Vigjilenca kombëtare e vitit 1971 që na mungon sot

Opinione

Vigjilenca kombëtare e vitit 1971 që na mungon sot

Nga: Nuhi Hetemi Më: 14 tetor 2021 Në ora: 11:42
Foto Ilustrim

Më 1971 jugosllavët, gjegjësisht serbët, kërkonin që aq sa do të kishin dobi shqiptarët nga bashkëpunimi kulturor në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, po aq të kishin dobi edhe kombet e tjera, serbët, malazezët, maqedonasit etj

Libri “Problemi shqiptar në RS të Maqedonisë 1966-1974” i historianit dr. Qerim Lita është një botim i veçantë dhe me rëndësi të madhe. Një vepër që ofron anën tjetër të medaljes së qasjes ndaj shqiptarëve në periudhën e ish Jugosllavisë.

Pa dyshim, kushdo që do ta lexojë këtë libër, do të hetojë një përpjekje tepër profesionale nga ana e autorit, një angazhim me kompetencë e me njohuri shkencore, përmes një disipline të veçantë studimore dhe duke u bazuar në parimet e historisë empirike, për të sjellë një vepër shkencore model nga fusha e historisë.

E lexova një, dy, tri herë! Çdo gjë e faktuar me dokumente nga arkivi shtetëror, të cilët flasin për një periudhë të tmerrshme për popullin shqiptar jashtë kufijve administrativ të shtetit amë. Në kuadër të materies është një njësi që flet për iniciativat ndërshtetërore për bashkëpunim në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë në sferën e arsimit dhe të kulturës. Marrëveshje konkrete në mes të këtyre dy shteteve socialiste do të inicohen kah fillimi i vitit 1971. Vërehet serioziteti kombëtar i institucioneve shtetërore shqiptare, të inteligjencies shqiptare, të diplomacisë kombëtare që, këto marrëveshje të jenë ekskluzivisht në të mirë të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë!

Natyrisht, qëndrimi i palës shqiptare përcillte mesazhe kryekëput politike, duke ia bërë të qartë palës jugosllave se vetëm Kosova dhe shqiptarët e viseve të Jugosllavisë mund të jenë urë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve respektive. Kurse pala jugosllave insistonte që nga bashkëpunimi ndërshtetëror të përfitojnë proporcionalisht sa shqiptarët edhe kombet e tjera jugosllave. Meqë pala shqiptare nuk pajtohej assesi me “strategjinë serbo”, të përfaqësuar nga Dobrica Qosiqët, si dhe me “strategjinë maqedonase” të përfaqësuar nga Kërste Cërvenkovskat, Jugosllavia do të refuzojë kategorikisht të nënshkruaj marrëveshje për bashkëpunim kulturor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa pati këmbime të aktiviteteve kulturore falë marrëveshjeve ndërinstitucionale arsimore e kulturore që ishin nënshkruar në mes të katedrave/fakulteteve të gjuhës dhe letërsisë, përmes shoqatave të shkrimtarëve të Tiranës dhe Prishtinës, përmes ansambleve kulturo-artistike, shoqatave arkeologjike etj., të cilat do të ndërpriten përfundimisht më vitin 1981, pas demonstratave studentore të marsit në Prishtinë.

Dyzet vite më vonë, pra, në vitin 2021,sërish kemi moment të nënshkrimit në mes të palës shqiptare dhe asaj sllave! Kemi nënshkrimin dhe marrëveshjen në mes të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për njëfarë projekti që tashmë po quhet si “Open Ballkan”! Kësaj radhe tërësisht anashkalohet Kosova si dhe interesi mbarë shqiptar! Më 1971 jugosllavët, gjegjësisht serbët, kërkonin që aq sa do të kishin dobi shqiptarët nga bashkëpunimi kulturor në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, po aq të kishin dobi edhe kombet e tjera, serbët, malazezët, maqedonasit etj. Më 2021 serbët e realizojnë atë “ëndërr shekullore” që, aq sa do të kenë “qasje” kosovarët në Shqipëri po aq të kenë edhe serbët përmes marrëveshjes “Open Ballkan”, në të cilën nuk përfshihet Kosova por Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në vitin 1971, Maqedonia nuk pranonte që të kishte marrëveshje për bashkëpunim arsimor e kulturor në mes të dy njësive federative, Maqedonisë dhe Kosovës. Meqë Maqedonia assesi të pajtohej që Kosova të ishte njësi federative si Maqedonia, atëherë marrëveshjet i zbritën në mes institucioneve për arsim dhe kulturë. Po kështu edhe Jugosllavia nuk pranonte që të ekzistonte ndonjë marrëveshje në mes të Shqipërisë dhe Kosovës e të anashkalohej Jugosllavia.

Maqedonia dhe Serbia vazhdimisht janë angazhuar që ta injorojnë dhe ta mbajnë Kosovën sa më larg marrëveshjeve shumëpalëshe! Po Shqipëria? Natyrisht, dokumentet flasin se dikur ka qenë e angazhuar ekskluzivisht për interesat e shqiptarëve të Kosovës si dhe të viseve të tjera etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat