprues gjithnjë lehtëbesues ndaj dijes dhe vullnetit të të tjerëve. Mungesa e një dije të caktuar e të sigurtë e nxit më së shumëti drejt bindjes së pavullnetshme dhe në të njejtën kohë i bën më të ngusht por krejt jo funksionale lidhjet ndërnjërzore me shtetin. 

   Përdorimi dhe domosdoshmëria e përdorimit të dijes dhe vetëdijes morale por dhe të dijes intelektuale rriti fuqinë dhe veprimin prapa të cilit arrihet të bashkohet në një harmoni tërheqëse të gjithë vetëdijes dhe shtresave shoqërore duke e bërë shoqërinë më të fortë dhe më vepruese në mposhtjen e veprimeve të padenja.

Në të gjitha kohët, miqtë e sinqertë të lirisë kanë qënë të rrallë dhe fitoret e saj u detyroheshin pakicave, kryesisht forcave përparimtare e të vetëdijshme të mirëshkolluarit e të diturit gjithnjë kanë pasur rolin e tyre të padiskutueshëm në zhvillimin dhe përparimin shoqëror.

Rrjedhimisht, atje ku shteti është tjetet i fuqishëm për shkak të traditës dhe të zakonit shumëvjeçar, ose atij ku ka shkuar tepër larg në korrupsion, dhe këtij s’mund të vihet fre, ndërgjegjia mund të fitojë vetëm duke e shkatërruar eventualisht sistemin politik. 

Siç tashmë është e thënë, veprimtaria intelektuale zakonisht lidhej me elementë politik që përgjithësisht, kanë qënë të përfaqësuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe për të zbuluar parimin mbizotërues duke nxitur parimet e tjera, zor se do të ishte e padrejtë të përfundonim se, ajo lloj qeverisje në të cilën supozohet se të gjithë parimet kombinohen nuk është e destinuar të dështojë dhe të bjerë.

Epoka e diktaturës dhe e tranzicionit, gjatë së cilës kaluam, ishin epoka që lanë gjurmët e veta, dhe përpjekja për të vendosur të vërtetën në vend te ideve dhe veprimeve të autoriteteve gjysmake që zotëronin ose kishin zënë vend në strukturat shtetërore e që ndoshta dhe për traditë zunë vend dhe në strukturat e shtetit gjatë periudhës së tranzicionit, bën të domosdoshme thirrjen e energjive të intelektit për të kryer atë lëvizje madhështore prapa së cilës të vij përparimi i kombit. Shtresave intelekuale u dedikohet madje dhe përparimi i jashtëzakonshëm në ndryshimin e sistemeve politike por padyshim edhe përparimi dhe zhvilloimi në të mirat e zhvillimeve politike dhe shoqërore.  

Por nga ana tjetër, mund të pohohet fort se liria, nuk është zëvëndësuesja e të gjitha gjërave për të cilat njeriu duhet të jetojë, pasi për të qënë e vërtetë, ajo duhet të jetë e kufizuar dhe se kufizimet e saj ndryshojnë për individë apo persona të caktuar. Liri nuk do të thotë cënimi apo përfitimi duke cënuar lirinë e tjetrit.

Ligjet morale dhe njerëzore shpesh të pashkruara, janë më i lartë se ligjet e shkruar, dhe skllavëra bie ndesh me ligjet morale dhe shoqërore. Njerëzit e pushtetit s’kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me njerëzit e thjeshtë dhe shtetarët pa pushtet, ose të përfitojnë nga humbja e tjetrit. E tillë është urtësia poilitike e të dijshmëve e të virtytshëmve e të diturve, e cila trajton themelet e lirisë por kjo liri pa cënuar askënd dhe duke qenë e barabartë për të gjithë.

Çështja e madhe nuk është të zbulohet se ç’ligje parashkruajnë qeveritë. Duke parë se sa pak e sigurtë është që, ligjet e një vendi të jenë të urta ose të drejta dhe sa vullneti i njëzshëm i një populli është i pasqyruar në to gjykojmë se mungesa e këtij pasqyrimi çon në prirjen që të gabojnë.  Cilatdo qofshin prirjet apo pengesat që çojnë në pengimin apo shkeljen e parimeve që duhet të rregullojnë jetën e njerëzve dhe ekzistencën e shoqërisë.

Ekziston një vullnet më i ngushtë i një grupi të caktuar për shkeljen e ligjeve dhe të moralit tej vullnetit kolektiv të njerëzve por kjo çon drejt shfuqizimit të këtyre ligjeve të pa dëshiruara dhe që privilegjojnë një grup të caktuar shoqëror. 

 Ka kaluar koha kur akoma duhet pohuar se duhet të mbushet një kohë e caktuar për kombin tonë, një kohë në të cvilën ai, të bëhet për herë të parë i aftë për të marrë besimin e shtetasve të vet, se kërkohen disa kushte politike të caktuara që kombi të bëhet i përshtatshëm për interesat e gjëra, e për këtë duhet pritur.

Përkundrazi është e domosdoshme një shkallë e caktuar zhvillimi intelektual në zyrat e shtetit e shtetari duhet të ngjesë shkallët e herarkisë shtetërore falë formimit e dijeve duke ndryshuar së pari historinë e institucionëve ku për shumë kohë ka mbizotëruar mashtrimi e ku morali i pastër ka shterruar. Është e domosdoshme që shtetari të përçojë të vërtetën e madhe e ligji për të të jetë i shenjtë.  

Tirania, mashtrimi, lajkatimi i ulët, pandjeshmëria absolute jo vetëm ndaj vlerave të lirisë njerëzore, por dhe ndaj madhështisë  së ligjit  dhe shenjtërisë  të së drejtës  politike  dhe private … janë tiparet  e liga e vdekjeprurëse, që i shohim  të vulosura në sjelljen e zyrtarëve të paaftë e injorantë, të paditur e që shtrocëzohen para eprorëve urdhërues e ligjëshkelës.

Nëse lulëzon korrupsioni e mashtrimi në institucionet shtetërore, kjo së pari vjen nga padija e injoranca e shtetarëve në zyrat e shtetit, nga mungesa e qytetarisë ku nga budallallosjet shtetarët nuk janë në gjendje të përdorin aftësitë njerzore e stukturat e shtetit nga lakmia e pacak për rehati e nga dëshira e përfitimit në kurriz të të tjerëve, e kështu strukturat e shtetit nuk janë në një harmoni e nuk funksionojnë siç duhet. E kjo është gjithnjë e rrezikshme dhe pengesa kryesore në përparimin dhe zhvillimin shoqëror.

 Prandaj blerja e emrimeve në institucione është haptas skandaloze. Korrupsioni zyrtar i pa cak e skaj. Siguria nuk është e njëjta për të gjithë njerzit shtetari nën  ndikimin e autoritetit është shkelësi më i madh i ligjit dhe gjykuesit të tij pra moralit.

Atributet jo të vetat dhe ndërhyntë në sferën e lirisë vetjake shfaqen skajshëm në prokurori, polici e gjykata ku nuk mund të gjesh asnjë element drejtësie e pasiguria bëhet gjithënjë e më e madhe. 

Lufta për pushtet politik bëhet e ashpër ndërsa numri i familjeve të varfra rritet. Njerëzit që shkojnë drejt një varfërie eksterene të gjendur përballë mungesës së shpresës shkojnë pas çdo politikani që u premton se mund të ndryshoj diçka. Në të vërtet, tek ata, mund të gjurmohen thuajse të gjitha gabimet që po minojnë shoqërinë politike ato që rrezuan sistenmin diktatorial apo ato që po çojnë në evidentimin e të korruptuarve dhe të babëziturve në periudhën e tranzicionit e që po çojnë në reagimet ndërkombëtare e shpalljen non grata të të korruptuarve e shtetshkatërruesve. Por duke zhbiruar thellësinë e gabimeve të lloj lloj ku gjenden gabime të rënda gjithnjë bëhet e domosdoshme krijimi I një administrate publike më të mire, të aftë për të dhenë ide e larg mediokritetit që të mund të jetë zbatuese e legjislacionit të dobishëm në përputhje me normat morale e të ndërgjegjëshme në përgjegjësinë e vet para ligjit dhe shtetasve të këtij vendi.

Natyrisht është e domosdoshme vënia në funksion dhe çeshtja më e madhe është ndëshkueshmëria e shtetarëve që me vetëdije kanë qënë shkelësit e drejtëpërdrejt të ligjeve dhe të legjislacionit në fuqi në këtë rast arbiter i ligjeve morale ndaj shtetarit ka rënë. Vënia përballë drejtësisë pikërisht e atyre që kanë kthyer institucionet e drejtësisë në institucione të padrejtësisë është e vetmja rrugë drejt zhvillimit dhe përparimit shoqëror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat