Enverizmi, një e keqe e madhe edhe për Shqipërinë e sotme

Opinione

Enverizmi, një e keqe e madhe edhe për Shqipërinë e sotme

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 tetor 2021 Në ora: 09:12
Xhevat Mustafa

Si është e mundur që edhe sot nuk janë të paktë enveristët në Shqipëri, Kosovë, MV, Mal të Zi, diasporë..., që nuk pranojnë se Enveri i tyre i zemrës ishte demon i së keqes, për deri sa e katandisi dhe e la Shqipërinë, ndoshta vendin më të pasur në Ballkan, në izolim të egër edhe ndaj gati gjysmës së vet, Kosovës si dhe në gjendje mjerane ekonomiko-sociale...?

Fatkeqësia më e madhe dhe ndëshkimi më i rëndë, prej 80 vjetësh për vendin dhe popullin tonë, janë Enver Hoxha dhe enverizmi, në këto 8 vjet i fshehur, si me gjethe fiku, pas maskës, flamurit, allapikturave, kullave dhe shesheve të betontë, potureve, përrallave... të edramizmit. Është shumë shprehës fakti që ishim të fundit në Europë për treguesit e zhvillimit e të mirëqenies më 29 nëntor 1944, kur na hipi mbi kokë Enveri shkollëmesëm, vetëm me diplomën e Liceut të Korçës dhe jemi po të fundit, edhe sot më 16 tetor 2021, kur kemi mbi kokë "këlyshët" e tij", plot prej të cilëve me diploma të blera apo me plagjiatura, në pjesën më të madhe të tyre! Këta do të vazhdojnë të bëjnë mbretin, sulltanin, vezirin pashain, bimbashin...si dhe përshesh për vete, deri sa kanë gjet shesh tek “populli i majtë”!

Deri sa "populli i majtë", masivisht me banim dhe origjinë në ish zonën e parë operative, me nivel të lartë e masiv majtizmi, partishmërie të verbër dhe enverizmi, nuk do të arrijë të kuptojë dhe bindet se siç ka çdo trup i secilit prej tyre vesh, sup, krah, dorë, këmbë të djathtë, ka edhe qeverisje të djathta, që janë në pushtet dhe përgjithësisht shumë më të suksesshme dhe demokratike në Evropën Perëndimore, vendet nordike- skandinave, Kanada, SHBA, Zelandën e Re, Singapor, Malajzi, Australi, Taivan, Japoni, Korenë e Jugut...!

Fatkeqësisht tek ne, ashtu siç nuk pati të majtë të vërtetë më 8 nëntor 1941 dhe socializëm të vërtetë më 29 nëntor 1944, nuk pati, po për faj të kësaj gjasë të majtë, as të djathtë të vërtetë dhe kapitalizëm të vërtetë edhe më 22 mars 1992!!! Pra, sipas meje, ne kemi 80 vjet që jemi peng e robër të kësaj gjasë të majte, me plot atavizma enveriste në mentalitet, mënyrat dhe praktikat e qeverisjes e të drejtimit.

Nuk është e vështirë për të kuptuar se enverizmi, këto vitet e fundit vishet edhe me kostume moderniste, edhe me brekushe haxhiqamiliste! Sinqerisht, nuk i kuptoj adhuruesit e Enverit, domethënë, enveristët e moçëm e të rinj, kur koha, rreth 80 vjet të tërë, kanë nxjerrë në dritë fakte të shumtë se ai ishte një monstër edhe ndaj njerëzve të familjes së tij dhe shokëve e shoqeve më të afërt, kokëngrënës i elitave intelektuale në ekonomi, ushtri, kulturë e arte, shkenca; pervers, mashtrues i paskrupullt, edhe me arsimimin dhe veset e tij; antishqiptar histerik apo i tërbuar...Enveristët e moçëm apo të sotshëm, për hyjnizimin dhe mbrojtjen e idhullit të tyre, kapen fort dhe palogjikshëm tek “veprat dhe kontributi i tij” në fushat e industrisë minerare, të naftës, ushqimore dhe tekstile; mekanike; kundër analfabetizmit; për zhvillimin e kulturës dhe të arteve, e tj

. Por, tregojnë primitivizëm, bajraktarizëm, kult individi, imitim të stalinizmit, mungesë emancipimi demokratik, qytetar, kulturor, mohim kolegjialiteti dhe pune ekipore, të personalizosh gjithçka të mirë tek një individ i plotfuqishëm politik dhe qeverisës dhe mos t’ia shohësh dhe njohësh edhe gabimet, dështimet, fajet, krimet, përgjegjësitë... Më shqip: nuk është as e saktë, as e drejtë dhe as e logjikshme t’i atribuohen të gjitha sa u bënë në Shqipëri në periudhën 1945-1985 Enver Hoxhës individualisht. Sepse ai nuk i bëri këto vetëm me kokën e vet.

Në vartësi dhe dispozicion të tij kishte ministri dhe ministra, institute studimore e shkencore, në të cilat drejtonin dhe punonin njerëz me diploma universitetesh prestigjioze nga vende perëndimore e të ish kampit socialist dhe me nivel intelektual dhe shkencor më të lartë se të Enver Hoxhës.

Duke ia dhënë të gjitha meritat Enver Hoxhës u bëhet një padrejtësi dhe u hahet haku krahëve të tij të djathtë e të majtë, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Abdyl Këllezit, Koço Theothosit...Për hirë edhe të së vërtetës, Mehmeti, Abdyli dhe Koço, edhe për lidhje të drejtpërdrejtë funksionale dhe dikasteriale, deri sa nuk i pushkatoi Enveri i tyre, kanë qenë shumë më tepër se ai në ndjekje të zbatimit të projekteve në fazën e ndërtimit dhe më pas, gjatë procesit të prodhimit  të veprave të mëdha ekonomike, minerare dhe industriale.

Sidomos Abdyl Këllezi, diplomuar për ekonomi në Universitetin e Firences  dhe Koço Theothosi, diplomuar për kimi në Universitetin e Lionit, duhet ta kenë përjetuar më rëndë krizën ekonomike dhe varfërinë masive në vend. Me formimin që kishin duhet ta kenë kuptuar dhe shprehur sinqerisht se e vetmja rrugëdalje nga kriza dhe për rritjen e ndjeshme të nivelit të jetesës së shqiptarëve ishte ndryshimi i politikës ekonomike, hapja drejt SHBA-së dhe Perëndimit Kapitalist, si kishin vepruar më herët Jugosllavia e më vonë Kina. Por, Enver Hoxha u tha egërsisht “JO” dhe urdhëroi  pushkatimin e tyre. Sepse, me shumë gjasa, Enveri mund të ketë menduar edhe kështu: Sa të jem gjallë do të vazhdohet me këtë kurs dhe me këto politika.

Shqipëria duhet të mbetet në këtë nivel të ulët zhvillimi dhe izolimi ekstrem, pa u hapur drejt SHBA-së dhe përgjithësisht Perëndimit! Se ndryshe, modernizimi dhe fuqizimi i ekonomisë do të sjellin rritje të të ardhurave të shtetit. Në këto kushte, populli do të kërkojë rritje të pagave dhe pensioneve. Më e keqja, do t’i rriten tangarllëku dhe kërkesat për turizëm edhe në vende të tjera, sidomos me Kosovën, në Italinë, Greqinë dhe Jugosllavinë fqinjë...Po dolën jashtë, shqiptarët do të shikojnë me sytë e tyre ndryshimin e madh në zhvillim dhe mirëqenie midis nesh dhe vendeve kapitaliste. Kështu do të kuptojnë se i kam mashtruar për rreth 30 vjet se në vendet kapitaliste” njeriu për njeriun është ujk”, se në këto vende” njerëzit vdesin urie për bukën e gojës”...Po e zbuluan se i kam mashtruar do të revoltohen e do të ngrihen kundër meje. Prandaj, Abdyli dhe Koço në plumba e në varre dhe le të vazhdojmë në rrugën time. Le të hajë edhe bar dhe të vdesë urie populli, mbi gjithçka mos ndërrojmë rrugë, “të mos i tradhtojmë dhe shesim parimet!”.

 Nga ana tjetër, dihet se  kombinatet, uzinat dhe fabrikat e asaj kohe, nuk u bënë as me paratë individuale apo familjare të Enverit, por me miliardat e lekëve nga buxheti i shtetit, që mbushej me punën, djersën, gjakun, jetët e popullit.... Si është e mundur që edhe sot nuk janë të paktë enveristët në Shqipëri, Kosovë, MV, Mal të Zi, diasporë..., që nuk pranojnë se Enveri i tyre i zemrës ishte demon i së keqes, për deri sa e katandisi dhe e la Shqipërinë, ndoshta vendin më të pasur në Ballkan në izolim të egër edhe ndaj gati gjysmës së vet, Kosovës si dhe në gjendje mjerane ekonomiko-sociale, me tollona me gramatura minimale dhe në radhë qysh nga mesnata për shumicën e ushqimeve të mbijetesës allashqiptare të asaj kohe... ? Ose janë të verbër nga sytë e nga mendtë, ose janë të ligj nga shpirtrat si Enveri i tyre, deri në tërheqjen prej tij, shumica pa e kuptuar, në fundgreminën e vetësakrifikimit individual, familjar, masivisht popullor dhe të antishqiptarizmit...!

Për humor fundjave dhe me ditën e lindjes së monstrës: duke perifrazuar një vjershë të paharrueshme të Çajupit: Kur bëre derr' e arinë, ç'deshe që bëre Enverin, partinë dhe "tufën e tij të ngordhur” e këtë të re, që, ashtu si ai, pse jo, edhe më shumë, për popull, Shqipëri e Komb nuk duan t’ia dinë.. !!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat