Çfarë synon kërkesa për “neutralitet”: Situata në Ballkan, si qendra e dytë në Europë e përplasjes gjeopolitike ruse me NATO-n dhe me BE-në, pas Ukrainës

Opinione

Çfarë synon kërkesa për “neutralitet”: Situata në Ballkan, si qendra e dytë në Europë e përplasjes gjeopolitike ruse me NATO-n dhe me BE-në, pas Ukrainës

Nga: Shaban Murati Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 08:10
Shaban Murati

Klima e pragluftës, që Rusia ka krijuar në kufijtë e Ukrainës, po shoqërohet me një stuhi propozimesh diplomatike ruse drejtuar SHBA dhe NATO-s për të larguar vëmendjen nga planet e agresionit të ri rus në Ukrainë dhe për të futur faktorin atlantik në kurthin e mosveprimit dhe të pajtimit me kërcënimin rus në Europë.

Lidhur ngushtë me këtë strategji diplomatike po merr çdo ditë e më shumë intensitet veprimtaria ruse në Ballkan, si qendra e dytë në Europë e përplasjes gjeopolitike të Rusisë me NATO-n dhe me BE-në, pas Ukrainës.

Ndërsa Moska doli në 17 dhjetor me ultimatumet e reja absurde drejtuar NATO-s, që të marrë përsipër detyrimin të mos anëtarësojë Ukrainën në NATO, të mos zgjerohet në lindje dhe madje t’i marrë leje Rusisë nëse do të vendosë pajisje ushtarake në vendet anëtare të saj, në 14 dhjetor Moska u drejtoi shteteve të Ballkanit propozimin e ri që të aplikojnë të gjithë “neutralitetin”.

Kërkesa e re e diplomacisë ruse u paraqit nga ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan-Harçenko, i përkufizuar edhe si governatori rus i Ballkanit, në fjalimin e mbajtur në Institutin serb të Politikës Ndërkombëtare dhe të Ekonomisë në 14 dhjetor, lidhur me modelin e “neutralitetit ushtarak”, që duhet të ndjekë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin e tij të titulluar “Partneriteti strategjik midis Rusisë dhe Serbisë dhe situata në Ballkan” ambasadori rus deklaroi: “Neutraliteti ushtarak i Serbisë është kyçi i stabilitetit në rajon. Neutraliteti është zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor”.

Nuk mund të mos lindë pyetja se ç’është ky interesim i ri i Rusisë për të modeluar Ballkanin Perëndimor si rajon me modelin serb të “neutralitetit”. Pra jo modelin e Zvicrës apo të Suedisë, por të Serbisë (!).

Së pari, duhet pasur parasysh se i ashtuquajturi “neutralitet ushtarak” i Serbisë është një model i vjetër rus i vitit 2007, kur Moska me qëllim që të bllokonte rrugën e Serbisë drejt integrimit atlantik i imponoi asaj doktrinën e neutralitetit ushtarak, të miratuar në parlamentin serb. Moska e ndërmori këtë diktat ndaj Beogradit, sepse u tremb ngaqë NATO i akordoi Serbisë në vitin 2006 pjesëmarrjen në programin e “Partneritetit për Paqe”.

Doktrina e “neutralitetit ushtarak” u përdor nga të gjitha qeveritë serbe për të bllokuar çdo lloj ideje apo përpjekje politike në Serbi për të hyrë në rrugën e integrimit atlantik. Doktrina e “neutralitetit ushtarak” u përdor dhe po përdoret nga Beogradi veçanërisht për të ligjëruar dhe për të shkallëzuar bashkëpunimin e ngushtë ushtarak dhe aleancën ushtarake të Serbisë me Rusinë.

Diplomacia ruse kërkon tani ta paraqesë të ashtuquajturin “neutralitet ushtarak” të Serbisë si një arritje rajonale. Suksesin, që arriti Moska me Serbinë, duke e lidhur atë si satelit pas vetes me kurthin rus të “neutralitetit ushtarak”, synon tani ta realizojë edhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke i joshur me modelin rus të “neutralitetit”.

Ambicia imperiale ruse është që edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor të krijojnë të njëjtën varësi nga Moska njëlloj si Serbia. Sepse Serbia është shteti i vetëm ballkanik i lidhur me një traktat të aleancës strategjike me Rusinë, shteti i vetëm ballkanik që i ka dhënë rusëve bazë ushtarake në Nish, shteti i vetëm ballkanik që zhvillon në territorin e vet disa herë në vit manovra me forcat ushtarake ruse, shteti i vetëm ballkanik të cilin Rusia po e armatos në mënyrë të ethshme me armatimet më moderne deri te vendosja e sistemit antiraketë rus.

Serbia është shteti i vetëm ballkanik vëzhgues në parlamentin e organizatës ushtarake ruse “CSTO”, të krijuar nga Moska me gjashtë shtete ish-republika sovjetike, dhe është bërë anëtare e organizatës ekonomike pansovjetike të Moskës “Unioni Ekonomik Euroaziatik”.

Serbia po përgatitet të blejë në Rusi edhe sistemin e njohur rus të raketave S-400. Serbia “neutrale” ka krijuar një makinë të madhe agresive ushtarake, në disproporcion të rrezikshëm me nevojat e mbrojtjes.

Serbia dhe Rusia e reklamojnë militarizimin serb dhe makinën kërcënuese ushtarake serbe si “neutralitet ushtarak”. Madje ambasadori rus dhe diplomacia ruse po reklamojnë absurditete të tilla sikur ky lloj neutraliteti specifik ushtarak serb me armatime ruse qenka kontribut për stabilitetin e rajonit.

Nuk e thonë se nga kush e mbron Serbia stabilitetin e rajonit dhe kush ia paska ngarkuar Serbisë detyrën e ruajtjes së stabilitetit rajonal. Rreth e qark Serbisë në rajon janë 8 shtete anëtare të NATO-s dhe është qesharake të mendosh e jo më ta thuash se Serbia u mbron atyre stabilitetin. Në fakt e kundërta është e vërtetë: që Serbia u kërcënon atyre stabilitetin dhe sovranitetin.

Rusia po e armatos Serbinë kundër vendeve të NATO-s në rajon dhe thelbi i strategjisë ballkanike të Rusisë është që potenciali ushtarak i Serbisë të jetë instrument i potencialit ushtarak rus në rast të një konflikti midis Rusisë dhe NATO-s.

Së dyti, me keqardhje duhet pranuar se ambasadori rus në Beograd dhe diplomacia ruse në profesimin e tezës së modelit të neutralitetit ushtarak serb për gjithë Ballkanin Perëndimor janë inkurajuar dhe entuziazmuar edhe nga idiotizmi i disa burokratëve dhe disa ushtarakëve të NATO-s, të cilët nuk dihet se për çfarë arsyesh e kanë obsesion që sa herë shkojnë për vizita në Beograd lëshojnë lumë lavdërimesh për “neutralitetin ushtarak” të Serbisë.

Është një qëndrim absurd, që nuk ka asnjë lidhje me kortezinë diplomatike atlantike dhe që nuk u shërben as marrëdhënieve të mira të Serbisë me NATO-n, por sidomos nuk u shërben marrëdhënieve normale të Serbisë me shtetet e NATO-s në rajon.

Mjafton të shikosh se çfarë tensionesh dhe provokimesh lufte po u shkakton aktualisht Serbia Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës dhe kupton se neutraliteti serb është një falsitet i rrezikshëm. Mjafton të shikosh se çfarë ka bërë Serbia kundër anëtarësimit atlantik të dy shteteve anëtare të NATO-s në rajon, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për të kuptuar se Serbia po luan një rol tepër të rrezikshëm në shërbim të strategjisë ruse të destabilizimit të Ballkanit.

Tani ambasadori rus dhe diplomacia ruse dalin me tezën e re se neutraliteti ushtarak qenka zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor. Diplomati i vjetër rus i fut në një thes të gjitha shtetet e rajonit, si ata që janë anëtarë të NATO-s, ashtu dhe ata që nuk janë. Natyrisht ai e di kaq gjë që shtetet ballkanike anëtare të NATO-s e kanë bërë prej kohësh në mënyrë sovrane zgjedhjen e tyre dhe janë bashkuar me Aleancën Atlantike si garancia më e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e sovranitetit të tyre.

Por diplomacia ruse tenton të bëjë diversion dhe u sugjeron neutralitetin ushtarak vendeve të Ballkanit Perëndimor anëtarë të NATO-s përballë ambicieve të Rusisë dhe të Serbisë në rajon.

Diplomacia ruse me modelin e neutralitetit synon të neutralizojë Ballkanin Perëndimor e sidomos shtetet anëtare të NATO-s. Po ta analizosh me kujdes: strategjia e diplomacisë ruse është që t’u imponojë në një formë apo tjetër të ashtuquajturin neutralitet dy shteteve të reja anëtare të NATO-s, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Serbia dhe Rusia ndërmorën përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në 2016 dhe në Maqedoninë e Veriut në 2017 për t’i penguar ato dy shtete ballkaniko-perëndimore të anëtarësoheshin në NATO. Rusia dhe Serbia dështuan në këtë objektiv.

Për të kompensuar dështimin Moska po ndjek taktikën e re të ofertës së neutralitetit ushtarak për qeveritë e Podgoricës dhe të Shkupit. Pasi sollën në pushtet në Podgoricë me zgjedhjet e orkestruara të gushtit 2020 një qeveri me shumicë filoserbe dhe filoruse Moska vlerëson se, në pamundësi për ta shkëputur atë shtet nga NATO, ta devijojë duke i diktuar të ashtuquajturin neutralitet. Pra që Mali i Zi të ndjekë modelin e neutralitetit ushtarak në raportin e tij me NATO-n. Pra të bëhet një shtet anëtar amorf për NATO-n.

E njëjta strategji ruse po ndiqet edhe me Shkupin, ku nuk po reshtin përpjekjet ruse për të sjellë në pushtet forcat filoruse të ish-kryeministrit të arratisur Gruevski. Nuk mbetet jashtë këtij objektivi rus edhe Shqipëria, ku Moska po sponsorizon prej kohësh një rrymë të fuqishme politike antiamerikane dhe antiatlantike.

Së treti, ndërsa “neutraliteti” serb është militarizim dhe armatosje e ethshme me armë ruse, Moska u kërkon shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të përqendrohen te ekonomia. Ja teza e re e ambasadorit rus Harçenko në 14 dhjetor:

”Ne besojmë që partneriteti i ardhshëm në Ballkanin Perëndimor duhet të përqendrohet te ekonomia dhe në projektet në interes të Serbisë, të Rusisë dhe të BE”.

Qartazi Moska e sheh Ballkanin Perëndimor si sferë e hegjemonisë serbe, që pritet të realizohet nëpërmjet projekteve me pamje ekonomike si “Ballkani i hapur” i presidentit serb.
Dalja e tezës ruse të modelit serb të neutralitetit ushtarak si modeli më i mirë për Ballkanin Perëndimor bëhet edhe më e rrezikshme në kushtet kur Serbia ka krijuar këtë mikro-organizatën subrajonale të quajtur “Ballkan i hapur”.

Kjo organizatë subrajonale e drejtuar nga Beogradi, dhe që ka përkrahjen e Moskës, mund të konsiderohet edhe bërthama e një projekti serb për një politikë të përbashkët ushtarake të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen.

Sepse është praktikë e njohur ndërkombëtare që nuk ka organizatë politiko-ekonomike që herët apo vonë nuk shkon te dimensioni i saj ushtarak. Deri tani ka dhënë sinjalin për këtë presidentja e “serpska republikës”, Zhelka Cvijanoviç, e cila në 9 mars 2020 propozoi “formimin e një force të përzier policore dhe ushtarake të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të dislokohet në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor për të ndalur valën e madhe të emigrantëve”. (Për më gjerë shih “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, 2021, fq.224).

Në qarqet serioze diplomatike propozimi i saj u konsiderua si një ballon prove që vinte nga Beogradi për të testuar rajonin dhe Evropën lidhur me planet serbe për t’i ngjitur “Ballkanit të hapur” edhe një dimension ushtarak në emër të mbrojtjes së katër lirive jugosllave të mikro-organizatës rajonale të krijuar nga presidenti serb Vuçiç.

Në këtë katrahurë diplomatike tipike ballkanike, ku mund të presësh gjithçka, bëhet jetike që Shqipëria zyrtare dhe diplomatike të veprojë si anëtare e NATO-s dhe të hedhë poshtë çdo lloj propozimi apo oferte për të ashtuquajturin neutralitet ushtarak ngado që të vijë: nga Moska apo nga Beogradi.

Në të njëjtën kohë diplomacia shqiptare si anëtare e NATO-s duhet të ngrejë në selinë e aleancës shqetësimin që burokratët e zyrave të NATO-s, që shkojnë për vizita në Beograd, të heqin nga fjalimet e tyre lavdërimet idiote për “neutralitetin serb”, sepse me dashje apo pa dashje i shkojnë lojës së Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Rusia nuk do ta lejojë kurrë Serbinë të hyjë në NATO dhe do të veprojë njësoj si me Ukrainën për ta ndaluar. Propozimet ultimative të Moskës drejtuar NATO-s në 17 dhjetor për ndalimin e Ukrainës duhen lexuar edhe si parathënie ruse për Serbinë./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat